Kujdes dhe sy qeltësi nga të gjitha forcat për provokimet serbe në veri

Kujdes dhe sy qeltësi nga të gjitha forcat për provokimet serbe në veri
Kujdes dhe sy qeltësi nga të gjitha forcat për provokimet serbe në veri

Dardan Grapci

  • 22 November 2023 - 07:42

Shkruan: ANALISTI-Dardan Grapci

Qeveria e Kosovës duhet ti analizoje mirë të gjitha raportet analitike të organizatave profesionale të sigurisë lidhur me situatën në veri të Kosovës, e sidomos tash kjo situatë e krijuar me sulmin në Banjskë të 24 shtatorit të këtij viti. Prandaj është me shumë interes që të analizohet dhe shfrytëzohet edhe raporti i institutit për studime të luftës hibride – OCTOPUS, i cili këtë fund javë i ka nxjerr 5 rekomandime të cilat duhet që Qeveria e Kosovës së bashku me SHBA dhe BE ti shqyrtojnë sa më shpejtë që është e mundur dhe të veprojnë në mënyrë preventive kundër cilës do formë të veprimeve ekseseve e provokative.

-Instituti për studime të luftës hibride – OCTOPUS ndër të tjera e cekur se Pranimi i menjëhershëm i Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe Rritja e presionit diplomatik mbi 5 vendet jo njohëse të BE-së për të zhbllokuar perspektivat e Kosovës në BE dhe NATO duhet të ndodhin sa më parë në qoftë se BE dhe SHBA dëshirojnë me pas stabilitet në Kosove dhe Rajon. Pra aktualisht kemi të bëjmë me një analizë shumë serioze dhe që duhet të merret parasysh me kujdes nga Qeveria e Kosovës, dhe jo vetëm kjo e fundit, por të gjitha raportet analitike të organizatave të sigurisë lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, të cilat studiojnë rrezikun e përsëritjes së mundshme të një akti tjetër të ngjashëm kriminal, edhe më fuqishëm të organizuar dhe sofistikuar, pasi sulmi i parë lehtësisht ishte ndaluar dhe banda shkatërruar nga organet e sigurisë së shtetit të Kosovës.

Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” në analizën e fundit thekson se Sulmi në Banjskë sfidon stabilitetin e rajonit dhe kërkon veprime të forta ndërkombëtare dhe jo vetëm vendore. “Octopus” thekson se sulmi paraushtarak nacionalist serb në Banjskë, në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një oficer i Policisë së Kosovës përfaqëson shembullin më të rëndë të dhunës në vend që nga fundi i luftës së vitit 1999 dhe ndërhyrjes së NATO-s. Në analizën e Octopusit thuhet se në Banjskë shihet prova demonstruese se Beogradi ka një vullnet të ripërtërirë për të përdorur dhunën për të formësuar kushtet politike në shtetet fqinje. Pra janë këto konstatime shumë profesionale dhe të qëndrueshme.

Raporti parashtron edhe pesë rekomandime politike, pas ngjarjeve në Banjskë, duke siguruar mbi të gjitha se Beogradi nuk do të rrezikojë ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës. Rekomandimi i parë që është tejet me rëndësi ka të bëjë me vazhdimësinë e dialogut pas sulmit të 24 shtatorit. Ekspertët e sigurisë me të drejtë konstatojnë dhe kërkojnë që të ndodhë përkohësisht

ngrirja e dialogut Prishtinë-Beograd, në pritje të një raporti të plotë dhe të paanshëm për ngjarjet në Banjskë nga një Task Force e NATO-s, sepse përpjekja për të rifilluar dialogun Prishtinë-Beograd aktualisht është e pamatur dhe e paarsyeshme. Me të drejtë në raport thuhet se duke marrë parasysh mungesën e sanksioneve formale kundër Serbisë si nga SHBA ashtu edhe nga BE pas ngjarjeve në Banjskë, një përpjekje e tillë dërgon në mënyrë implicite sinjalin se Perëndimi zyrtar është i gatshëm të tolerojë përdorimin e forcës për të formuar dhe drejtuar negociatat politike midis dy palëve. Dhe kështu, si një sinjal edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, kjo është thellësisht shkatërruese për interesin e vetë Perëndimit për të promovuar normat ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit. Prandaj në këto rrethana, as Kosova, si shtet sovran, nuk mund të lejojë që të detyrohet në negociata politike apo diplomatike me një qeveri që nxit dhunën në territorin e saj; është një propozim politikisht vetëvrasës për çdo qeveri demokratike.

Pra këmbëngulja për rifillimin e dialogut bie ndesh me parimet e politikës perëndimore të shprehura qartë në pika të tjera krizash gjeopolitike të vazhdueshme, mbi të gjitha në Ukrainë dhe Izrael. Si në rastin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, ashtu edhe në sulmet terroriste të Hamasit kundër Izraelit, SHBA-të dhe kryeqytetet e tjera të Kuintit kanë hedhur poshtë negociatat si një alternativë e besueshme ndaj interesave të sigurisë bazë të shteteve ukrainase dhe izraelite. Qeveria e Kosovës po ashtu duhet ta merr seriozisht edhe

Rekomandimin e dytë i cili fokuson rritjen e kapaciteteve të sigurisë, rritjen e Asistencës së Sigurisë për Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, sepse Kosova duhet të njihet si palë sovrane në kontekstin e mosmarrëveshjes me Serbinë, pavarësisht nga pozicioni/pozitat e Beogradit dhe pesë vendeve mos njohëse të BE-së. Prandaj, Kosova duhet t’i gëzojë të drejtat për të gjitha dispozitat e njëjta të shtetësisë si çdo aktor tjetër sovran, aspekti më themelor i të cilit është monopoli i sigurisë mbi të gjithë territorin e shtetit.

Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme, por edhe të shtuar për të qenë në gjendje të projektojnë forcën dhe të ruajnë rendin dhe ligjin në të gjitha pjesët e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun. Autoritetet e Kosovës gjithsesi duhet t’i komunikojnë Quint-it dhe NATO-s se çfarë resurse të sakta kërkojnë, por është e qartë se kjo listë do të përfshijë domosdoshmërish automjete të blinduara të lëvizshmërisë së lartë për policinë e Kosovës, sisteme kundër mjeteve të blinduara dhe sisteme anti-artileri për FSK-në, si dhe Helikopterë për shërbimet e emergjencës së vendit (shih dorëzimin e vitit 2022 të helikopterëve amerikanë Huey II në Forcat e Armatosura të Bosnje-Hercegovinës. Një çështje tjetër e cila vlen të merret në konsideratë nga Qeveria , që është rekomandim i ekspertëve, ka të bëjë me kërkesën eksplicite dhe ultimative për anulimin e masave të SHBA-së dhe BE-së kundër Kosovës.

Pra pas sulmit terrorist serb në veri të Kosovës është e domosdoshme që masat e SHBA-së dhe BE-së kundër Kosovës, të vendosura në fillim të këtij viti pas trazirave nacionaliste serbe në Zveçan, e cila rezultoi në lëndime të më shumë se dy duzinave me ushtarë të KFOR-it, të anulohen sepse tashmë lakuriq është zbuluar fajtori dhe dizajnuesi e hartuesi i skenarit që është zbatuar atje për ta destabilizuar gjendjen. Këto kuazi-sanksione pa dyshim e trimëruan më tej Vuçiqin dhe elementët ekstremistë serbë të lidhur përpara sulmit në Banjskë dhe rritën asimetrinë ekzistuese në qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj të dy palëve.

Pra, zyrtarët perëndimorë mund të vazhdojnë të jenë të zemëruar nga kundërshtimi i qeverisë Kurti ndaj implantimit të njëanshëm të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, domethënë transferimit të mëtejshëm të autoriteteve të qeverisjes lokale në një pjesë të vogël të komunave me shumicë serbe në veri, pa ndonjë lëvizje politike nga Beogradi, por qeveria Kurti ka ofruar lëshime të arsyeshme drejt realizimit të së njëjtës, dhe shqetësimet e saj për armatosjen e elementeve kriminale dhe ekstremiste brenda veriut nga ana e Serbisë janë dëshmuar, fatkeqësisht, të matura dhe të sakta. Deri në një zhvillim të ri të procesit të dialogut, gjithsesi duhet shtruar urgjentisht dhe seriozisht kërkesën për pranimin e menjëhershëm i Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s Ky është një vendim që NATO mund ta japë me lehtësi të madhe, pa pëlqimin apo inputin e Serbisë, Rusisë apo Kinës. Barriera më e rëndësishme është mosnjohja e sovranitetit të Kosovës nga katër shtete anëtare të NATO-s.

Megjithatë, pa dyshim, Aleanca ka kapacitetin për të siguruar pranimin e Kosovës në programin e PfP-së edhe nëse jo-njohësit mbajnë zyrtarisht qëndrimet e tyre ekzistuese; ata thjesht nuk do të duhej të kundërshtonin hyrjen e Kosovës në program. Për të qenë strategjia mbrojtëse plotësisht e kompletuar dhe e sigurt , duhet të fokusohet edhe rritja e presionit diplomatik mbi 5 vendet jo njohëse të BE-së për të zhbllokuar perspektivat e Kosovës në BE dhe NATO. Kryeqytetet e Quintit duhet të ushtrojnë presion shumë më të madh diplomatik mbi homologët e tyre në këtë grup për t’i shtyrë ata, individualisht dhe kolektivisht, drejt njohjes së plotë të sovranitetit të Kosovës. Pra, duhet shpjeguar, në terma të qartë, se kjo nuk është më një çështje e prioriteteve thjesht të brendshme; është çështje e besueshmërisë dhe integritetit të të gjithë projektit euroatlantik, në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".