Parapolitika e SHIK-ut ilegal në betejën e fundit për ta mbajtur Prokurorinë e Shtetit të kontrolluar dhe të uzurpuar!

Parapolitika e SHIK-ut ilegal në betejën e fundit për ta mbajtur Prokurorinë e Shtetit të kontrolluar dhe të uzurpuar!

Hajrullah Tërnava

  • 12 April 2022 - 12:43

Shkruan:ANALISTI: Hajrullah Tërnava

Edhe në këtë mandat të radhës të KPK-s, po tentohet të riciklohen dhe të sistemohen pikërisht figurat e vendosura me kohë nën kontroll dhe në interes të politikës mafioze dhe nëntokës kriminale, një element që po e kundërshton faktori ndërkombëtar, shoqëria civile dhe vetë koalicioni Qeverisës që e ka filluar reformën dhe po e shtyn përpara Ligjin e Vettingut.

-Situata në të cilën gjendet Kosova, e sidomos kur është në pyetje përzgjedhja e Kryeprokurorit të shtetit, është një moment i duhur i pozicionimit të drejtësisë që ta merr kahjen kah duhet të orientohet e drejta per drejtesi në këtë shtet. Që shteti ta merr atë drejtim legjitim kah duhet të shkon kjo është dashur moti ta këtë, e jo sikur tani që gjendet në këtë situatë të kriminalizuar, prandaj njëherë e përgjithmonë që drejtësia te gjej rrugën e sajë drejt luftimit të të gjitha të këqijave dhe të shkëputet nga ajo kohë e kriminalizuar qysh nga çlirimi 1999 e deri më tani.

Tani kur po zhvillohet beteja për Prokurorin e Shtetit, është momenti ideal i fillimit të shkëputjes së sistemit të drejtësisë nga kapja prej plot dy dekada nga mafio-politika , nga nëntoka kriminale dhe para politika e SHIK-ut ilegal e parainstitucional, që ka instaluar në pozitat kyçe njerëzit e vetë të besuar dhe tashmë po zhvillon luftën e pa kompromis për ta ruajtur sundimin dhe ndikimin në drejtësi, përmes sistemit prokurorial. Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) po reziston ndaj kritikave që janë adresuar së fundi për konkursin e manipuluar dhe kandidatin e votuar e të dërguar për dekretim te Presidentja e shtetit.

Kritikat ndaj KPK-së nuk janë adresuar vetëm nga përfaqësues politik, por ato dominojnë kryesisht nga përfaqësuesit ndërkombëtar, nga ambasadat më me ndikim , nga vendet mike të Kosovës, SHBA, Gjermani, Mbretëri e bashkuar dhe nga ambasadori I BE-së në Prishtinë. E pas këtyre kritikave, ditën e Premte KPK-ja zyrtarisht ka reaguar me një komunikatë duke u përplasë vetëm me politikën, e duke anashkaluar reagimet negative të diplomatë ndërkombëtar. Në reagimin e vetë KPK thotë se nuk do të tolerojnë që të cenohet integriteti dhe reputacioni i anëtarëve të Këshillit Prokurorial dhe i bartësve të funksioneve prokuroriale, që sipas tyre, ata që po e kundërshtojnë përzgjedhjen e Blerim Isufajt për kryeprokuror të shtetit janë njerëz të politikës që kanë problem me ligjin. “Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), gjatë ditëve të fundit, është duke u atakuar në mënyrën më të ulët nga përfaqësuesit politikë, përfshirë këtu edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, individë që kanë kaluar dhe janë duke kaluar nëpër procedura penale dhe nga grupet e interesit, ku, sipas tyre, Këshilli Prokurorial dhe bartësit e funksioneve prokuroriale janë ‘grup dhe kokë kriminale’”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Por e vërteta qëndron ndryshe, reagimet politike kundër kanë qenë fare të pakta, madje në kufijtë maksimal të tolerancës, por ashpërsia e kundërshtimit dhe reagimit ka ardhur nga shoqëria civile dhe zyrat diplomatike, nga ambasadat që tradicionalisht kanë punuar dhe janë munduar të kontribuojnë për të mirë në ngritjen e sistemit të drejtësisë në shtetin e Kosovës. Lidhur me këtë votim të KPK-së, janë shprehur të pakënaqur shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier si dhe OJQ-të në Kosovë. Madje tri organizata të shoqërisë civile që janë të akredituara dhe e mbikëqyrin së afërmi funksionimin e sistemit të drejtësisë, i kanë kërkuar presidentes të mos e dekretoj Isufajn për kryeprokuror të vendit, por ta detyroj KPK-n që të rishpall konkurs të ri, dhe deri në përzgjedhjen e kryeprokurit legal e legjitimi të emërohet një ushtrues detyre nga radhët e anëtarëve të KPK-së?

Se sa është në interes të grupeve të nëntokës kriminale, mbajtja nën kontroll e Prokurorisë dhe tërë sistemit të drejtësisë, më së miri flet ecuria nëpër të cilën kushte ka kaluar edhe përzgjedhje e Aleksandër Lumezit në këtë pozitë para 7 vjetësh kur ai e zëvendëson Ismet Kabashin . Në mars 2014, Këshilli Prokurorial kishte shpallur konkursin për Kryeprokuror të Shtetit. Më 6 qershor 2014, Këshilli Prokurorial i përbërë nga 7 anëtarë, me votim të fshehtë kishte zgjedhur për Kryeprokuror Aleksandër Lumezin. Prej 7 votave, ai ka siguruar 4 vota, ndërsa 3 vota kishte marrë kandidati tjetër Shyqyri Syla. Pas kësaj, më 5 gusht 2014, ishte pensionuar Kryeprokurori Ismet Kabashi. Në vend të tij, ishte zgjedhur ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryetarit të Këshillit, anëtari Sylë Hoxha. Ndërkohë, me pretendimin se u ishin shkelur të drejtat me rastin e kësaj zgjedhjeje, kandidatët Shyqyri Syla dhe Laura Pula ishin ankuar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit, në korrik 2014, kishte shpallur aktgjykim, përmes të cilit e kishte rrëzuar zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi. Në këtë aktgjykim, Gjykata Kushtetuese kishte dhënë udhëzimet se si duhet udhëhequr ky proces. Për ta vazhduar procesin, problematike ishte çështja e mandatit të dy anëtarëve Sevdije Morina dhe Jetish Maloku. Atyre u skadonte mandati më 8 mars 2015. Deri në skadimin e mandatit, ata kanë bërë përpjekje të mëdha, që procesi për Kryeprokuror të përfundonte. Por, kjo aso kohe ishte e pamundur, pasi në proces ishte edhe ndryshimi i Rregullores për Zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Meqë Kryeprokurori i Shtetit nuk mund të zgjidhej brenda mandatit të këtyre anëtarëve, ata kanë vendosur që të bënin kuorumin, dhe të votojnë për vetën e tyre, për t’ia vazhduar mandatin vetes deri në fund 2015, kohë kjo e mjaftueshme për ta zgjedhur Kryeprokurorin e Shtetit. Zgjatja e mandatit të tyre, edhe aso kohe kishte ngjallur reagime të shumta nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

Pas kësaj, Këshilli kishte shpallur sërish konkursin për Kryeprokuror. Kësaj gare ia mësynë gjashtë kandidatë. Në fund, kishte mbetur i vetmuar kandidati Aleksander Lumezi, pasi pesë kandidatët e tjerë, ishin tërhequr nga gara, me arsyetimin se procesi ishte i anshëm. Kjo situatë, kishte krijuar dy grupe brenda anëtarëve të Këshillit. Njëri grup, përkrahte vazhdimin e procesit të Kryeprokurorit, me vetëm një kandidatë në garë, që ishte në favor të zgjedhjes së kandidatit Aleksandër Lumezi. Ky grup përbëhej nga Sevdije Morina, Jetish Maloku, Idain Smailji dhe Bajram Uka dhe grupi tjetër që kundërshtonin vazhdimin e procesit me vetëm një kandidatë, që përbëhej prej Sylë Hoxhës, Florent Muqaj dhe Teki Bokshit.

Këshilli Prokurorial kishte vazhduar garën me vetëm një kandidatë, ku Aleksandër Lumezi ishte zgjedhur me 5 vota për dhe dy kundër, dhe ishte propozuar për dekretim. Skenar i ngjajshm po zhvillohet edhe tani, po tentohet përsëri që të nxirret fituese garda e vjetër. Edhe në këtë mandat të radhës të KPK-s, po tentohet të riciklohen dhe të sistemohen pikërisht figurat e vendosura me kohë nën kontroll dhe në interes të politikës dhe nëntokës kriminale, një element që po e kundërshton faktori ndërkombëtar, shoqëria civile dhe vetë koalicioni Qeverisës që e ka filluar reformë dhe po e shtyn përpara Ligjin e Vettingut. Nëse këto reagime te ndërkombëtarëve nuk na vetëdijsojnë që ta bëjmë përzgjedhjen sa ma të ligjshme, atëherë edhe vlera e ligjshmërisë së shtetit do të zverdhet, dhe do të vazhdoj me avazin e vjetër si deri më tani, por shtrohet pyetja si të lëvizet drejt shteteve të BE-së, kur ne nuk duan as këshilla nga ndërkombëtarët sikur për këtë rastin e Kryeprokurorit dhe përvojës që e patëm nga paslufta e deri tash. Shteti i Kosovës është shtet i ri që është ka nevojë për ndihma të ndërkombëtarëve, sepse pa ndihmën e tyre edhe sot nuk do të ishim shtet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".