Krimi i organizuar nuk e lëshon drejtësinë për të funksionuar, një rast tjetër serioz me ish-ministren Hoxha për tu sprovuar

Krimi i organizuar nuk e lëshon drejtësinë për të funksionuar, një rast tjetër serioz me ish-ministren Hoxha për tu sprovuar
Krimi i organizuar nuk e lëshon drejtësinë për të funksionuar, një rast tjetër serioz me ish-ministren Hoxha për tu sprovuar

Gani Qarri

  • 31 October 2023 - 07:41

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Duke pasur parasysh se seanca e parë e Procesit gjyqësor për korrupsion kundër ish Ministres Dhurata Hoxha ka filluar qysh më 1 shtator të vitit 2021 dhe po vazhdon të zhagitet edhe më tej me arsyetime banale të mungesave të palëve në proces, vërtetohet se edhe ky është vetëm një prej rasteve që dëshmojnë se kërkohet punë më e madhe, për të çliruar dhe pastruar sistemin e drejtësisë së kapur nga nëntoka e krimit të organizuar, kur shihet publikisht se të gjitha rastet e ndërlidhura më politikën dhe ish pushtetarët, përfundojnë duke u parashkruar, pa vendime dënuese apo edhe duke u shpallur të akuzuarit të "pa fajshëm"!

-Siç merret vesh nga padia e ngritur më 12 maj të vitit 2022, (megjithëse duket se kjo nuk është padia e parë, pasi që nga Prokuroria Speciale e pandehura Dhurata Hoxha akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së), ish ministrja nga radhët e PDK-së, Dhurata Hoxha, akuzohet se bashkë me Ekrem Tahirin, Fitim Mustafën dhe Gëzim Dushin keqpërdorën detyrën zyrtare, por gjyqësia e kapur, njëjtë, si për të gjitha paditë e ngritura kundër ish pushtetarëve të akuzuar, zhargit qëllimshëm edhe procesin gjyqësor kundër kësaj ish ministre nga radhët e PDK-së, në ish qeverinë famoze të PAN-it. Kjo u dëshmua përsëri me anulimin e seancës së fundit, ku Gjykata Themelore në Prishtinë, dështoi që ajo të mbahej të enjten e 26 tetorit, me arsyetimin banal; "për shkak të mungesës së mbrojtjes" të të akuzuarit Gëzim Dushi, avokates Kosovare Kelmendi.

Në fakt procesi gjyqësor kundër ish Ministres Dhurata Hoxha ka filluar, qysh më 1 shtator 2021,por që nga ajo kohë, vazhdon të dështojë, me arsyetime të ndryshme të mungesave të palëve në proces. Dhurata Hoxha, është akuzuar, se përderisa ishte Ministre e Integrimeve Evropiane (MIE) kishte keqpërdorur në kundërshtim me ligjin, mjetet e parapara për "informimin e qytetarëve mbi liberalizimin e vizave", për të promovuar fushatën e saj elektorale, për deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor të vitit 2019.

Vet kjo dëshmon se njëjtë si me aktakuzën e ngritur që nga viti 2016 për të ashtuquajturin "rasti toka" e procese të tjera gjyqësore, edhe padia e ngritur për korrupsion kundër ish Ministres së integrimeve evropiane, nga radhët e PDK-së, Dhurata Hoxha dhe grupit të zyrtarëve ish vartës të saj, i ndikuar nga krimi i organizuar, po zhargitet, me qëllimin që të parashkruhet dhe të përfundoj pa vendim dënues. Në aktakuzën e ngritur kundër saj, thuhet se ish ministrja Dhurata Hoxha në emër të nevojave të Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) në Qeverinë e PAN-it, kishte nënshkruar kontratën për Shërbime të Informimit Publik me operatorin ekonomik “PR Solution” edhe pse ky aktivitet i prokurimit ishte i paraparë për informimin e qytetarët mbi procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA). Për aq më keq, ish ministrja nga radhët e PDK-s, Dhurata Hoxha me mjetet e parapara, për "informimin e qytetarëve për liberalizimin e vizave" kishte promovuar vetveten, duke publikuar baner masiv, artikuj dhe video-spote që vinin në pah vet ministren e akuzuar Dhurata Hoxha, duke vepruar kështu, në kundërshtim të plotë me ligjin, për të përfituar personalisht në dëm të buxhetit të Kosovës, hiq më pak se 143 mijë e 447 euro e 80 centë.

Kurse i pandehuri Fitim Mustafa akuzohet se si zyrtar përgjegjës i Prokurimit të MIE-së, me dashje kishte keqpërdoruar detyrën zyrtare, duke kontraktuar dy operatorë ekonomikë, “PR Solution” dhe N.Sh “2B”, të përzgjedhur fillimisht nga Komisioni i Vlerësimit si OE që kishin plotësuar kriteret sipas dosjes së tenderit për aktivitetin e prokurimit. “Kontratës për shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, Mustafa i kishte vënë kriter shtesë të papërcaktuar në dosje të tenderit, për të ndikuar të eliminohet OE, në mënyrë të kundërligjshme, edhe pse OE kishte ofruar çmimin për 192 mijë e 700 euro më të ulët, do të shpërblehej “PR Solution”. I pandehuri tjetër Gëzim Dushi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, në periudhën kohore gusht 2019- janar 2020, duke qenë menaxher i kontratës: “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontrate, me qëllim që të përfitonte e pandehura Dhurata Hoxha.

Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte lejuar të pranoheshin shërbimet dhe të kryheshin pagesa edhe pse e dinte se shërbimet e pranuara nuk ishin shërbime konform kushteve të kontratës dhe se ishte në dijeni se shërbimet e pranuara që përfshinin publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që vënin në pah të pandehurën Dhurata Hoxha për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, në të cilat kishte kandiduar edhe e pandehura Hoxha. I akuzuari i radhës, i pandehuri Ekrem Tahiri ngarkohet se nga muaji gusht deri në tetor 2019 në cilësi të bashkëpronarit dhe drejtorit të kompanisë “PR Solution” Shpk, kompania e të cilit kishte hyrë në kontratë me MIE me qëllim të informimit të qytetarëve rreth proceseve të ndryshme të veprimtarisë së MIE-së, me dashje nuk i kishte kryer detyrimet në përputhje me kontratën edhe pse ishe në dijeni se shërbimet e kryera nuk ishin shërbimet të ofruara konform kushteve të kontratës sipas dosjes së tenderit. Me këto veprime, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, megjithatë, siç merret vesh, Prokuroria thuhet se ka pushuar hetimet për veprën penale të mashtrimit, kundër tij. Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurve Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi dhe Fitim Mustafa t’iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike dhe ndaj secilit të pandehur ka kërkuar nga gjykata të shqiptojë dënimin plotësues-urdhrin për kompensimin e dëmit të buxhetit të Kosovës.

Duke pasur parasysh se seanca e parë e Procesit gjyqësor për korrupsion kundër ish Ministres Dhurata Hoxha ka filluar qysh më 1 shtator të vitit 2021 dhe po vazhdon të zhagitet edhe më tej me arsyetime banale të mungesave të palëve në proces, vërtetohet se edhe ky është vetëm një prej rasteve që dëshmojnë se kërkohet punë më e madhe, për të çliruar dhe pastruar sistemin e drejtësisë së kapur nga nëntoka e krimit të organizuar, kur shihet publikisht se të gjitha rastet e ndërlidhura më politikën dhe ish pushtetarët, përfundojnë duke u parashkruar, pa vendime dënuese apo edhe duke u shpallur të akuzuarit të "pa fajshëm"!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".