Lexoni edhe:
Armatosja e Serbisë në ndikimin e luftës në Ukrainë rrezik potencial për Bosnjën dhe Kosovën
Shkruan:ANALISTI: Gani Qarri
Monitoruesit e OJQ-ve të cilët përcjellin së afërmi ecurinë e zbatimit të ligjit në gjykatat kosovare, mjerisht kanë zbuluar se drejtësia e kapur dhe e korruptuar deri në fyt, ka filluar ti manipulojë edhe dosjet penale të kriminalitetit të rëndomtë duke shqiptuar dënime të rënda maksimale që tejkalojnë edhe rastet serioze, aktakuza të cilat thjeshtë ndërlidhen me korrupsion dhe krim të organizuar.
-Një skandal të tillë e kanë denoncuar monitoruesit e OJQ-ve dhe sipas një hulumtimi të zhvilluar nga IKD, del se efikasiteti i treguar nga prokuroria dhe gjykata në trajtimin e rasteve të “hajnave” të vegjël, është pa krahasimisht më i lartë në raport me efikasitetin që këto dy institucione kanë treguar në luftimin e krimit të aferave të mëdha milionëshe dhe rasteve të korrupsionit në Kosovë. Madje sipas hulumtimeve të bëra del se qindra lëndë për vjedhje pulash e gjësende tjera banale me vlera të ulëta monetare ngarkojnë prokuroritë dhe gjykatat çdo vit, ndonëse këto raste mund të trajtohen përmes procedurave alternative, marrë parasysh faktin se dëmi i pretenduar në aktakuzë është pothuajse minimal.
Për aq më tepër, shumë nga këto aktakuza të ushtruara nga prokuroria, në realitet u referohen rasteve të cilat legjislacioni ynë penal i ka kategorizuar si “vepra të rëndësisë së vogël” dhe jashtë sferës penale, çka nënkupton se këto veprime nuk përbëjnë vepra penale, kryesit e tyre nuk ndiqen penalisht dhe nuk dënohen as nga gjykatat. Referuar Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra është e “rëndësisë së vogël” kur rrezikshmëria e saj është e parëndësishme për shkak të natyrës ose peshës së veprës; mungesës së provave bindëse dhe pasojave të parëndësishme; akteve të shkallës së ulët të përgjegjësisë penale ose rrethanave personale të kryesit të veprës. Po ashtu, edhe lartësia e dënimeve të shqiptuara ndaj “hajnave” të vegjël është pothuajse identike me dënimet që gjykatat kanë shqiptuar ndaj kryesve të cilët janë shpallur fajtorë për vepra penale korruptive.
Kështu që gjatë monitorimit sistematik të rasteve të korrupsionit, monitoruesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), kanë evidentuar në vazhdimësi se dënimet me burgim me kusht dhe dënimet me gjobë janë dënimet më të ‘preferuara’ nga gjykatat e Republikës së Kosovës ndaj të akuzuarve për vepra penale korruptive, vepra këto që sipas legjislacionit tonë janë të kategorizuara si vepra penale me peshë e pasoja shumë më të rënda, ku dëmi i pretenduar është tepër i lartë. Kështu që, dënime me kusht e me gjobë janë aplikuar nga gjykatat e vendit edhe për krimet e vjedhjeve të rëndomta, çka paraqet një standard të “dyfishtë” dhe të padrejtë të drejtësisë kosovare në raport me luftimin dhe parandalimin e kriminalitetit, raport i cili fokuson 10 dënimet e shqiptuara nga gjykatat e vendit ndaj kryesve të vjedhjeve të rëndomta.
E ajo që bën më shumë përshtypje gjatë analizimit të këtyre rasteve, është pesha minimale e dëmit, ndërsa dënimet e shqiptuara nga gjykatat e Republikës së Kosovës janë maksimale dhe identike me ato që rëndom aplikohen nga gjyqësori kosovar për veprat penale korruptive. Për shembull, i akuzuari që ka vjedhur një shishe raki në qendrën tregtare “ ETC” në vlerë prej 21 eurove, dënohet me 400 euro gjobë, nga Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, ndërsa rasti tjetër evidentohet në Prizren,ku i akuzuarit që vodhën një pulë në Prizren, dënohen me 750 euro gjobë! Me tre muaj burgim me kusht dënohet i akuzuarit tjetër që zbulohet se vodhi një shishe të alkoolit “Smirnoff Vodka”, me vlerë 11 euro, përderisa në rastin tjetër me 1 vit burgim me kusht dhe 600 euro gjobë, i shqiptohet dënimi një të akuzuari se vodhi dy palë tuta dhe një palë atlete, në një kompleks banesor ne Drenas. Sikur mos të mjaftonin këto sihariqe të gjykatave tona, me burgim me kusht dhe 250 euro gjobë dënohet i akuzuari që pranoi se vodhi një xhaketë nga butiku në Prishtinë, vlera e së cilës është llogaritur të ketë qenë 129 euro.
Tutje, rasti tjetër, ndërsa i akuzuari që pranoi se kishte vjedhur brisqe të rrojës me vlerë prej 97 euro, dënohet me tre muaj burg dhe 250 euro gjobë. Kurse i akuzuari për vjedhjen e një biçiklete në Gjilan dënohet me 500 euro gjobë edhe pse fillimisht dënimi kishte qenë 200 euro gjobë dhe 1 muaj burgim efektiv, por në marrëveshje me të akuzuarin dënimi me burg është shndërruar në gjobë prej 300 eurove. Po ashtu, me katër muaj burgim me kusht dënohen dy persona që vodhën katër pula dhe një gjel në kotecin e të dëmtuarit të cilët në një fshat të Gjilanit vodhën 4 pula dhe një gjel nga koteci, e për vjedhjen e dy gypave metalik në një punishte në Gjakovë, i akuzuari dënohet me 80 ditë burg dhe 100 euro gjobë! Prandaj hulumtuesit e IKD-së, me plot të drejtë kanë kritikuar këtë formë të zbatimit të Ligjit, pasi që vetëm për mbulesa statistikore dhe arsyetim të ndëshkimit të veprës së rëndomtë penale, shqiptohen dënime të ngjashme me gjoba ose me kusht të po atij niveli për krim e korrupsion, sikur të abuzohen apo tjetërsohen milionat e shtetit.
Kjo duket shumë e panatyrshme edhe për faktin se për shkak të lidhjes së grupeve mafioze të nëntokës kriminale, edhe për veprat më të rënda, shkohet qëllimisht deri të minimizimi apo zhdukja me marrëveshje e provave, kështu që ndëshkimet shqiptohen minimale me gjoba materiale e me kusht, që për kryesin e veprës nuk është dënim por de fakto është amnistim dhe lirim nga përgjegjësja. Kështu që pikërisht praktikat e tilla të abuzimit me ligjin, shërbejnë për amnistimin e krimit e të korrupsionit, për auditim” dhe rivlerësim të performancë së secilit prokuror për aktakuzën dhe gjyqtar për shpalljen e aktgjykimit, më rastin e fillimit të zbatimit të ligjit VETTING, për ta future në funksion fshesën e madhe të pastrimit dhe të diferencimit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".