Gjyqësori të pastrohet urgjentisht nga gjyqtarët e lidhur me krimin e organizuar

Gjyqësori të pastrohet urgjentisht nga gjyqtarët e lidhur me krimin e organizuar

Hajrullah Tërnava

  • 19 April 2022 - 07:53

Shkruan: ANALISTI-Hajrullah Tërnava

Marrë në përgjithësi institucionet të cilat e gëzojnë përkrahjen materiale sa iu përket pagave mujore të punonjësve të institucioneve të drejtësisë kosovare, janë në nivel superlativ, dhe mu këto institucione të drejtësisë kanë dështuar në ushtrimin e rolit të tyre ligjor dhe e kanë pru deri në këtë nivel të katandisje së shtetit, në gjendje të situatës kriminale në këtë vend.

-Me këtë sistem të drejtësisë të deformuar nuk mundë të shkohet përpara. Raportet e monitorimit po dalin vazhdimisht negative, prandaj po bëhet gjithnjë e më urgjente nevoja për ta reformuar , pastruar dhe rindërtuar. Kjo gjendje ekzistuese po e dëshmon se pa dyshim, dështimi i luftimit të krimit dhe korrupsionit nga institucionet e drejtësisë kosovare, është një hallkë e fortë e koordinuar ngushtë në mes të rrjetit të fuqishëm të krimit të organizuar dhe prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar. Përkundër kritikave dhe presionit të fuqishëm publik e mediatik, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit po vazhdon të mbetet njollë e madhe dhe vazhdimisht një segment i dështuar i sistemit të drejtësisë.

Edhe raporti i fundit i mbikëqyrjes së institucioneve të sundimit të ligjit nga Grupi për studime juridike dhe politike, luftimin e krimit dhe korrupsionit, pastrimin e parasë së piste dhe rastet e fajdeve, i vlerëson dështimet më të mëdha si raste serioze në gjykatat e Kosovës, lëndë këto që vazhdimisht barten nga viti në vit dhe nuk gjykohen. Si problematikë kryesore, sipas GLPS-së mbetet numri i madh i lëndëve të trashëguara për veprat penale korruptive, krim të organizuar dhe shpëlarje të parave në nivel vendi, e sidomos në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila edhe më tutje mban primatin me numrin më të madh të lëndëve të trashëguara në këtë drejtim.

Në raportin gjithëpërfshirës për vitin e kaluar, janar-dhjetor 2021 , thuhet se sa i përket lëndëve të korrupsionit, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special dhe Departamenti i Krimeve të Rënda, në vitin 2021 kanë pasur në punë 214 lëndë ndërsa kanë arritur të zgjedhin vetëm 40 lëndë të kësaj natyre, që do të thotë nuk kanë arritur që të zgjedhin as 1/5 e lëndëve që e kanë pasur në punë. Me numër më të vogël lëndësh janë edhe gjykatat tjera që po ashtu nuk kanë treguar as për së afërmi performancë pozitive në këtë segment.

Gjykata Themelore në Prizren ka zgjidhur 23 nga 43 lëndë që ka pasur në punë, Gjykata Themelore në Pejë ka zgjidhur 14 nga 33 lëndët që ka pasur aktive, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka zgjidhur 13 nga 48 lëndët aktive, Gjykata Themelore në Ferizaj ka arritur të zgjidh 10 nga 24 lëndët që ka pasur në punë, Gjykata e Gjilanit ka zgjidhur 16 nga 39 lëndët aktive kurse Gjykata në Gjakovë ka arritur të zgjidh 13 nga 22 lëndët që ka pasur në punë. Raporti konstaton se nga kjo analizë vërehet mes lëndë aktive dhe atyre që janë zgjidhur, Gjykata Themelore në Gjakovë ka pasur shkallë më të lartë të efikasitetit. Kurse, bazuar në të dhënat e monitorimit të GLPS, vitin 2022, gjykatave të shkallës së parë i janë trashëguar 294 lëndë të korrupsionit, duke mos përfshirë këtu lëndët e reja që po pranohen gjatë këtij viti.

Tani në bazë të këtyre numrave të lëndëve të pa kryera që llogariten se as gjysma e lëndëve që janë në pritje të zbardhjes, nuk janë të kryera në asnjë qendër komunale të drejtësisë, vetëm ky fakt flet mjaft si konstatim negativ i funksionimit të gjykatave në luftë kundër korrupsionit për amnistinë e para programuar që po ja bëjnë me vetëdije të plotë krimit të organizuar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Deri më tani është pritur mjaft, dhe tani po bëhet i domosdoshëm një sanksionim më i ashpër në vlerësimin e punës individuale të secilit gjykatës dhe prokurorë që kanë në trajtim rastet e tilla dhe të njëjtit të vlerësohen, të shpërblehen dhe ndëshkohen sipas rezultateve në lëndët që I trajtojnë. Dhe të mos avancohen me lidhje preferenciale sipas preferencave të grupeve të interesit dhe kriminale të cilave ju bëjnë mbrojtjen dhe avokatinë nga zyrat e shtetit. Është për tu habitur tani me këto institucionet tona të drejtësisë se si janë ashtu të pasuksesshme, që nuk mundë të zgjidhin lëndë të tera e sidomos kur nuk arrijnë as gjysmën e lëndëve të tyre ti zgjedhin, atëherë për çfarë efikasiteti duhet të flasim.

Në këto institucione të deritanishme duhet të veprohet në mënyrë të pamëshirshme që të largohen ata njerëz të dyshimtë që e kanë sjellë këtë situatë kolapsi, këtë gjendje të tanishme të pa shpresë, dhe ata të cilët nuk kanë treguar afinitet të punojnë në mënyrë efikase, duhet sa më parë të largohen nga ato vende të punës sepse me ato rroga jo të vogla do të gjenden gjykatës-gjykatëse të rinj dhe të shkolluar, të cilët do ti kryejnë lëndët në afate të parapara dhe në numër shumë më të lartë se që janë këta numra të pazgjedhur. Nuk duhet lejuar që në këto institucione të drejtësisë të paguhen njerëzit kot së koti me pagat më maksimale, më të larta në vend, për ato kontribute aq të vogla, minimale, për shkak të papërgjegjësisë dhe neglizhencës në punën e tyre.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".