Lexoni edhe:
Serbia e terroristit Aleksandër Vuçiq nuk heq dorë nga projekti për ndarje të Kosovës me dhunë
Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri
Vendimi i presidentit serb Vuçiq për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme me17 dhjetor të këtij viti, në serbi, shihet se është një skenar kaherë i paramenduar për ta zvarritur qëllimisht dialogun me Kosovën dhe për ti ikur presionit ndërkombëtar në rritje, në mënyrë që të mos i zbatoi as marrëveshjet të cilat deri më tani janë akorduar edhe nga ai vet, pasi që ato nënkuptojnë edhe njohjen de fakto të pavarësisë së Kosovës, ndonëse jo të deklaruar edhe de jure.
-Megjithëse këto tani janë zgjedhjet e tretat me radhë, në vetëm tre vjet e gjysmë, në Serbi ka kohë që pushteti është përballur me trysni në rritje nga opozita pas dy sulmeve masive në pranverën e këtij viti që lanë pas vetes 17 të vrarë, duke rritur zemërimin e publikut dhe nxitur protesta masive kundër qeverisë në Serbi. Është interesant se shpallja e zgjedhjeve të reja, po ndodhë pikërisht pas sulmit terrorist serb, të 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës dhe mu në vlugun e përpjekjeve diplomatike perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, pasi që më 27 tetor, udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane, Francës, Gjermanisë dhe Italisë i kërkuan publikisht Serbisë njohjen “de fakto” të pavarësisë së Kosovës.
Kërkesat në fakt, janë pjesë e përpjekjeve të ripërtërira për të nxitur përmbushjen e marrëveshjeve të arritura gjatë këtij viti në Bruksel dhe Ohër, andaj tani me të vërtetë shtrohet dilema dhe pikëpyetja e madhe se sa do të ndikojë mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në zvarritjen e zbatimit të marrëveshjes që edhe ashtu është vonuar nga dinamika dhe koha që ishte parashikuar. Megjithatë, pas vendimit për shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve, Vuçiq u arsyetua se “po jetojmë në kohë të vështira të sfidave globale, luftërave dhe konflikteve, kur po përballemi me presione të shumta edhe për shkak të marrëdhënieve me Kosovën dhe çështje të tjera rajonale e botërore”.
Ndërsa megjithëse normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja palët që të përparojnë drejt integrimeve evropiane, Serbia e cila ka shpallur anëtarësimin në BE si synim të saj, përveçse vazhdon ta "kundërshtojë" pavarësinë e Kosovës, çuditërisht, ajo vijon ti ruajë edhe lidhjet e ngushta me Rusinë duke refuzuar publikisht t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës përkundër agresionit rus në Ukrainë, por siç dihet, masat ndëshkuese nga BE, fatkeqësisht u vendosën vetëm kundër Kosovës, e jo edhe kundër Serbisë, gjë që vërtetë është veprim shumë i padrejtë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".