Shteti i varfëruar nga zhvatja e buxhetit prej lidhjeve mafioze me vendime të gjyqësorit të korruptuar!

Shteti i varfëruar nga zhvatja e buxhetit prej lidhjeve mafioze me vendime të gjyqësorit të korruptuar!

Gani Qarri

  • 31 August 2022 - 19:47

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Është mese e domosdoshme që vetë Ministria e drejtësisë të nxjerr një udhëzim të brendshëm administrativ, në formë të qarkores, në mënyrë që të paralajmërohen të gjitha instancat lokale e qendrore, për hetimin e tyre dhe përgjegjësitë që do të pasojnë, për mënyrën e sjelljes së vendimeve të cilat mundë të bien ndesh me ligjin, të orkestruara dhe të montuara në bashkëveprim me grupet mafioze të interesit dhe krimit të organizuar, për të zhvatur sa më thellë buxhetin e shtetit, duke dërguar qëllimisht rastet në gjykatë, për të përfituar e ndarë tallin së bashku me nëntokën e krimit të organizuar në vend.

-Mjerisht buxheti i shtetit të Kosovës,po vijon të zhvatet në mënyrë të hapur, nga nëntoka kriminale, nëpërmes vendimeve të montuara gjyqësore të cilat aranzhohen nga krimopolitika, gjykatat e kapura dhe prokuroritë e korruptuara e të nënshtruara ndaj krimit të organizuar, duke shqiptuar në bashkëkoordinim të vazhdueshëm, dënime me shuma marramendëse ndaj institucioneve të shtetit dhe bërë kështu pjesë e zhvatjes së organizuar të buxhetit të vendit.

Sipas raportit gjashtë-mujor financiar të Thesarit të Buxhetit të Kosovës, del se vetëm për pagesa të vendimeve të plotfuqishme gjyqësore, institucionet publike kanë shpenzuar hiq më pak se 20 milionë e 753 mijë euro, raport ky që ju referohet vetëm të dhënave të 6 mujorit të pjesës së parë të këtij viti, pra janar-qershor 2022, kohë kjo kur institucionet e Kosovës, përfshirë edhe komunat e vendit, kanë shpenzuar mbi 20 milionë e 700 mijë euro, që donë të thotë, 3 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit 2021, vetëm për procese gjyqësore.

Ndërsa në krye të listës me shpenzimet më të larta është Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ministri kjo që udhëhiqet nga ministri, Librun Aliu, pra vetëm Ministria e Liburn Aliut, për gjashtë muaj, ka paguar gati 3 milionë euro pagesa për vendimet gjyqësore të cilat janë trashëguar në procedurat nga mandati i kaluar, kurse listës me shpenzimet më të larta i prin Ministria e Drejtësisë me 267 mijë euro, Ministria e Financave, 74 mijë euro, ministria e Bujqësisë, 57 mijë euro etj.

E ngarkuar me gjoba të ndryshme gjyqësore është edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila përderisa vitin e kaluar, ka paguar vetëm 800 mijë euro, në 6 mujorin e parë të këtij viti, janë regjistruar hiq më pak se,1 milionë e 500 mijë euro të paguara nga SHSKUK. Për aq më tepërt, pre e zhvatjes galopante të buxhetit të shtetit, përmes vendimeve të dyshimta gjyqësore janë edhe komuna e Kosovës, e në listën e komunave me më së shumti shpenzime për pagesa të vendimeve gjyqësore del të jetë Komuna e Ferizajt, e dyta Mitrovica, pastaj Gjilani, Drenasi dhe Komuna e Prishtinës.

Komuna e Ferizajt, për pagesa në emër të aktvendimeve të plotfuqishme gjyqësore dhe të rasteve të ndryshme në konteste gjyqësore të cilat janë humbur nga ana e Komunës, ka paguar 3 milionë e 139 mijë euro. E dyta vije komuna e Mitrovicës e cila, po ashtu nga humbja e rasteve të padive nëpër gjykata ka humbur shuma të konsiderueshme të mjeteve të buxhetit duke paguar mese 2 milionë e 172 mijë euro.

Gjilani renditet i treti me 1 milion e 955 mijë euro, Komuna e Drenasit e katërta me 1 milion e 328 mijë euro nga 200 mijë që kishte paguar vitin paraprak, përderisa Komuna e Prishtinës ka paguar 1 milionë e 320 mijë euro nga 871 mijë euro, sa kishte paguar vitin e kaluar.Prej komunave që ka shpenzuar më së paku në emër të vendimeve gjyqësore nëpër gjykata është Komuna e Dragashit me vetëm 47 euro!. Sipas raportit të Lëvizjes Fol, Institucioni i Avokaturës Shtetërore në vitin 2022, është angazhuar në 3 mijë e 417 lëndë të reja gjyqësore, apo 1 mijë e 237 lëndë më shumë se në vitin 2021, ndërsa nga 1,584 aktgjykime, sipas raporti të FOL, i ka fituar vetëm 681 raste, kurse 672 i kishte humbur.

Gjatë kësaj periudhe ishin sjellë edhe 138 vendime nga procedurat e shpronësimit (vlera totale e të cilave ishte 22,253,219.69 €) dhe 83 vendime të përmbarimit (me vlerë prej 2,948,687.17 €). Nga këto përfaqësime, institucionet e Republikës së Kosovës kishin fituar gjithsej 5,579,530.99 €, ndërkaq shuma e paguar nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës palëve që kanë pasur sukses në kontestet gjyqësore në vitin 2021 ishte 2,139,988.49€”, thuhet në raportin me titulli: Performanca e Avokaturës Shtetërore gjatë vitit 2021. Buxhetit të shtetit i kanë kushtuar shumë edhe emërimet e shkarkimet e bordeve, sidomos ato të personave përgjegjës, të cilat kanë bërë që të rriten edhe lëndët në gjykata, prej të cilave buxheti i shtetit është dëmtuar me 325 mijë euro.

Pra “178 vendime të sjella nga këto lëndë, gjatë periudhës janar-tetor 2021, ishin në lidhje me kontestet e punës, e me theks të veçantë për shkarkimet e padrejta të të punësuarve në institucionet publike. Vlera e fituar e institucioneve shtetërore veçanërisht nga kontestet e punës ishte 120,300.11 €, ndërsa vlera e humbur ishte dyfish më shumë, përkatësisht 325,389.99”, thuhet në raport, edhe Qeveria e Kosova gjatë vitit 2021 është përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore në 5 mijë e 310 seanca gjyqësore.

Është mese e domosdoshme që vetë Ministria e drejtësisë të nxjerr një udhëzim të brendshëm administrativ, në formë të qarkores, në mënyrë që të paralajmërohen të gjitha instancat lokale e qendrore, për hetimin e tyre dhe përgjegjësitë që do të pasojnë, për mënyrën e sjelljes së vendimeve të cilat mundë të bien ndesh me ligjin, të orkestruara dhe të montuara në bashkëveprim me grupet mafioze të interesit dhe krimit të organizuar, për të zhvatur sa më thellë buxhetin e shtetit, duke dërguar qëllimisht rastet në gjykatë, për të përfituar e ndarë tallin së bashku me nëntokën e krimit të organizuar në vend.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".