Kosova e gozhduar me Asociacionin, kusht për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës

Kosova e gozhduar me Asociacionin, kusht për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës
Kosova e gozhduar me Asociacionin, kusht për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës

Gani Qarri

  • 30 November 2023 - 16:41

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Sipas këtij raporti të publikuar nga ekspertët e Komisionit Evropian, del në pah se çështja e Asociacionit, është një kusht shumë sfidues dhe i pa tejkalueshëm për anëtarësimin e Kosovës edhe në Këshillin e Evropës, gjë që kushtëzon për veprim pa vonesë Qeverinë që ta jep versionin e vetë final për Asociacionin, bazuar në ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, si version të pa negociueshëm, të pa diskutueshëm, dhe të pa ndikueshëm nga interesat e Serbisë.

 

Përmbajtja e raportit të ekipit raportues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duket qartë se vërtetë, do ti sfidojë shumë institucionet e Republikës së Kosovës duke filluar nga Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca, përfshi opozitën dhe spektrin e gjerë politik, raport që bënë një analizë të detajuar të gjendjes në Kosovë që nga përfundimi i luftës, dhe të gjitha zhvillimet që e kanë përcjellë atë, deri në fazën e fundit të dialogut me Serbinë, një proces ky i filluar tash e një dekadë më parë dhe ende është duke vazhduar! Raport që ndahet në gjashtë pjesë, si: hyrja, korniza kushtetuese, demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe konkluzionet kyçe. Kurse në pjesën që i referohet Kuvendit të Kosovës, thuhet se përfaqësuesit e partive opozitare dhe rregullorja e Kuvendit ofron hapësirë të mjaftueshme që opozita të shfaq zërin e saj dhe se të drejtat e opozitës në përgjithësi respektohen. Madje edhe disa komisione të rëndësishme kryesohen nga opozita, një e treta e deputetëve të Kuvendit mund të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor dhe gjashtë anëtarë të Kuvendit kanë të drejtën e iniciativës legjislative. Kuvendi ka marre minus për shkak të bojkotimit nga opozita dhe komuniteti serb, si dhe për mosmiratimin e Kodit Civil, që dështoi vitin e kaluar të miratohet dhe nga atëherë nuk është proceduar më, në Kuvend, ngase bojkotimi nga opozita dhe përfaqësuesit serbë e bën më të vështirë punën efektive të Kuvendit. “Dëgjuam kritika nga disa bashkëbisedues kosovarë dhe ndërkombëtarë për një proces joefikas të ligjbërjes me miratimin e ligjeve të rëndësishme si Kodi Civil dhe ndryshimet në ligjin për lirinë e besimit që po vonohen në mënyrë të paarsyeshme. Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën tregon mungesën e shpeshtë të kuorumit si arsye për vonesa të tilla-[31], kurse polarizimi i shtuar dhe bojkotimi i Kuvendit nga partitë opozitare dhe përfaqësuesit serbë të Kosovës e bëjnë gjithnjë e më të vështirë punën efektive të Kuvendit. Ndryshe, përfaqësuesit e Kuvendit iu referuan numrit të madh të ligjeve të miratuara gjatë legjislaturës aktuale dhe shprehën keqardhje për bojkotimin e Kuvendit nga përfaqësuesit e komunitetit serb dhe mungesën e pluralizmit politik brenda këtij komuniteti. Kjo ndodh edhe për faktin se të gjithë përfaqësuesit serbë i përkasin një partie të vetme, Listës Serbe, e cila konsiderohet gjerësisht si instrument i politikës së Beogradit dhe jo një parti e interesuar për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë. Ata pavarësisht se ishin ftuar, përfaqësuesit e Listës Serbe nuk iu përgjigjën ftesës sonë për t’u takuar! Raportuesit kanë vlerësuar se zgjedhjet në Kosovë përgjithësisht konsiderohen si të lira, të ndershme dhe konkurruese, pjesë e raportit ku janë përmendur edhe zgjedhjet në Veri, derisa për kryetarët aktualë thuhet se u mungon legjitimiteti dhe se duhet të gjendet një zgjidhje politike. Në raport flitet për Qeverinë dhe përbërjen e saj, teksa thekson ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili duket i motivuar për të përmirësuar pozitën e komuniteteve jo shumicë por ka pak mbështetje politike brenda komunitetit serb. “Në kuadër të Qeverisë ekziston edhe një zëvendëskryeministër boshnjak për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut dhe një ministër serb për komunitete dhe kthim. Ekziston edhe një Ministër Turk i Zhvillimit Rajonal dhe një Ministër Egjiptian i Administrimit të Pushtetit Lokal. Zëvendëskryeministri përgatiti një draft Strategji për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre. Fondet buxhetore për programet që do të realizohen nën përgjegjësinë e Ministrit për Komunitete dhe Kthim janë të kufizuara.” Raportuesit kanë bërë të ditur se Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur kënaqësi me gjendjen e vetëqeverisjes lokale duke përfshirë edhe decentralizimin financiar. Në pjesën për vetëqeverisjen lokale flitet sërish për komunat në Veri, ku thuhet se autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë përpjekje për ta inkurajuar elektoratin serb të marrë pjesë në zgjedhje, por pjesa më sfiduese është Asociacioni, që është bërë teme e veçantë e diskutimit edhe në dialogun e ndërmjetësuar me Serbinë nga faktori ndërkombëtar.“ Sa i takon situatës aktuale në komunat e veriut, autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë përpjekje për të inkurajuar komunitetin serb të Kosovës që të marrë pjesë në procesin zgjedhor, edhe nëse nuk janë të vetmet që kanë ndikim në një pjesëmarrje të tillë”, thuhet më tej. Hapësirë të madhe zë në këtë raport çështja e Asociacionit, për të cilin thuhet se ka qenë burimi kryesor i tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mes autoriteteve të Kosovës dhe komunitetit serb. “Marrëveshja e parë mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013 e ndërmjetësuar nga BE, parashikon: “Do të ketë një Asociacion/Bashkësi të komunave me shumicë serbe në Kosovë” në përputhje me Kartën Evropiane. -Qeveria dhe ligji i Kosovës dhe Asociacioni/Bashkësia do të kenë ‘vështrim të plotë të fushave të zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural’.[34] Kjo marrëveshje, e cila është nënshkruar nga kryeministri i Kosovës (dhe Serbisë), është ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare më 27 qershor 2013 nga Kuvendi i Kosovës.” Sipas raportuesve, origjina e këtyre marrëveshjeve dhe dispozitave gjendet në raportin e Martti Ahtisaarit, për të cilin thotë se vuri në dukje pozitën dhe të drejtat e komuniteteve “e cila është e vërtetë edhe sot sa ishte në vitin 2007”. Përderisa liderët e Kosovës i kanë shtuar përpjekjet e tyre për të kontaktuar serbët e Kosovës dhe për të përmirësuar zbatimin e standardeve, mbrojtja e të drejtave të komuniteteve pakicë kërkon angazhimin e tyre edhe më të madh. Në të njëjtën kohë, serbët e Kosovës duhet të angazhohen në mënyrë aktive në institucionet e Kosovës. Ata duhet të ndryshojnë pozicionin e mosbashkëpunimit; me përfundimin e bojkotit të tyre ndaj institucioneve të Kosovës, që të mund të mbrojnë efektivisht të drejtat dhe interesat. Në bazë të këtij vlerësimi, Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, i cili iu bashkëngjit raportit nga i dërguari special, përfshinte formulimin e mëposhtëm nën titullin e decentralizimit: Dispozitat e gjera të decentralizimit synojnë të promovojnë qeverisjen e mirë, transparencën, efektivitetin dhe qëndrueshmërinë fiskale në shërbimin publik. Propozimi fokusohet në veçanti në nevojat dhe shqetësimet specifike të komunitetit serb të Kosovës, i cili do të ketë një shkallë të lartë të kontrollit mbi punët e veta. Elementet e decentralizimit përfshijnë, ndër të tjera: kompetencat e zgjeruara komunale për komunat me shumicë serbe të Kosovës (siç janë fushat e kujdesit të mesëm shëndetësor dhe arsimit të lartë); autonomi e gjerë komunale në çështjet financiare, duke përfshirë marrjen e fondeve transparente nga Serbia; dispozitat për partneritetet ndër komunale dhe bashkëpunimin ndërkufitar me institucionet serbe; dhe themelimi i gjashtë komunave të reja ose të zgjeruara dukshëm me shumicë serbe të Kosovës.” “Një dokument i titulluar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/ elementet kryesore” është përgatitur në vitin 2015 për të zbatuar marrëveshjen e vitit 2013. Presidenti i atëhershëm i Kosovës ia referoi këtë dokument Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim të kushtetutshmërisë së tij. Gjykata Kushtetuese në dhjetor 2015 e shpalli këtë dokument si antikushtetues në disa aspekte.” ngase kuadri ligjor i propozuar “nuk përmbushte plotësisht standardet kushtetuese, megjithatë, Gjykata nuk e përjashtoi mundësinë e një asociacioni në përgjithësi. Gjykata u mor me propozimet specifike të paraqitura në Parimet e Përgjithshme dhe Gjykata u shqetësua ndër të tjera nga paqartësia e termit “exercise full overvieë” (në versionin anglisht) dhe përkthimet e tij të ngjashme, por jo identike në gjuhën shqipe dhe serbe. Për më tepër, Gjykata vuri në dukje se Parimet në lidhje me strukturën organizative të Asociacionit/Bashkësisë ngritën shqetësime në lidhje me respektimin e diversitetit të komuniteteve rezidente brenda komunave pjesëmarrëse dhe pasqyrimin e këtij diversiteti në personelin dhe strukturat e Asociacionit/Komunitetit siç kërkohet nga Kushtetuta. Gjykata konstatoi se Asociacionit/Bashkësisë nuk mund t’i jepet autoriteti i plotë dhe ekskluziv për të promovuar interesat e komunitetit serb të Kosovës vetëm në marrëdhëniet e tij me autoritetet qendrore.” Në raport thuhet se politikanët kosovarë e kanë përdorur vendimin e kushtetueses për asociacionin, për të deklaruar se themelimi i tij është antikushtetues dhe nuk është arritur marrëveshje për statutin e mundshëm të një asociacioni të tillë. Tutje thuhet se në momentin që raportuesit e kanë vizituar Kosovën, qeveria nuk dëshironte të themelonte asociacionin. “Ky gjykim është përdorur nga politikanët kosovarë për të deklaruar se themelimi i një shoqate të tillë është antikushtetues në vetvete dhe nuk është arritur marrëveshje e re për statutin e mundshëm të një shoqate të tillë. Në momentin e vizitës sonë, qeveria aktuale duket se nuk dëshiron të themelojë një shoqatë të tillë.” Mirëpo, ajo që paraqet problem të madh në këtë raport është kontestimi i konstatatimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e raportuesve, Raportuesit thonë se një interpretim i tillë i vendimit të Kushtueses është abuziv. “73. Përderisa Gjykata ishte kritike për dokumentin specifik të dorëzuar në të, ajo shprehimisht u shpreh “që Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe do të themelohet siç parashihet në Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe të shpallur nga Presidenti i Republikës së Kosovës”. Sa i përket asociacionit, disa bashkëbisedues i kanë thënë raportuesve se asociacioni mund të bëhet instrument i autoriteteve serbe për të ndërhyrë në Kosovë dhe se mund të përdoret për qëllime separatiste. “82. Disa bashkëbisedues shprehën shqetësimin se një shoqatë e tillë mund të bëhet instrument i autoriteteve serbe për të ndërhyrë në Kosovë dhe madje mund të përdoret për qëllime separatiste duke pasur parasysh situatën aktuale në veri të Kosovës dhe në entitetin Republika Srpska të Bosnje-Hercegovinës. Është legjitime të kërkohet që statuti i shoqatës të jetë në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe nuk ka asnjë obligim për Kosovën të pranojë që një shoqate të tillë, t’i jepen kompetencat që normalisht u përkasin autoriteteve qendrore. Shtrirja e kompetencave të komunave është gjithsesi mjaft e gjerë dhe, sipas legjislacionit të Kosovës, disa komuna serbe, bazuar në propozimin e Ahtisaarit, kanë zgjeruar kompetencat në fushën e kujdesit të mesëm shëndetësor dhe arsimit, dhe të gjitha komunat me shumicë serbe i kanë përmirësuar kompetencat në fushën e kulturës.[38] Duket se nuk ka asnjë arsye ligjore pse këto komuna nuk duhet të jenë në gjendje, në baza vullnetare, të bashkërendojnë ushtrimin e kompetencave të tyre dhe të bashkojnë në raste të përshtatshme ushtrimin e këtyre kompetencave, duke u kuptuar se ka kufizime për një bashkim të tillë pasi që komunat me shumicë serbe në jug nuk kanë territor të afërt. Kjo qasje është në përputhje me planin e Ahtisaarit, i cili parasheh që “Përgjegjësitë komunale në fushën e kompetencave të tyre dhe të zgjeruara mund të ushtrohen përmes partneriteteve komunale”, thuhet aty. Më tutje përmendet takimi i Kurtit me Vuçiqin më 27 shkurt, ku u akorduan për njohjen reciproke të pasaportave, diplomave, targave dhe vulave doganore dhe se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. “83. Më 27 shkurt 2023, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ranë dakord për skicat e një marrëveshjeje të re, pas përpjekjeve të ndërmjetësimit të BE-së nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.[4] Të dyja palët ranë dakord ndër të tjera që të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet e tyre përkatëse kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore; dhe se Serbia nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa neni 7 i referohet “një niveli të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”. Sipas raportuesve, krijimi i asociacionit është obligim ndërkombëtar i Kosovës dhe se duket i domosdoshëm për të reduktuar tensionet. Raportuesit kanë rekomanduar se duhet të themelohet asociacioni në përputhje me rendin juridik të Kosovës. 84. Mundësia për të krijuar një shoqatë të tillë nuk është një kërkesë e përgjithshme që rezulton nga standardet e Këshillit të Evropës. Në rastin e Kosovës, megjithatë, është obligim ndërkombëtar i Kosovës dhe duket i domosdoshëm për të reduktuar tensionet ndërmjet shumicës dhe komunitetit serb të Kosovës. Prandaj rekomandohet që autoritetet e Kosovës të braktisin kundërshtimin e tyre ndaj themelimit të Asociacionit dhe të hyjnë në negociata me mirëbesim për statutin e mundshëm të një shoqate të tillë, i cili do të duhej të ishte plotësisht në përputhje me rendin juridik të Kosovës.” Dhe sipas këtij raporti, del në pah, se çështja e Asociacionit, është një kusht shumë sfidues dhe i pa tejkalueshëm për anëtarësimin e Kosovës edhe në Këshillin e Evropës, gjë që kushtëzon për veprim pa vonesë Qeverinë që ta jep versionin e vetë final për Asociacionin, bazuar në ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, si version të pa negociueshëm, të pa diskutueshëm, dhe të pa ndikueshëm nga interesat e Serbisë. Një version pa kompetenca ekzekutive, vetëm për përmbushjen e kërkesave elementare të mbrojtjes, zhvillimit dhe avancimit kulturor, ekonomik e politik të komunitetit pakicë serb, ku u garantohen të drejtat e barabarta të të gjithë qytetarëve pa dallime etnike dhe politike, ashtu sikur e përcaktojnë ligjet dhe kushtetuta, garantohet sovraniteti dhe integriteti i pa cenueshëm i shtetit të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".