Të hetohen dhe largohen nga puna të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që i lënë të vjetërsohen deri në parashkrim veprat penale të dhunës s*ksuale

Të hetohen dhe largohen nga puna të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që i lënë të vjetërsohen deri në parashkrim veprat penale të dhunës s*ksuale

Hajrullah Tërnava

  • 03 September 2022 - 08:45

Shkruan: ANALISTI- Hajrullah Tërnava

Mangësitë e institucioneve të drejtësisë në jetësimin e autorizimeve të tyre në luftimin e krimeve në përgjithësi, e sidomos ndaj veprave penale të dhunimit-seksual, sikur që po argumentohet në statistikat vjetore, po ndikon që shumica e rasteve të këtij lloji të parave penale-dhunimit seksual, po vjetërsohen dhe parashkruhen.

Mos veprimet e institucioneve të drejtësisë si dhe të prokurorisë po i kontribuojnë që tani po ballafaqohemi me shumë vepra të dhunës seksuale të rënda, sikur tani që ndodhi ndaj një të miture 11 vjeçare që u dhunua nga 5 persona, dhe situata tani e krijuar me këto dhunime seksuale na jep me kuptua se në çfarë situate xhindet vendi i jonë, me mos ndjekjen dhe mos luftimin e këtij lloji të krimit, i cili po merr hov ditë e për ditë, e kur dihet se mu këta gjykatës dhe prokurore janë më të paguarit me rrogat më të larta në shtetin tonë, prandaj mos luftimin e këtij lloji të krimit po e shpërfaqin edhe veprat penale të dhunimit- seksual, akoma më lakuriq, po zbulojnë karakterin e pastër kriminal të mos ndëshkimit të krimit nga ana e institucioneve të drejtësisë, sepse të gjitha të dhënat, për veprat penale të kësaj kategorie, flasin për mos veprim, veprim të ngathtë apo ndëshkim tepër të butë të kryerësve të këtyre veprave penale. Për veprat penale të dhunimit, në Kosovë, më shumë kemi parashkrime të këtyre lëndëve sesa dënim me burgim. E lidhur me dhunimet seksuale ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka reaguar lidhur me seriozitetin që kanë këto lëndë në Gjykata, ku më shumë theksoi se janë parashkruar sesa që ka pasur dënim me burgim.

Ajo madje ka kërkuar që në të ardhmen të ashpërsohen skajshmërisht masat e përgjegjësisë për personelin e prokurorëve dhe të Gjykatave që u zvarritin me qëllim dhe nuk i trajtojnë me seriozitet e prioritet rastet e tilla. “Situata nuk mund të ndryshojë nëse zyrtarët përgjegjës nuk e marrin ndëshkimin për mosveprim e neglizhencë dhe nëse këto raste nuk trajtohen me prioritet. Kushdo që nuk e kryen detyrën, duhet të largohet nga detyra dhe pikë. Nuk kemi fëmijë, vajza dhe gra për t'u dhunuar dhe as për t'u vrarë. Pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve konsiderohen më të lartat në rajon, ka theksuar Ministrja Haxhiu. Sa po e bënë të domosdoshme situata skandaloze në drejtësinë e dështuar e të tej inkriminuar që e kemi plotë dy dekada, që të zhvillohet një auditim i pavarur i kontraktuar nga qeveria që analizon kualitetin e performances së institucioneve të sundimit të ligjit, policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit, dhe duke u bazuar në raste konkrete të shërben pikërisht ky auditim si një pikënisje e cila do të ndihmonte në fillimin më të shpejtë të pastrimit të drejtësisë me një proces më të hershëm të PARAVETINGUt, por edhe për të vazhduar tutje me Vettting pas miratimit të ligjit në Kuvend.

Sipas analizave të publikuara nga organizatat jo qeveritare që monitorojnë punën e gjyqësorit, brenda një periudhe 5 vjeçare në Kosovë janë ngritur mbi 500 aktakuza nga prokuroria për vepra penale të dhunimeve dhe abuzimeve seksuale. Mesatarja e mbi 100 akuzave në vit duket se është si rezultat i “përkëdheljes” me dënime të buta ndaj kryerësve të krimeve seksuale nga gjykatat e vendit. Kjo praktikë tregon se numri i atyre që shkojnë në burg për veprime të tilla është më i ulët se sa i atyre që shpëtojnë pa therë në këmbë. Të dhënat tregojnë që për mbi 1000 denoncime të krimeve seksuale, janë ngritur 521 aktakuza, ndërsa dhunuesit e abuzuesit seksual në shumicën e rasteve i kanë shpëtuar burgut pasi janë dënuar me gjobë, me kusht ose nuk janë gjykuar fare pasi lëndët e tyre janë vjetërsuar. Për këto vepra, Ligji ka paraparë dënime të ashpra, mirëpo të tilla nuk po shqiptohen nga gjykatat e vendit pasi në shumicën e rasteve dënimet janë minimale. Sipas këtyre të dhënave, nga viti 2016 e deri në vitin 2019 janë parashkruar plot 197 raste të krimeve seksuale. Më tragjikja është se 39 lëndë janë parashkruar për shkak të mos ndërmarrjes së asnjë veprimi nga ana e gjykatës për një periudhe të gjatë kohore, e cila në zhargonin juridik quhet parashkrimi relativ i rasteve. Situata është e rëndë në departamentin e përgjithshëm ku të dhënat tregojnë që më shumë raste janë parashkruar se sa janë shqiptuar dënime. Të dhënat tregojnë që Gjykata Themelore në Prishtinë është vendi ku ka ndodhur më së shumti vjetërsimi. Kjo gjykatë përpos që ka numrin më të madh të lëndëve të krimeve seksuale, në punë ka edhe numrin më të madh të rasteve të parashkruara. Të dhënat e paraqitura tregojnë se lëndët e krimeve seksuale në gjykatën e Prishtinës më shumë janë parashkruar se sa zgjidhur përgjatë viteve. Vetëm gjatë periudhës kohore 4 vjeçare, 2016-2019 Në gjykatën themelore të Prishtinës kemi vetëm 72 raste me aktgjykim dënues kurse 137 raste të parashkruara të veprave penale të kësaj natyre.

Të dhënat tregojnë se për 4 vite në departamentin e përgjithshëm të të gjitha gjykatave të tjera (përjashtim Prishtina) për krime seksuale janë shqiptuar vetëm dy dënime me burgim, njëri nga gjykata e Gjilanit e tjetri nga ajo e Prizrenit. Gjykata Themelore në Pejë, Mitrovicë, Gjakovë dhe Ferizaj gjatë viteve 2016-2019 nuk kanë shqiptuar asnjë dënim me burgim, përderisa të njëjtave gjatë këtyre viteve u janë parashkruar 41 lëndë të krimeve seksuale. Statistikat tregojnë që vjetërsimi i lëndëve ka qenë i shpeshtë edhe në Gjykatën e Prizrenit dhe atë të Gjilanit. Në Gjilan gjatë kësaj periudhe kohore janë parashkruar nëntë raste ndërsa është dënuar me burgim vetëm një rast, kurse në Prizren janë parashkruar 11 raste dhe është shqiptuar vetëm një aktgjykim dënues. Dhunimi është në mesin e krimeve të rënda seksuale. Kodi penal parasheh që për në vepër të tillë të shqiptohen dënime të ngjashme me dënimet për vrasje. Por statistikat tregojnë që fryma e kodit penal është injoruar komplet nga gjykatat gjatë shqiptimit të dënimeve. Të dhënat tregojnë se ka pasur raste kur dhunimi është dënuar me dënim me gjobë ose me kusht. Dënimi me kusht nënkupton faktin se i dënuari nuk dërgohet në burg për vuajtje të dënimit nëse nuk kryen ndonjë vepër të re penale brenda një periudhe të caktuar. Kjo nënkupton se në një numër të madh të rasteve, kryerësit e dhunimit i kanë shpëtuar burgut duke u dënuar me kusht ose me gjobë. Dënime të tilla janë shqiptuar në disa raste nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila nga viti 2017 e deri në vitin 2020 më shumë ka shqiptuar dënime me gjobë dhe me kusht për kryerësit e veprave penale të dhunimit, se sa dënime me burgim. Ka pasur dënime me burg, 12 me kusht dhe 4 parashkrime. Më mirë nuk qëndrojnë punët as në gjykatat e tjera. Të dhënat tregojnë se gjatë viteve 2017-2020 në të gjitha gjykatat e shkallës së parë janë trajtuar 181 raste të dhunimit, prej të cilave në 26 raste janë shqiptuar dënime me burgim, 20 raste dënime me gjobë dhe dënime me kusht, ndërsa 7 raste janë vjetërsuar për shkak të mos trajtimit me kohë. Prandaj këto te dhëna flasin mjaft për nivelin e skajshëm të pa përgjegjësisë në gjyqësorin e dështuar që merr paga kot nga buxheti i shtetit, duke bashkëjetuar dhe bërë avokatinë kurrë pa ndalë krimit të organizuar.

Nga gjykatësit e rasteve te krimeve në përgjithësi e sidomos ndaj dhunuesve seksual, kërkohet nga gjykatësit që në të ardhmen të ndërmerren masat e ashpra sikur i parasheh ligji penal, dhe lëndët që vjetërsohen-parashkruhen, ndaj atyre gjykatësve që kanë qenë inert dhe nuk i kanë ndërmarr masat e dënimeve të ndërmerren masa disiplinore apo nëse iu ripërsëriten këto gabime dhe i neglizhojnë këto raste, edhe të largohen nga këto vende t punës, kur ka mjaft të ri juristë që presin me vite për punësime në institucionet e shtetit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".