Presioni ndërkombëtar mbi Serbinë, nën hijen e konfliktit ruso-ukrainas, do të ndikojë në arritjen më të shpejtë të marrëveshjes për njohje dhe normalizim me shtetin e Kosovës

Presioni ndërkombëtar mbi Serbinë, nën hijen e konfliktit ruso-ukrainas, do të ndikojë në arritjen më të shpejtë të marrëveshjes për njohje dhe normalizim me shtetin e Kosovës

Gani Qarri

  • 26 May 2022 - 09:29

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Pas letrës së fundit nga Presidenti i SHBA-ve Joe Biden dërguar kreut të shtetit të Serbisë Aleksandër Vuçiqi, dhe kërkesës së drejtpërdrejtë që i bëhet atij për ti normalizuar raportet me Kosovën, në javën e parë të Qershorit vendet e Ballkanit perëndimor, përfshirë edhe Serbinë, do ti vizitojë Kancelari gjerman Olaf Scholz.

Siç shprehet edhe vet kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz tanimë jo vetëm që është koha, por edhe BE, ka marrë përsipër që ti kryej detyrimet e veta para vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndaj dhe kancelari gjerman Scholz, si përfaqësuesi i vendit më të fuqishëm të Bashkimit Evropian, gjatë fjalimit të tij, para 4-5 ditësh në Bundestag (Parlamenti i Gjermanisë) deklaroi që udhëton për vizitë në rajon me premtimin e qartë në bagazh se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian”! Për aq më tepër kreu i Qeverisë së shtetit më të fuqishëm të Bashkimit Evropian, ka shtuar se tashmë është koha që Brukseli të ketë angazhim të shtuar dhe më serioz për anëtarësim të suksesshëm të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi, në Unionin e BE-së, që aktualisht, ka 27 vende anëtare.

Kështu që presioni i shtuar ndërkombëtar mbi Serbinë, nën hijen e konfliktit ruso-ukrainas, nëse vërtet zhvillohet me vendosmëri, dhe në mënyrë të koordinuar nga vendet e BE-së dhe SHBA, medoemos do të ndikojë në arritjen më të shpejtë të marrëveshjes, ndërmjet të dy vendeve, për të cilën sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, njëherësh kryesues i ekipit negociator të Kosovës, po përmenden dy afate kohore- 16 apo më së largu 24 muajt e ardhshëm. Nga data 10 deri më 14 qershori kancelari gjerman Scholz pritet të zhvilloj një turne për ti vizituar vendet e Ballkanit, Serbinë, Kosovën Malin e Zi Shqipërinë dhe Maqedoninë, vizitë e shpejtë që vet kancelari e ka paralajmëruar si agjendë me prioritet, me qëllim të përshpejtimit të procesit të integrimit të këtyre vendeve në BE, siç u shpreh ai edhe në fjalimin e tij të fundit para Bundestagut gjerman.

Për aq më tepër, Scholz ka thënë se ai do angazhohet personalisht, duke udhëhequr bisedime e duke bërë hapa, për të arritur qëllimin, që edhe BE, nga ana e saj, përfundimisht ti heq pengesat e fundit burokratike nga rruga, me ç ‘rast do ta ringjallim edhe “Procesin e Berlinit” i cili forcon bashkëpunimin rajonal të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor…duke anashkaluar tërësisht “mini-jugosllavinë” e binomit Ramoviq- Vuçiq. Prandaj kancelari i Gjermanisë, kërkoi që BE-ja, ti mbaj premtimet dhe kryej punët e veta, ngase mbajtja e premtimeve të dhëna nga ana jonë për ta, nuk është më, çështje vetëm e besimit tonë, por sot më shumë se kurrë më parë, qëndron integrimi i tyre në interesin tonë strategjik.

Pasi që tanimë nuk bëhet më fjalë, vetëm për sigurinë e atij rajoni, ku fuqi të jashtme, si Rusia dhe Kina duan të shtrijnë me çdo mjet dhe mënyrë, ndikimin e tyre, por çështja është se pa një Ballkan Perëndimor evropian e stabil, as vet ne, në BE, nuk mund të kemi jetë të qetë, zhvillim as stabilitet”, ka deklaruar kancelari gjerman. Vizita e kancelarit gjerman, në qershor, ishte paralajmëruar nga vet Olaf Scholz edhe në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Berlin, më 4 maj, kurse pas eskalimit të agresionit ushtarak rus në Ukrainë, përveç Gjermanisë dhe SHBA-ve, proces të përshpejtuar të arritjes së marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës, po kërkon edhe Mbretëria e bashkuar, gjë që e ka konfirmuar edhe Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Dhe siç shprehen nga Mbretëria e Bashkuar është me shumë rëndësi që të shfrytëzohet periudha kohore prej 18 deri 24 muajsh kohë kur nuk ka procese zgjedhore që janë me rëndësi në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe as në dy shtetet që janë të përfshirë në bisedime, në mënyrë që sa më shpejt të arrihet marrëveshja finale synimi i të cilës, ashtu siç ka filluar ti thuhet drejtpërsëdrejti edhe Serbisë së Vuçiqit, është njohja reciproke, që do të thotë, njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Serbia.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".