Lexoni edhe:
Liberalizimi i vizave për Kosovën është i mbështjell në mjegull të madhe të paqartësisë dhe kushtëzimeve politike, pritje skeptike për vitin në vazhdim
Shkruan:ANALISTI – Gani Qarri
Mjerisht spektaklet dhe aventurat kundërligjore, janë kthyer në sport të preferuar të prokurorive dhe gjykatave të Kosovës dhe duket se as që kanë të ndalur, ndaj dhe është vërtetë shumë dekurajuese dhe tepër e dëmshme për vet efikasitetin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit në vend, që përveç marifeteve tjera, të futet edhe praktika e marrëveshjes me të akuzuarit për pranimin e fajësisë, në këmbim të zbritjes së dënimit, deri në minimum apo edhe falje të tërësishme të të akuzuarve, që dyshohet se në këmbim të parave, tashmë po zbatohet lirisht në gjykatat tona.
-Një proces i tillë gjyqësor, me lojë pazaresh, vërehet së fundi edhe me të akuzuarit për dallavere me subvencionet e shtetit në bujqësi, në Gjykatën themelore të Prishtinës, në seancën e zhvilluar së fundi më 2 qershor, ku Gjykata e ka shpallur fajtor dhe dënuar me vetëm 6 muaj burgim të akuzuarin Fuat Morina për veprën penale “Mashtrimi me subvencione”, dënim i cili në marrëveshje me te, dhe pëlqimin e tij do t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 5 mijë eurove!?.
Kjo edhe përkundër faktit se, përveç konfiskimit të 27 mijë eurove, i akuzuari Fuat Morina, obligohet që Qeverisë së Kosovës t’ia kthejë shumën prej 109 mijë e 520 euro. Për aq më tepër, i akuzuari Morina megjithëse fajësohet për përvetësimin e kundërligjshëm të rreth 110 mijë eurove subvencione të shtetit të Kosovës, pasi ka pranuar fajësinë sipas marrëveshjes me gjykatën, në seancën e mbajtur më 1 qershor 2022, është dënuar vetëm me 6 muaj me të drejtë të kompensimit me vetëm 5 mijë euro. Kurse 13 të akuzuarit tjerë; Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj, çuditërisht janë deklaruar të pafajshëm. Madje Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte aranzhuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë edhe me 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”!. Ndaj në seancën e 15 Prillit dhe 1 qershorit, të akuzuarit; Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, sipas marrëveshjes së arritur paraprakisht në pazaret e Gjykatës me të akuzuarit, kundër tyre janë duke u shqiptuar dënime simbolike.
Kurse ndaj Albanit Bushatit për veprën penale ‘marrje ryshfeti’ dhe ‘falsifikim të dokumenteve’, prokuroria ka rekomanduar burgim efektiv në kohë prej 2 vite deri në 2 vite e 4 muaj si dhe 500 euro gjobë, ndërsa për falsifikim të dokumenteve 1 deri në 3 muaj burgim, ashtu që të njëjtit t`i shqiptohet dënim unik nga 2 vite deri në 2 vite e 6 muaj dhe 500 euro gjobë. Ndaj Kastriot Berishës, Bekim Shalës, Flamur Zeqirit për veprën penale ‘mashtrim me subvencione’, prokuroria i ka rekomanduar gjykatës që t’iu shqiptohet secilit dënim me nga 1 vit deri në 1 vit e dy muaj burgim. Ndërsa Dukagjin Mavrajt për veprën penale ‘mashtrim me subvencione’, prokuroria ka rekomanduar që t`i shqiptohet dënim me burgim nga 4 muaj deri në 6 muaj. Habibe Dautit për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, prokuroria ka propozuar që t’i shqiptohet 1 vit burgim efektiv si dhe dënimi plotësues për ndalim të ushtrimit të funksioneve në organet publike në kohën prej 1 deri në 2 vite. E ndaj Daut Kabashit për veprën penale ‘dhënia e ryshfetit’, prokuroria ka rekomanduar dënimin me burgim prej 6 muaj, kështu që më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë. Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, Habibe Dauti për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, Alban Bushati për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi. Aktakuza e ndryshuar e 4 prillit 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pika e parë, i ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Berat Nikën, Alban Bushatin dhe Salih Kelmendin se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “marrje ryshfeti” nga neni 421, par 3 lidhur me par.2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Në aktakuzë thuhet se nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021, në Prishtinë dhe në Pejë, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë; Luan Statovci- drejtor për Pagesa Direkte, Sadat Shkodra- zyrtar për Pagesa Direkte, Berat Nika – zyrtar për Pagesa Direkte nga AZHB, Alban Bushati- zyrtar Administrativ në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Pejës dhe Salih Kelmendi– inspektor i Tregut në Komunën e Pejës, kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar dhe në kundërshtim me ligjin, kanë kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, ryshfet nga Bekim Shala në vlerë prej 126 mijë eurove, prej të cilit dhe kanë arritur të marrin ryshfet në vlerën prej 92 mijë e 500 euro. Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht Shala më 23 korrik 2020 ka aplikuar në Komunën e Pejës për të përfituar subvencion, pas një kohe ai takohet me të akuzuarit Bushati dhe Kelmendi e pastaj në Istog takohet me të akuzuarit Nika dhe Shkodra, ku kanë vizituar pronat e të njëjtit dhe më pas të njëjtit kanë arritur marrëveshje të kundërligjshme, që të ndryshojnë aplikimin nga kultura grurë dhe misër në bimë mjekësore aromatike.
Ndaj më 26 gusht 2020, Shala sipas marrëveshjes aplikon për subvencione edhe në emër të gruas së tij Arinda Seferi për të njëjtën kulturë edhe pse ajo nuk ka pasur të mbjellë fare këtë kulturë, në mënyrë që nga paratë e marra në emër të subvencioneve shtesë, mese 70%, t’i marrin të pandehurit në emër të ryshfetit dhe vetëm 30% Shala. Sipas aktakuzës i akuzuari Luan Statovci, është qasur personalisht në lëndët e Shalës dhe bashkëshortes së tij, duke i dërguar të gjitha shkresat e kopjuara te vëllai i tij Salih Statovci, ku në bazë të këtyre të dhënave janë nxjerrë certifikatat nga kompania “Bio-Q-Check” në emër të Shalës dhe Arlinda Seferit në mënyrë të kundërligjshme pa pasur të mbjellë fare bujqësi organike. Dhe siç ceket në aktakuzë, pas kësaj, i akuzuari Luan Statovci ka kërkuar në mënyrë të tërthortë, ryshfet përmes të akuzuarit Shkodra dhe pasi është arritur marrëveshja e plotë, e ka përfshirë në listën e pagave lëndën, me ç’rast AZHB ka ekzekutuar pagesat e subvencioneve , ndërsa pas ekzekutimit të subvencioneve, Shala i ka tërhequr ato dhe ua ka dorëzuar të akuzuarve Kelmendi dhe Bushati, shumën prej 92 mijë e 500 euro.
Kurse të akuzuarve Shkodra dhe Nika ua ka dorëzuar shumën prej 55 mijë e 475 euro, dhe këta të fundit i ndajnë me të akuzuarin Luan Statovci në Prishtinë në tri pjesë nga 18 mijë e 491 euro. Kështu që duke pasur parasysh të gjitha këto dallavere, Ministria e Drejtësisë dhe të gjitha segmente përkatëse ligjore, duhet zhvilluar një hetim urgjent, për të detyruar prokurorinë dhe gjykatat, që të zbatojnë ligjin me procese normale gjyqësore, dhe të mos lejojnë negociata korruptive e kriminale me të dyshuarit, në mënyrë që në vend të dënimit të merituar, të bëjnë marrëveshje me të inkriminuarit, që në këmbim të përfitimive monetare, t`ua lehtësojnë, apo edhe falin tërësisht dënimin, për veprat kundërligjore të abuzimit dhe zhvatjes së buxhetit të shtetit të Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".