Shteti është si një pasqyrë para së cilës nuk mundë ta fshehish shkëlqimin as dështimin në ballafaqim me krimin!

Shteti është si një pasqyrë para së cilës nuk mundë ta fshehish shkëlqimin as dështimin në ballafaqim me krimin!
Shteti është si një pasqyrë para së cilës nuk mundë ta fshehish shkëlqimin as dështimin në ballafaqim me krimin!

Dr. Hysni Aliu

  • 31 August 2022 - 13:43

Shkruan: Dr. Hysni Aliu

Në shkrimin e kaluar shkrova për shtet ndërtimin dhe pengesat që po i bëjnë këtij shtet ndërtimi pikërisht shqiptarët që me vetëdije apo pa të po i shërbejnë Serbisë dhe Vuçiqit.

Jam ndër të rrallët analist në të gjitha trojet shqiptare që kurrë në jetën time nuk kam qenë anëtar i ndonjë partie politike e as nuk jam, dhe që kurrë në jetën time nuk kam shkruar e as nuk shkruaj për ndonjë kompensim material apo të llojit tjetër. Kurrë në jetën time nuk e kam përfituar as edhe një cent të vetëm nga ndonjë individ apo parti politike në Kosovë apo jashtë saj, kurrë në jetën time nuk i kam shërbye e as nuk i shërbej ndonjë shërbimi të huaj apo vendor.

Si rrjedhojë, jam aq i pastër e aq i lirë të them mendimin tim që rrjedh nga thellësia e zemrës e nga baza ime intelektuale e ndërtuar gjatë shkollimit tim 20 vjeçar në Kosove e 22 vjeçar ne perëndim sa që atë që e shkruaj duhet të merret me seriozitetin më të madh të mundshëm. Si mjek që punoj, me djersën time dhe punën intelektuale që e bëj në perëndim, kam siguruar çdo gjë që një njeriu me dinjitet i nevojitet, nuk jam as i pasur e as i varfër, kurrë s’dua as s’ kam dashtë të jem milioner, por kam dashtë gjithmonë që atë që e kam të më mjafton dhe ta ndaj me të tjerët. Njëra prej gjërave që ndaj me të tjerët është dija ime. Një njeri që din por heshtë, ai është edhe më i keq se druri i thatë i cili ende qëndron vertikalisht.

Por, a e dini se çka me mungon? Me mungon krenaria e kombit tim, më mungon një Kosovë e Shqipëri që i ngjajnë vendeve të perëndimit ku edhe sot emigrojnë të rinjtë e të rejat, jo pse atje është toka apo qielli më i mirë, pore sepse njeriu mundet të qëndroj në këmbët e veta, i dinjitetshëm, edhe kur është fëmi, edhe kur është i ri, edhe i rritur edhe i moshuar, edhe i sëmurë, edhe kur është i pa punë, edhe kur studion edhe kur punon.

Unë po dua që me shkrimet e mia tua sjell në mendje njerëzve rrugën për të shkuar përpara, po mundohem ti identifikoj problemet që po na e errësojnë jetën jo vetëm atë të individëve por të gjithë kombit. Çdo gjë që ndodhë në këtë botë e ka një arsye, e ka një pikënisje, por ajo pikënisje rrallë vërehet sepse katastrofat e mëdha e mbulojnë shkakun, ashtu siç mbulojnë vërshimet token.

Shkaqet e problemeve mund te shihen vetëm nga një analizë që bëhet me kokë të ftohtë, dhe nga njerëz që nuk ndikohen as nga paraja e as nga gjëra të tjera që devijojnë dinjitetin njerëzor e intelektual. Edhe gjërat e mira edhe ato të këqijat në një shtet, janë të dukshme, dhe të prekshme. Shteti është si një pasqyrë para së cilës s’mundesh të fshehësh. Ata që merren me politikë, përfaqësues të partive të ndryshe politike, të sindikatave, të OJQ- ve, të medieve, deputet e kryetar komunash, mësimdhënës e shërbyes tjerë civil, mjek e gjyqtar, jurist e ekonomistë, të gjithë janë nën vëzhgim të “kamerave” dhe “pasqyrës” së quajtur popull.

Shtyllat kryesore të një shteti janë: arsimi, drejtësia, shëndetësia, dhe ekonomia. Nëse këtyre katër shtyllave të shtetit ju bëjmë një analizë, atëherë do të konstatojmë lehtë që në Kosovë të katër këto shtylla janë në gjendje katastrofale. Shtrohet pyetje, përse është kështu, cilat janë arsyet, përse i kemi autostradat gati më të mirat në Ballkan e arsimin më të dobëtin në botë sipas radhitjes së PISAS, përse i kemi shtëpiat e hotelet të nivelit evropian e bile edhe më të mira, por nuk kemi aparatura e medikamente të mjaftueshme për trajtimin e të sëmurëve me kancer, dhe kemi spitalet më të deformuara e më të pa organizuara në Evropë?

Përse jemi më të pasurit me thëngjill në Evropë, e blejmë rrymën nga Serbia e tregjet evropiane? Të gjitha këto e qindra fakte tjera të bëjnë të besosh nga një logjikë e shëndoshë se shumë njerëz që na kanë udhëheqë deri më tani e disa që edhe tani po na udhëheqin në pozita të caktuara janë të krimbur. E për të thënë më drejtë me vetëdije e për interesa materiale i kanë shërbye Serbisë dhe i shërbejnë edhe më tutje,se për ndryshe, nuk mundesh ti kuptosh sjelljet e tyre pa marr parasysh se nga cili këndvështrim i shikon.

Nëse dikush dyshon në këtë, atëherë le të tregon se përse qe nga viti 2005 kur AAK dhe LDK planifikonin një termocentral 2000 megavatesh, i cili u hedh atë botë poshtë në parlamentin e Kosovës, e pastaj termocentrale tjera si Kosova e Re, për të cilën OJQ-të dhe partitë e atëhershme opozitare, duke e përfshirë këtu edhe VV-në bënin gjithçka për ti përmbysur këto projekte, duke i arsyetuar pretendimet e tyre me lloj lloj gjerash, ndërsa sot ne duhet ta blejmë rrymën nga Serbia. A do të thotë kjo që prapa gjithë këtyre kanë qëndruar Serbia ? Vlerësojeni vet.

Përse nuk u rregullua kurrë situata në shëndetësi, gjersa spitalet private amerikane, turke e gjermane lulëzojnë çdo ditë, dhe populli paguan qindra miliona sa në Maqedoni të veriut, sa në Serbi e sa në Turqi apo Shqipëri, përse nuk u aktivizuan sigurimet shëndetësore, përse nuk u modernizuan spitalet, vlerësoni vetë!!

Përse po ikin njerëzit nga Kosova, s’ka shëndetësi, s’ka prosperitet, s’ka drejtësi. E kujt i konvenon zbrazja e Kosovës... natyrisht që Serbisë, andaj nuk na e ka lejuar zhvillimin e këtyre sektorëve, dhe atë e ka bër nëpërmjet njerëzve të vetë shqiptar në Kosovë që janë shitur kokë e këmbë për para. Përse Arsimimi është në gjendje të mjerueshme, kujt i konvenon kjo?

Më thoni ju që dyshoni në atë që kam shkruar. Përse në Kosovë kemi universitete private milionëshe e arsimi është mjerim, përse ne arrijmë të përgatisim teknik medicinal për Gjermaninë pore në të njëjtën kohë jemi të fundit në PISA, përse kemi një analfabetizëm aktiv 42 % ndërsa mjekët tanë janë në të njëjtën kohë më të mirët atje ku punojnë në perëndim, përse nuk funksionon shërbimi publik arsimor e sindikalistët zgërdhihen e bëhen lypsar 100 euro.. 100 euro ja grevë , e kurrë nuk japin llogari për katastrofën në arsim?

A thua pse kështu, kujt i shërbejnë këta njerëz përveç Serbisë, kujt i konvenon më së shumti një popull me arsimin më të ulët e institucione arsimore jo funksionale? Po, Serbisë natyrisht... kush i ka udhëheqë këto institucione, ne shqiptarët, këtu i kemi përgjigjet se përse jemi kështu.

Përse e kemi drejtësinë katastrofale, lirohen hajnat, pedofilët e vrasësit, të korruptuarit e kriminelët! A e dini përse, sepse Serbisë nuk i ka konvenuar kurrë zhvillimi i kësaj shtylle të shtetit, njerëzit që është dashur ta bëjnë ndryshimin, e kanë pasur pikërisht aty mburojën.

Përse shiten lejet e vozitjes me para si askund tjetër në Evropë, përse shiten diplomat universitare, si askund tjetër në Evropë, përse prostitucioni është në maksimum, përse të rejat tani shiten jo ma për 20 euro por edhe për 5 euro!

Përse fëmijët dhunohen, a e dini përse, sepse nuk ka gjykata që japin përgjegjësi para shtetit, por ka njerëz që janë shitur për para e i shërbejnë Serbisë.

Unë ftoj AKI- në, ose nëse AKI nuk ka kapacitete, ftoj shtetin e Kosovës, që bashkë me miqtë tanë perëndimor, të formoj një agjenci zbuluese e cila do të hulumtonte në detaje të kaluarën dhe të tanishmen e secilit individ që shërben në institucione vendimmarrëse të shtetit, por përveç tyre, duhet të hulumtohet edhe çdo aktivitet dhe mënyrë e financimit të organizatave joqeveritare, udhëheqësit e partive, analistët në media dhe secili individ që në të ardhmen pretendon të merr post udhëheqës në Kosovë, në të kundërtën distanca jonë me Evropën do të shtohet e Kosova do të shkrihet e thahet ashtu siç thahet një lule e pa ujitur. Secili nga ne e ka obligim ta ngre zërin kundër së keqes, sepse ashtu do jemi vetvetja dhe do jemi e mira e gjithë miqve tanë nëpër botë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".