Lista e zezë e SHBA-ve akoma e pa plotësuar më kokat e liderëve politik të Kosovës të përfshirë në lidhje me nëntokën e krimit të organizuar

Lista e zezë e SHBA-ve akoma e pa plotësuar më kokat e liderëve politik të Kosovës të përfshirë në lidhje me nëntokën e krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 06 October 2022 - 07:46

Shkruan: ANALISTI: Gani Qarri

Për dallim nga ajo se SHBA është treguar më e ashpër në raport me figurat e inkriminuara në Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë, madje rasti më i freskët ka të bëjë me disa prej figurave kyçe në Republikën e Bosnjës dhe Hercegovinës, ku Kryeministri i Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, Fadil Novalliq, dhe Sllobodan Stanoviq, biznesmen i lidhur me liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, janë personat e fundit që Shtetet e Bashkuara i kanë futur në Listën e Zezë dhe sanksionuar, por Administrata e Presidentit Joe Biden sikur po vijon ti përkëdhelë dhe tolerojë edhe më tej, strukturat e inkriminuara politike dhe liderët e krimit të organizuar në Kosovë.

Në fakt SHBA, sikur po vonohen me futjen në Listën e Zezë të politikanëve të korruptuar e të inkriminuar të Kosovës, kur dihet mirë se ka mjaft të dhëna të besueshme e të argumentueshme, të cilat flasin hapur se shumica e lidëve politik të Kosovës janë bërë multimilioner e miliarder përmes krimit të organizuar, duke bashkëpunuar e bashkëjetuar, jo vetëm me krimin e brendshëm por edhe me grupe e rrjete mafioze ndërkombëtare, për tu pasuruar për vete, pasojat e të cilave, jo vetëm që e kanë penguar zhvillimin e vendit, por kanë rrezikuar madje edhe vetë shtetin e Kosovës.

Më 3 tetor, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja të Departamentit amerikan të Thesarit, tha se këta dy persona janë sanksionuar për shkak të minimit të institucioneve demokratike “për përfitime personale dhe për të shpërblyer rrjetet e tyre të patronazhit”. “Ne do të vazhdojmë të shënjestrojnë personat që destabilizojnë rajonin, por edhe mbështetësit e tyre, duke i mbajtur përgjegjës”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian E.Nelson. Sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Thesarit, kryeministri Fadil Novalliq, ka keqpërdorur të dhënat e pensionistëve për përfitimin e partisë së tij, duke shkelur ligjet e Bosnjë e Hercegovinës. “Një javë para mbajtjes së zgjedhjeve më 2018, Novalliq përdori të dhënat e pensionistëve, që i kishte marrë përmes pozitës së tij zyrtare, dhe u dërgoi letra me një listë të arritjeve të tij duke premtuar rritje të pensioneve.

Ky veprim shkel ligjet e Bosnjë e Hercegovinës dhe reflekton mbi veprimet e tij të përsëritura për të përdorur pozitën politike për përfitime personale apo të partisë së tij, duke minuar proceset demokratike apo institucionet e Bosnjë e Hercegovinës”, tha SHBA-ja. Ndërkaq, biznesmeni Sllobodan Stankoviq, një prej njerëzve më të pasur në Bosnjë dhe pronar i një firme inxhinierike, Integral, në Republikën Srspka, sipas SHBA-së është i lidhur me korrupsion në sektorin e ndërtimit, pasi kompania e tij, ka fituar disa prej projekteve më të mëdha në Republikën Srpska.

“Shumica e projekteve të mëdha ndërtimore shpesh i jepen Stankoviqit pa garë të hapur dhe të drejtë dhe shumica e pasurisë së tij vjen nga paratë publike”, tha SHBA-ja. Stankoviq po ashtu është ish-pronar i televizionit Alternativa, që është subjekt i sanksioneve të SHBA-së. Kjo media është nën kontrollin personal të anëtarit të presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik. Dodik po ashtu është në mesin e personave të sanksionuar nga SHBA-ja. Ai fillimisht ishte sanksionuar më 2017 dhe më pas në dhjetor të vitit 2021. Uashingtoni tha se të gjitha pronat e personave të sanksionuar më 3 tetor do të bllokohen dhe po ashtu do të ndalohet bërja e biznesit me ta nga individët në SHBA.

Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë sanksionuar dhjetëra persona në Bosnjë dhe më 26 shtator vendosën sanksione edhe ndaj Prokurores së Shtetit, Diana Kajmakoviq. Sanksionet e Departamentit të Financave të SHBA-së, të cilat u shqiptuan në dhjetor të vitit 2021 edhe kundër 13 shtetasve të Kosovës me kombësi serbe dhe mbi 20 kompanive të lidhura me ta, mirëpo akoma nuk kemi të zbardhur dhe të shpallur një listë të zezë më sanksione kundër biznesmenëve politik, dhe politikanëve shqiptar të lidhur ma mafio-bizneset të cilat operojnë publikisht tash e dy dekada në jetë publike, politike dhe ekonomike të Kosovës?

Prandaj duke parë veprimet monstruoze të opozitës së inkriminuar në Kosovë, një listë e tillë, duhet të shpallet pa vonesë edhe për politikanët dhe biznesmenët shqiptar të Kosovës, për gjyqtar e prokuror të pasuruar që janë bërë multimilioner përmes krimit të organizuar, në mënyrë që me këtë proces ti ndihmohet dekriminalizimit të politikës, reformimit e pastrimit të sistemit të drejtësisë dhe shkëputjes së tij nga kthetrat e mafies, sidomos tani kur është në pritje për tu miratuar dhe futur në zbatim, ligji Vetting!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".