Rasti TOKA me krye protagonist Azem Sylen, kurorë turpi për drejtësinë e dështuar, avokate besnike e nëntokës dhe krimit të organizuar

Rasti TOKA  me krye protagonist Azem Sylen, kurorë turpi për drejtësinë e dështuar, avokate besnike e nëntokës dhe krimit të organizuar
Rasti TOKA  me krye protagonist Azem Sylen, kurorë turpi për drejtësinë e dështuar, avokate besnike e nëntokës dhe krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 02 August 2023 - 07:40

 

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Mjerisht drejtësia e kapur vendore nga nëntoka kriminale, duket se përfundimisht është duke ekzekutuar lojën finale të dërgimit në dështim të plotë dhe zhvlerësim total të provave dhe gjykimit në tërësi, të rastit famoz TOKA , ku krye personazh i akuzuar për krim të organizuar është ish Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Azem Syla. Kjo u dëshmua serish edhe më 26 korrik 2023, pasi që në Gjykatën Themelore në Prishtinë, çuditërisht ka dështuar përsëri gjykimi, me arsyetimin banal se për arsye shëndetësore, njëri nga të akuzuarit, Ndue Palushi, paska munguar në seancë.

-Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve të kundërligjshme gjyqësore”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar”, “evazion fiskal”, “korrupsion” etj, por gjykimi ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve u shty përsëri, me shpjegimin se më 24 korrik nga avokati Halim Kuliqi, gjykata paska pranuar njoftimin, me dokumentacionin mjekësor, se i mbrojturi i tij Ndue Palushi nuk mund të jetë i pranishëm në seancën gjyqësore, për shkaqe shëndetësore. Në fakt seancat e radhës për këtë çështje janë caktuar paraprakisht, që të mbahen kinse më 27 dhe 28 korrik 2023, por as këto data, nuk janë plotësisht të sigurta, ngase në seancën e mbajtur me 11 maj 2023, edhe avokati i Azem Sylës i kishte propozuar gjykatës që po-për arsye shëndetësore të klientit të vet, pra z.Syla, gjykimi në vazhdim të mbahet në mungesë të tij.

Nga ajo që dihet, thuhet se ky propozim është refuzuar nga gjykata, me arsyetimin se nuk janë përmbushur kriteret nga neni 303, paragrafi 5, pika 5.1, 5.2 dhe 5.3 të Kodit të Ri të Procedurës Penale (i cili parasheh gjykimin në mungesë). Ndërsa, më 17 nëntor 2022 është bërë veçimi i procedurës për të akuzuarin F.Gashi, pasi që në ekspertizë psikiatrike për të, eksperti kishte konstatuar se ai nuk është në gjendje të përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

Në seancën e para një viti, më 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët kishin deklaruar veten, të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë, F.G, ish-deputet i PDK-së, Azem Sylës dhe të tjerëve të cilët që nga viti 2016 po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsion e krim të organizuar. Fillimisht për këtë rast, ishin 22 persona të akuzuar, ku për N.U., dhe Sh.M., është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Gjykatësi më pas ka bashkuar procedurën penale ndaj Ilaz Sylës, i cili ka qenë i akuzuar në këtë rast dhe procedurën ndaj tani të akuzuarit Vidosav Novakovic, me arsyetimin se për këtë çështje penale do të merret një aktgjykim meqenëse sipas tij, janë provat të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë. Në fakt, kjo lëndë fillimisht gjykohej nga gjykatësi Beqir Kalludra, por mu në momentin kur gjykimi ishte afër përfundimit, bëhet avancimi i gjyqtarit Kalludra, akt ndoshta i qëllimshëm, i cili bëri që kjo lëndë të mbetej, e pa u përfunduar!? Kurse po këtë lëndë Gjykata Themelore në Prishtinë, ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë dhe megjithëse rasti ishte lënë në përfundim, nga gjykatësi Kalludra, për habi, i njëjti, rinisi përsëri me arsyetimin se neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcaktuaka që: “kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë nga e para dhe të shqyrtohen përsëri të gjitha provat”?!!!

Prandaj mbetet vërtetë shumë pikëpyetje e madhe, se sa do të ndikojë kjo lojë procedural në zhvlerësimin e provave, zhagitjes së procedurave të gjykimit dhe humbjes së dëshmitarëve, në mënyrë që kështu, të arrihet edhe afati i parashkrimit të rastit paralelisht me gjykimin në fazën finale, kjo për vet faktin e ditur se tanimë gjithçka duhet të nisë nga fillimi, sikur të mos kishte pasur asnjë gjykim në të kaluarën. Dhe duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet që të rishqyrtohen edhe njëherë nga fillimi, prej kryetarit të ri të trupit gjykues, Arben Hoti, thuhet në informatën nga dështimi I seancës së 26 korrikut. Qëllimi i zhagitjes deri në parashkrim, është vërejtur që nga fillimi i gjykimit, i cili është karakterizuar me zvarritje të gjata, në masën më të madhe edhe në kohën kur gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, i cili sipas PSRK-së, kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi. Bashkë me Sylën, janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, F.G, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj. Kurse pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura. Siç u cek edhe më lart, aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra të rënda penale të krimit të organizuar, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve të kundërligjshme gjyqësore”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal” korrupsion etj, të cilët , përmes veprimtarive kriminale, në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive. Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd, por zvarritja tej mase në procedurë ka ndikuar që shumëçka të ndryshohet dhe të zhvlerësohet përmbajtja, mbase me paramendim dhe projektim të një procesi të dështuar! Kjo për arsye se në këtë aferë janë të përfshirë edhe autoritete të larta nga prapaskena, me ndikim të madh në politikë dhe ish qeverisjet e viteve të kaluara, nga të gjitha subjektet politike, të cilat duket se ende e mbajnë nën kontroll, gjithë sistemin e drejtësisë së dështuar e të kapur thellë nga krimi i organizuar, prandaj menaxhimi në këtë mënyrë perfide të këtij procesi, po dëshmon se dështimi i tij i plotë është fare afër, akt monstruoz i cili do të mbetet edhe një tjetër kurorë turpi për drejtësinë e dështuar, avokate besnike e nëntokës së krimit të organizuar, tani e dëshmuar edhe me fakte të pa kontestuara.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".