Reforma në sistemin e drejtësisë me konsensus politik, është interes i gjerë shtetëror dhe publik

Reforma në sistemin e drejtësisë me konsensus politik, është interes i gjerë shtetëror dhe publik
Reforma në sistemin e drejtësisë me konsensus politik, është interes i gjerë shtetëror dhe publik

Gani Qarri

  • 30 March 2023 - 11:10

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Madje edhe pse në Kuvend mazhoranca i ka votat për ta kaluar reformimin, pikërisht për shkak të ndjeshmërisë dhe peshës që këto ndryshime ligjore, pritet të sjellin, ndryshim pozitiv edhe në sistemin e drejtësisë dhe në praktikë, të njëjtat do të duhej të zhvillohen në një frymë më konsensuale dhe gjithëpërfshirëse me aktorët relevant vendimmarrës partiak duke synuar interesin e përgjithshëm publik dhe jo inatin apo interesin e ngushtë grupor e politik.

-Për dy vite të kaluara, nga ardhja në pushtet, Qeveria Kurti ka iniciuar reforma të shumta në sistemin e drejtësisë, me qëllim të përmirësimit të performancës dhe rritjes së integritetit të institucioneve të drejtësisë, mirëpo siç shihet edhe sot, reformat vazhdimisht kanë hasur në rezistencë nga ana e opozitës së inkriminuar. Ndaj është tepër urgjente që të gjendet koncensus më i gjerë politik,në mënyrë që të evitohen përplasjet për interesa të ngushta politike dhe reforma e filluar në sistemin e drejtësisë të ecë përpara dhe të mos bllokohet nga opozita, sikur që po vijnë sinjalet e para pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin për Ligjin e Këshillit Prokurorial të Kosovës!

Në fakt reforma në drejtësi, është mjaft jetike për gjithë vendin, ngase përveç ndryshimit të disa ligjeve ekzistuese, mëton të sjellë edhe ndryshime rrënjësore përmes iniciativave kapitale si procesi i Vettingut, Byroja për konfiskimin civil të pasurisë dhe Këshilli Prokurorial. Këto iniciativa, në parim, shihen tepër të nevojshme për reformimin e gjithë sistemit të drejtësisë, si dhe rritjen e efikasitetit të sundimit të ligjit në vend – elemente këto të vlerësuara negativisht, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga monitorimet e ekspertëve dhe raporteve të organizatave ndërkombëtare, përgjatë viteve të fundit. Tendenca e opozitës për bllokim, po rrezikon reformat në sistemin e drejtësisë për interesa të grupeve të ngushta, qoftë nga frika e goditjes së krimit të organizuar i cili ka përfshirë gjithandej spektrin politik në vend, gjatë qeverisjes së kaluar, apo edhe nga "dëshira" për ta marrë autorësinë e zhvillimit të reformës në një mandat tjetër qeverisës nga opozitarët aktual, ndaj dhe po e shfrytëzojnë Gjykatën Kushtetuese për ta bllokuar dhe pamundësuar secilën nismë ligjore qeveritare.

Madje edhe pse në Kuvend mazhoranca i ka votat për ta kaluar reformimin, pikërisht për shkak të ndjeshmërisë dhe peshës që këto ndryshime ligjore, pritet të sjellin, ndryshim pozitiv edhe në sistemin e drejtësisë dhe në praktikë, të njëjtat do të duhej të zhvillohen në një frymë më konsensuale dhe gjithëpërfshirëse me aktorët relevant vendimmarrës partiak duke synuar interesin e përgjithshëm publik dhe jo inatin apo interesin e ngushtë grupor e politik. Si rrjedhojë e kësaj, por edhe kundërshtimeve nga ana e partive opozitare, disa prej këtyre iniciativave janë kontestuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e cila pa fije turpi, as ndjenjë përgjegjësie, të premten e kaluar, publikoi njoftimin se Projektligji për Këshillin Prokurorial, është shpallur jo-kushtetues dhe i pavlefshëm në tërësinë e tij!? Kjo dëshmon se koordinimi dhe bashkëpunimi ndërpartiak, nëse vërtetë shteti ligjor është prioritet mbi prioritetet për tu forcuar dhe zhvilluar shteti i Kosovës, pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ekzekutivi pa vonesë duhet t’i shqyrtojë vërejtjet e Gjykatës, për hartimin potencial të projektligjit të ri për KPK-në.

Respektimi i kushtetutshmërisë dhe parimit të përgjegjësisë në demokraci duhet të jenë imperativ për të gjitha institucionet në vend, ndaj anulimi i këtij ligji, kërkon veprim më të matur dhe bashkërendim në hapat e ardhshëm sepse në mungesë koncensusi, të njëjtin fat mundë ta kenë, edhe Ligji i Vettingut, Ligji për Konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë, të cilat janë ligjet më të rëndësishme të këtij mandati qeverisës në agjendën e luftës kundër korrupsionit, e krimit të organizuar, spastrimit të sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e tij profesional, të pa ndikuar nga politika.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".