Pingpong në gjyqësorin e kontrolluar prej krimit, aferat me tjetërsim pronash në Prishtinë përfundojnë me afate të parashkrimit!

Pingpong në gjyqësorin e kontrolluar prej krimit, aferat me tjetërsim pronash në Prishtinë përfundojnë me afate të parashkrimit!

Gani Qarri

  • 19 April 2022 - 07:37

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Nuk ka asnjë dyshim se të njëjtin fat të abuzimit me gjykime të tilla e të ngjashme skandaloze, e kanë dhe mund ta kenë edhe dhjetëra raste të tjera në pritje të përfundimit të hetimit, ngritjes së aktakuzave dhe marrjes së vendimit të gjykatave, të cilat ndërlidhen me 9 vite mandate të qeverisjes së Shpend Ahmetit nën ombrellën e mafio-politikës dhe bashkëpunimit me rrjetet më të fuqishme të krimit të organizuar të involvuara në tjetërsimin e pronave publike, të dhuruara kompanive të ndërtimit.

-Se deri ku kanë arritur skandalet e gjyqtarëve të kapur e të korruptuar, e dëshmoi më së miri rasti të premtes së15 prillit të këtij viti, kur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, vetëm 25 ditë para parashkrimin absolut të ndjekjes penale ish-zyrtari komunal Shiqeri Spahiu dhe ish-shefi i Kadastrit në Komunën e Prishtinës, Ramush Thaçi janë shpallur fajtorë për korrupsion. Madje gjykatësi i rastit Avni Syla, inskenoi edhe njëfarë lloj dënimi ndaj tyre me nga një vit burgim, por duke ua mundësuar, që vetëm me afatin e paraparë ligjor për ankesë, aktakuza penale ndaj të pandehurve, të parashkruhet dhe të bie nga fuqia e të mos ketë më mundësi zbatimi.

Mjerisht skandale të tilla makabre të cilat po luhen nga (pa)drejtësia në Prishtinë flasin hapur se gjykimet ndaj njerëzve të fuqishëm, po parapërgatiten me metoda të atilla keqpërdorimi, sa që, pa ndërmarrë asgjë tjetër, të dënuarve tu mjaftojë vetëm shfrytëzimi i të drejtës ankimore, për të arritur afatin e parashkrimit të lëndës dhe aktakuza kundër tyre, të bie nga fuqia e dal jashtë mundësisë ligjore për tu zbatuar dënimi.

Ndaj me plotë të drejtë lind pyetja se edhe çfarë skandalesh tjera duhet të ndodhin në proceset gjyqësore për korrupsion dhe krim të organizuar në këtë vend, sikur që po ndodhë me rastin e ish zyrtarëve të komunës së Prishtinës, për tu dëshmuar se kemi një gjyqësor thellësisht të kapur e të korruptuar, e të vënë kryekëput në shërbim të plotë të krimit të organizuar.Montim kriminal i rastit në fjalë dëshmon katërçipërisht se edhe shumë raste të tjera të tilla dhe të ngjashme ndër vite e vite, mund të jenë parashkruar dhe kurdisur në këtë mënyrë, vetëm e vetëm, që të mos mund të zbatohen as dënimet e shqiptuara nga gjykatat.

Procesi i lartcekur skandaloz ka ndodhur ditën e premte pikërisht në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kur vetëm 25 ditë para parashkrimit absolut të ndjekjes penale ish-zyrtari komunal Shiqeri Spahiu dhe ish-shefi i Kadastrit në Komunën e Prishtinës, Ramush Thaçi janë shpallur fajtorë për korrupsion dhe dënuar me nga një vit burgim! Por vendimi dënues ndaj Shiqeri Spahiut dhe Ramush Thaçit, i shpallur të premten me nga një vit burgim nga gjykatësi i rastit, Avni Syla, ligjërisht do të mund të “ekzekutohej” vetëm pas marrjes së plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Mirëpo, dënimet ndaj të akuzuarve në fjalë, as që mund të ekzekutohen, për vet faktin se më 10 maj të këtij viti, pritet të arrij afati i parashkrimit të lëndës për ndjekjen penale ndaj tyre. Sipas aktakuzës së përpiluar më 9 gusht të vitit 2016, të dy të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë bashkërisht kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i tejkaluar ato me qëllim që t’i shkaktojnë dëm tjetrit.

Shiqeri Spahiu prej dhjetorit 2008, si drejtor i Drejtorisë për Kadastër e Gjeodezi dhe Ramush Thaçi prej vitit 2010, si shef i Sektorit për Kadastër në Komunën e Prishtinës, jashtë autorizimeve të tyre zyrtare, kanë ndërruar titullarët e pronave në aparatin kadastral duke iu referuar dokumenteve të rrejshme. Sipas aktgjykimit C.nr.395/96 i 21 të shkurtit 1997, thuhet se prej të dëmtuarit KBI “ Kosova Export – NSH Bujqësia” në Fushë Kosovë, janë bartur 10.12.53 hektarë tokë, me numër kadastral 1536/1, Zona Kadastrale Uglar-Prishtinë, tek Marko Mitroviq, si shitës të pronave me blerës të tyre. Kurse për të ardhur deri te kjo situatë e zvarritjes dhe improvizuar një gjykim të tillë makaber, mu në prag të parashkrimit të lëndës, është luajtur një skenar shumë i pistë, duke nisur të gjykohej fillimisht nga gjykatësi tani i ndjerë Shashivar Hoti, për të kaluar te gjykatësi Lutfi Shala, ndërsa me avancimin e tij në Departamentin Special, rasti në fjalë i ishte ndarë gjykatësit Avni Syla.

Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha vonesat e zvarritjet disa vjeçare, pas pranimit të kësaj lënde, gjykatësi Avni Syla më 16 shkurt 2021 e kishte pushuar tërësisht procedurën penale ndaj të akuzuarve Spahiu dhe Thaçi, duke konsideruar se gjoja më 31 dhjetor 2020, kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale ndaj tyre. Mirëpo, ndaj këtij vendimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte parashtruar ankesë në gjykatën e Apelit, me pretendimin se gjykata e shkallës së parë ka gabuar datën e kryerjes së veprës penale, e cila sipas prokurorisë, ka ndodhur më 10 maj 2012 dhe se parashkrimi absolut, i paraparë në afatin prej dhjet vitesh, arrihet vetëm më 10 maj të vitit 2022. Prandaj Gjykata e Apelit me qëllim të qartësimit dhe vërtetimit të fakteve vendimtare, më 26 shkurt të vitit 2021 e ka aprovuar si të bazuar ankesën e prokurorisë dhe e ka kthyer lëndën në rivendosje. Por siç dihet tanimë nga mbarë opinioni në vend, procesi i lartcekur skandaloz, u parapërgatit në atë mënyrë nga gjykatësi Avni Syla, sa që në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjykimi të mbahej vetëm 25 ditë para parashkrimin absolut të ndjekjes penale, të ish-zyrtarëve komunal, Shiqeri Spahiu dhe ish-shefi i Kadastrit në Komunën e Prishtinës, Ramush Thaçi, në mënyrë që, për shkak të plotësimit të afatit për parashkrim të lëndës, vendimi i gjykatës, të mos mund të zbatohej kurrë.

Pra ky është vetëm një rast i identifikuar që flet më së miri publikisht, se sa perfide është lidhja e gjyqësorit të kapur e të korruptuar me rrjetet kriminale dhe nëntokën e krimit të organizuar. Nuk ka asnjë dyshim se të njëjtin fat të abuzimit me gjykime të tilla e të ngjashme skandaloze, e kanë dhe mund ta kenë edhe dhjetëra raste të tjera në pritje të përfundimit të hetimit, ngritjes së aktakuzave dhe marrjes së vendimit të gjykatave, të cilat ndërlidhen me 9 vite mandate të qeverisjes së Shpend Ahmetit nën ombrellën e mafio-politikës dhe bashkëpunimit me rrjetet më të fuqishme të krimit të organizuar të involvuara në tjetërsimin e pronave publike, të dhuruara kompanive të ndërtimit. Prandaj ky rast model dhe dhjetëra e dhjetëra raste të tjera të abuzimit të drejtësisë, flasin më së mirë për urgjencën e spastrimit me finalizimin sa më parë, të ligjit të Vettingut, i cili është shpëtimi i vetëm për daljen nga skandale të tilla të kundërligjshme në Prishtinë dhe gjithë Republikën e Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".