Asnjë kompromis në dëm të integritetit dhe sovranitetit të shtetit

Asnjë kompromis në dëm të integritetit dhe sovranitetit të shtetit
Asnjë kompromis në dëm të integritetit dhe sovranitetit të shtetit

Gani Qarri

  • 02 January 2023 - 09:23

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

 

Pas heqjes së barrikadave, ri kthimit të lirisë së lëvizjes e të jetës normale dhe ri-fillimit të qetësimit të gjendjes në veri, duket se do të ringjallet serish agjenda diplomatike e faktorit ndërkombëtar, në përpjekjet për ta vazhduar me intensitet të shtuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Për aq më tepër, është e pritshme që pas kësaj situate, palët në dialog të gjendet para katit të kryer jo më, vetëm me propozime konkrete në tavolinë të bisedimeve, por edhe imponimeve për marrëveshjen finale, nga ndërmjetësuesit në proces, SHBA dhe BE. Kjo për faktin tanimë të ditur publikisht, se, përderisa Qeveria e Kosovës, propozimin franko-gjerman e ka cilësuar si bazë të mirë për rifillimin e bisedimeve dhe arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me njohjen në qendër, Serbia e ka pritur me rezerva planin franko gjerman i cili ende nuk është bërë i njohur publikisht dhe nuk është proceduar, për tu diskutuar në mënyrë transparentë në Parlament. Por përderisa edhe KFOR-i dhe EULEX-i, në orkestrimet e ngjarjeve të fundit nga Serbia shkaktoi në veri të vendit tonë, u bënë palë me barrikaduesit, ka ardhur koha, që Kosova të mos bëjë më asnjë kompromis në kurriz të saj, dhe ta hedhë poshtë me vendosmëri asociacionin kundër kushtetues, duke vendosur në bankën e të akuzuarve dhe ngritur padi penale kundër nënshkruesve të këtij akti tradhtie, si Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Kosova nuk e ka bllokuar dialogun asnjëherë dhe atë duhet ta zhbllokoj pala që e ka bllokuar, ndaj dhe nuk guxon të pranohen më kurrfarë tendencash ndaj Kosovës për kompromise të reja, në emër të zhbllokimit të dialogut, ngase kompromiset e llojit të Thaçit e Isa Mustafës, pas mese 23 vitesh po e qojnë shtetin e Kosovës drejt zhbërjes dhe jo drejt marrëveshjes përfundimtare me njohje reciproke, e cila tanimë nuk figuron fare as në planin franko-gjerman. 

Kosova në fakt, pasi që hapi i parë është bërë me aktin e aplikimit, ka nevojë për një proces të përshpejtuar për anëtarësim në BE. Madje deputeti i Bungestagut, Volker Ullrich duke reaguar për krizën e fundit në veri të Republikës së Kosovës, ka thënë se nuk duhet lejuar që situata të përkeqësohet edhe më tej, dhe ka kërkuar nga Evropa një mesazh të qartë dhe të koordinuar për Serbinë.  

Politikani gjerman ndërkohë shton se perspektiva evropiane për Kosovën dhe anëtarësimi i përshpejtuar i saj, në Bashkim Evropian janë çështje urgjente.

Në anën tjetër ai thotë se nevojitet një mesazh i qartë dhe i koordinuar nga Evropa për Serbinë, nga e cila duhet të kërkohet de-përshkallëzimi i gjendjes dhe kthimi i stabilitetit në veri, si dhe një perspektivë evropiane për Kosovën me anëtarësimin e hershëm në BE.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".