Institucionet shtetërore janë edhe pasqyrë e qytetarëve

Institucionet shtetërore janë edhe pasqyrë e qytetarëve
Institucionet shtetërore janë edhe pasqyrë e qytetarëve

Shefik Shkodra

  • 14 November 2022 - 07:37

Shkruan: ANALISTI - Shefik Shkodra

Si është e mundur që deputet, ministër, kryeministër të del para opinionit publik me aq të shara ndaj tjetrit. A është Parlamenti i grupeve dhe individëve parlamentarë, apo Parlamenti do të duhej të jetë i popullit. Populli i ka zgjedhur përfaqësues, do të thotë, ata/ato e përcjellin fjalën, porosinë e popullit. Ata/ato merren vesh opozitë pozitë për të mirën e qytetarëve dhe të vendit. Fjalori i këtyre tipave do të duhej të jetë i pastruar, duke ditur se, ata janë zëdhënësit e të mirës, mësuesit e popullit, në asnjë mënyrë kasnecë dhe tumirje e rrugaçërisë.

-Të gjithë të inkuadruarit në institucione të vendit, që paguhen për rolin e detyrës së tyre, duke filluar nga komuna e deri te Parlamenti e Qeveria, janë mësuesit më të respektuar e më të afërt të të gjitha shtresave të qytetarëve të një vendi. Sidomos nëpër terrenet tona të Ballkanit Perëndimor. Nuk mund dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të krahasohemi me disa vende të tjera nëpër botë. Qenia e jonë shqiptare është shumë e brishtë dhe e pa mësuar të dëgjojë çfarëdo që mund të shprehë dikush. Kjo është për faktin se, këto vende janë të çliruara nga një sistem njëpartiak dhe shumë i kufizuar dikur, sa i përket sjelljes dhe fjalës së lirë. Por, edhe gjendja e përgjithshme e këtij shteti ende të paformuar dhe të pa definuar në të gjitha pikëpamjet, e sidomos në politikë.

“Gjurulltitë” më të mëdha dhe të pista më parë i kemi dëgjuar në Republikën e Shqipërisë, sesi deputeti kolegut të vet, në opozitë apo opozitari atij në pozitë, ia thotë gjërat dhe sharjet më të ndyta. Këtu luan rol përfaqësuesi, kryetari i parlamentit, kryetari i grupit parlamentar, ministrat, kryeministri, etj. duke mos zgjedhur aspak fjalët para publikut. A është sjellje shprehja “jashtëqitja nuk është për goje”? Të gjitha zhvillimet intime në shoqëri e në jetën e përditshme, tash ia thotë në parlament, para krejt botës shqiptare, por edhe botës së jashtme.

Këtë mënyrë sjellje gati e kanë përvetësuar edhe deputetët e Parlamentit dhe institucioneve tjera të Kosovës. Me keqardhje. Shumë të papërmbajtur.

Seanca e fundit dhe jo vetëm ajo e fundit, tregon mirëfilli një sjellje të papëlqyeshme të disa deputetëve të opozitës. Ai/ajo, cilido qoftë e tregon kulturën e vet. Kjo transmetohet direkt te opinioni i gjerë qytetar, kjo përcillet te të gjitha moshat. Kështu fillojnë edhe të rinjtë të imitojnë. Të rinjtë nuk janë në gjendje ta dallojnë deputetin analfabet. Ata i mendojnë si njerëzit më të ngritur kulturalisht, si njerëz në shkallën më të lartë në shoqërinë shtetërore. Kur një deputet nuk respekton rendin e ditës, kur i njëjti e merr fjalën për atë pikë të caktuar dhe fillon të flasë çka i vjen në mendtë e tij. Më shumë sharje e ofendime se sa atë që është dhe do të ishte i obliguar ta thotë, sipas rendit të caktuar. Si është e mundur që deputet, ministër, kryeministër të del para opinionit publik me aq të shara ndaj tjetrit.

A është Parlamenti i grupeve dhe individëve parlamentarë, apo Parlamenti do të duhej të jetë i popullit. Populli i ka zgjedhur përfaqësues, do të thotë, ata/ato e përcjellin fjalën, porosinë e popullit. Ata/ato merren vesh opozitë pozitë për të mirën e qytetarëve dhe të vendit. Fjalori i këtyre tipave do të duhej të jetë i pastruar, duke ditur se, ata janë zëdhënësit e të mirës, mësuesit e popullit, në asnjë mënyrë kasnecë dhe tumirje e rrugaçërisë. Ata/ato paraqesin pasqyrën e kulturës, aftësisë intelektuale, dijen dhe sjelljen, për të cilët do të kishin simpatinë, dashurinë dhe respektin pjesa më e madhe e qytetarëve që i përcjellin.

Duke e sharë njëri-tjetrin në parlament dhe gjetiu, ata/ato kanë ofenduar dhe sharë qytetarët, zgjedhësit e tyre. Nuk e kam të qartë, si e konsiderojnë veten këta njerëz: A paguhen me paga të majme për të sharë dhe për të kërcënuar palën tjetër, apo për të bërë kuvend për nevojat dhe obligimet ndaj vendit?! Shprehja e parë kërcënimi i KM, ministrive, pa i thënë ende ato lëshime e gabime të dukshme e të padukshme. Njësoj do të ishte, nëse edhe deputetët e pozitës gjendet në këso hullish përplot bërllok e fëlliqësira kundër opozitës.

Duket këta njerëz (një pjesë e tyre) sikur nuk kanë asnjë ditë shkollë në bankat, ku janë shoqërorizuar e edukuar nga arsimtarë të profileve të ndryshme. Sa për gjuhën që e përdorin, shumë qelbanike me sharje, veç shprehje rrugaçësh, por edhe një gjuhë bastarde e të pa çiltër fare. Të irriton deputeti i jonë “intelektual”, kur shprehet para publikut me, “punu”, me “vepru”, etj. As dialekt gegë, as gjuhë standarde shqipe. Kush e dërgoi atë në Parlament? Kush e dërgoi në Shtëpinë Legjislative të këtij populli, që të shajë, të kërcënojë të tjerët për interesa individuale e grupore, që të fëlliq gjuhë e të pengojë rrjedhat e mëtejme në shtëpinë gjithëpopullore të vendit. Çfarë edukate është shprehja “qifsha...qifsha...?” Për këtë janë dënuar nxënësit e pa edukatë nëpër shkolla.

Prandaj, partitë politike, duhet më shumë të punojnë dhe të arrijnë të përgatisin kuadro të mira, jo banda rrugësh, me të cilët do të duhej organet e rendit të merren dhe prokuroritë. Jo krekosje publike, jo krijim të kaosit, gjoja, na (unë) jam (jemi) më të aftë. Pse je më i aftë ti? Pse di të shash e të mos përgjigjesh për sjellje jonjerëzore?! Ne kemi të drejtë të lëshojmë ndonjë fjalë ndonjë herë, por jo ta bëjmë objekt mbeturinash institucionin publik. Këta duhet ta kuptojnë, çka do të thotë, parlament ose kuvend, ose nuk janë disa për atë rol që e kanë marrë për sipër. Nuk janë shpresa e qytetarëve njerëzit e tillë. Mendtë e shkurtra i kanë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".