Qeveria Kurti po e paguan haraçin e fillimit mbrapsht të dialogut me Serbinë nga Hashim Thaçi në dekadën e kaluar

Qeveria Kurti po e paguan haraçin e fillimit mbrapsht të dialogut me Serbinë nga Hashim Thaçi në dekadën e kaluar

Gani Qarri

  • 27 May 2022 - 07:46

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Zgjidhja më e mirë për shtetin e pavarur të Kosovës, dhe integrimin e pakicës serbe në vend, do të ishte komunikimi i drejtpërdrejtë me ta, në vendbanimet ku jetojnë pjesëtarët e këtij komuniteti pakicë, për tu njohur nga afër me kërkesat e kushtet e jetesës dhe marrë informatat nga dora e parë, drejtpërsëdrejti prej tyre, për hallet që ata i preokupojnë, e jo të veprohet edhe sot, njëjtë si në kohën e kuislingut Thaçi, kur ai pyeste Vuçiqin në Beograd, për hallet e serbëve në Kosovë.

Hashim Thaçi duke pasur paraprakisht për qëllim faljen e veriut të vendit tonë, Serbisë hegjemoniste, për dy dekada me radhë, e mbajti situatën më tepër artificialisht të dramatizuar, duke marrë informatat nga Vuçiqi në Beograd, se çfarë po ndodhë në veri të Kosovës, kurse kooketimin në korrupsion e krim të organizuar me bandat kriminale të Zvonko Veselinoviqit e Milan Radojçiqit, derisa edhe vet SHBA i futën në listën e sanksioneve, ai me shokët komandantë, nuk i kanë ndaluar kurrë dhe asnjëherë. Madje komunikimi i drejtpërdrejtë me pakicën serbe, do të ndikonte në qetësimin edhe më tepër të gjendjes, në këtë pjesë të vendit tonë si dhe do ti ndihmonte institucionet e shtetit, që edhe kërkesat që ka ky minoritet, ti merrnin direkt nga tereni, që do të ishte ndihmesë e madhe për këndvështrimin dhe trajtimin më adekuat e të shpejtë të tyre.

Me pjesëtarët e pakicës serbe, si qytetar të Republikës së Kosovës, duhet të bisedohet hapur e pa ekuivokë dhe drejtpërsëdrejti, si për situatën në vend, zhvillimet që mbi 10 vite me radhë, kanë ndodhur në dialog, marrëveshjet që janë arritur dhe kërkesat e pjesëtarëve të këtij minoriteti që mund të adresonin ata vet, për integrimin e tyre, pa ndërhyrjet e Vuçiqit, Vulinit, Petkoviqit, apo cilitdo ministër të Serbisë që jeton në Beograd, dhe të ardhmen e fëmijëve e ka në Serbi, përderisa pakica serbe këtu, jeton bashkë me qytetarët e tjerë të Kosovës. Prandaj, propozimi i cili aktualisht vjen nga shoqëria civile dhe ekspertët e fushës së politikës për intensifikimin e zhvillimit të dialogut të brendshëm me pjesëtarët e komunitetit pakicë, në vend të tryezave e takimeve të dështuara me palën serbe nga Beogradi, është shumë i drejtë dhe plotësisht me vend, si mënyra më e mirë, për zgjidhjen konkrete të çështjeve të brendshme të shtetit të Kosovës.

Kjo për vet faktin se, që nga fillimi i bisedimeve me këtë shtet okupator, roli i Serbisë është treguar gjithmonë imponues, abuziv dhe aspak konstruktiv, ndaj edhe pse tanimë kemi hyrë në dekadën e dytë të dialogut, nuk ka pasur, pothuajse asnjë përparim në dialogun Kosovë-Serbi, pavarësisht presionit dhe ndërmjetësimit 11 vjeçar edhe nga zyrtar të lartë të BE-së. Kështu që nga ekspertët e kësaj fushe, njohës të këtyre zhvillimeve politike dhe shoqëria civile e Kosovës, me të drejtë, po i kërkohet Qeverisë së re, që ta ndryshojë kursin e deritashëm dhe të fillojë dialogun e brendshëm me komunitetin serb, që edhe ky minoritet të integrohet në realitetin e krijuar, kur dihet mirëfilli se ligjet dhe Kushtetua e Republikës së Kosovës, u garanton atyre perspektivë e zhvillim dhe avancimin e të gjitha të drejtave të garantuara me kushtetutën e vendit dhe konventat ndërkombëtare.

Strategjia e re e qasjes ndaj pozitës së pakicës serbe përveçse është një zotim i kahershëm i kryeministrit Kurti, vlerësohet se do të lehtësonte edhe integrimin, do të kuptohej më qartë dhe drejtpërsëdrejti prej vet atyre, se çka do të përmbante edhe marrëveshja finale për normalizimin e marrëdhënieve, e cila do të ishte e dobishme edhe për vetë komunitetin. Në një debat të organizuar nda KDI, me ekspertët e kësaj fushe, u tha se sidomos në dy vitet e fundit, vazhdon të ketë vetëm bllokim dhe s’ka pasur asnjë progres në dialog, megjithëse janë organizuar takime të shpeshta, ato kanë rezultuar të pa efektshme, prandaj është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të fillojnë një dialog të brendshëm, serioz e të mirëfilltë me qytetarët e komunitetit serb, duke kërkuar nga SHBA dhe BE, që të mos e lejojnë përzierjen e mëtejme të Serbisë në çështjet dhe rregullimin e brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës. Komunikimi i drejtpërdrejtë me pjesëtarët e pakicës serbe, në vendbanimet ku ata jetojnë, do ti ndihmonte institucionet e shtetit të mësonin direkt mbi kërkesa dhe këndvështrimet e tyre, si dhe do tu shpjegohej nga dora e parë,serbëve të Kosovës, se çfarë ka ndodhur në dialog, marrëveshjet që janë arritur dhe zbatimi i tyre, e jo të veprohet edhe sot, njëjtë si në kohën e kuislingut Thaçi, i cili, duke pasur për qëllim, faljen e veriut, Serbisë hegjemoniste, nuk fliste me serbët në Kosovë, por me Aleksandër Vuçiqin në Beograd të Serbisë.

Kështu që, duke pasur parasysh faktin se shoqëria civile vendore por edhe ndërkombëtarët vazhdimisht kanë tërhequr vërejtjen se në dy vitet e fundit dialogu Kosovë-Serbi ka pasur stagnimin më të madh që nga fillimi i tij, edhe pse kishte disa takime mes palëve, që nga marrëveshja e vitit 2020 në Uashington, nuk ka pasur më asnjë marrëveshje të re, ndaj duke pasur përsysh faktin se kjo bënë që të mbesin shumë çështje të pazgjidhura të cilat prekin direkt edhe jetën e qytetarëve, mënyra më e mirë për rrugëdalje nga kjo “Status-quo”, është të fillojë zhvillimi i dialogut të brendshëm, drejtpërsëdrejti me pjesëtarët e pakicës serbe si qytetarë luajal të shtetit të pavarur të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".