Shuplaka e parë e BE-së kundër Serbisë, paralajmërim serioz për izolim dhe ndëshkim

Shuplaka e parë e BE-së kundër Serbisë, paralajmërim serioz për izolim dhe ndëshkim
Shuplaka e parë e BE-së kundër Serbisë, paralajmërim serioz për izolim dhe ndëshkim

Gani Qarri

  • 14 December 2023 - 22:03

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

 

Miratimi zyrtar i konkluzave të Këshillit të Ministrave të BE-së për Serbinë, është dëshmi se Serbia më në fund, mori mesazhin serioz të rrezikut për izolim nga BE, si dhe paralajmërimin ultimativ për normalizim dhe njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si shtete të pavarura, që në fakt është edhe kriteri fundamental për anëtarësimin e Serbisë në BE.

 

Gëzon shumë fakti se përveç reflektimit pozitiv ndërkombëtar edhe 13 kryesues të komiteteve për punë të jashtme nga vendet kryesore të BE-së, u kanë bërë thirrje Josep Borrell-it, dhe emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, që t’i largojnë urgjentisht të gjitha masat ndëshkuese, të vendosura padrejtësisht nga BE, ndaj Kosovës, si dhe të bëhet hetim i plotë i sulmit terrorist serb, të udhëhequr nga krye terroristi Milan Radojçiq, me 24 shtator në Banjë të Zveçanit, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, tani hero i Republikës së Kosovës. Për aq më tepër, miratimi zyrtar i konkluzave të Këshillit të Ministrave të BE-së për Serbinë, faktikisht ndërlidhet direkt me ndryshimin e Kapitullit 35 për Serbinë, në të cilat Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së i propozojnë Këshillit të Evropës, që para fundit të janarit të vitit të ardhshëm, të futen ndryshimet në kriteret e kapitullit 35 në negociatat e Serbisë, për të reflektuar detyrimet e Serbisë, të cilat rrjedhin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Andaj, kjo është goditja më e rëndë e ardhur si paralajmërim i drejtpërdrejtë për Serbinë, se ku dhe si duhet të pozicionohet, pro integrimit evropian, apo dëshiron kthimin e plotë nga politika ruse dhe distancimin nga BE, që nënkupton edhe heqjen dorë nga procesi i integrimit në BE! Madje në pjesën e konkluzioneve për Serbinë, thuhet se përparimi i Serbisë në sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të vazhdojë të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjithashtu Këshilli rithekson pritshmërinë e tij të forta nga Serbia për të rritur përpjekjet drejt harmonizimit të politikës së saj, me qëndrimet e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, si dhe masat kufizuese, kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, si çështje prioritare, duke e ftuar Serbinë, që në politikën e jashtme, të përmbahet nga veprimet dhe deklaratat kundër qëndrimeve të BE-së. Në dokumentin final, nga Serbia kërkohet edhe ndëshkimi i sulmeve terroriste në veri të Kosovës, me ç`rast Këshilli rithekson fort, se nuk ka asnjë justifikim për dhunën e bandave kriminale serbe dhe dënon fuqishëm aktet kriminale të demonstruesve minoritar serb, kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe medieve më 29 maj të këtij viti. Po ashtu, Këshilli dënon rëndë edhe sulmin terrorist serb të 24 shtatorit 2023 në veri ndaj Policisë së Kosovës, si dhe pret që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për arrestimin sa më parë, të autorëve të sulmit terrorist dhe vënien e shpejtë të tyre para drejtësisë. Njëkohësisht Këshilli shpreh gjithashtu keqardhjen, që Serbia, deri më tani, nuk ka marrë masa të mjaftueshme në këtë drejtim dhe dëshmon shqetësimin për rivendosjen dhe grumbullimin e përsëritur të ushtrisë serbe, në afërsi të kufijve të Kosovës, duke rikujtuar se në përputhje me konkluzionet e tetorit, të Këshillit Evropian, dështimi i palëve për të de-përshkallëzuar tensionin, do të ketë pasoja. Këshilli Evropian pret nga Serbia dhe Kosova, që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme, që garanton siguri dhe demokraci për të gjithë qytetarët në veri ndaj dhe kërkon nga Serbia, që të angazhohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, me mirëbesim dhe frymën e kompromisit dhe trashëgimisë së BE-së, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve me Kosovën.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".