Qeveria dhe institucionet e drejtësisë të intervenojnë për shpëtimin e Telekomit të Kosovës nga zhvatja e organizuar kriminale e oligarko mafiesë

Qeveria dhe institucionet e drejtësisë të intervenojnë për shpëtimin e Telekomit të Kosovës nga zhvatja e organizuar kriminale e oligarko mafiesë
Qeveria dhe institucionet e drejtësisë të intervenojnë për shpëtimin e Telekomit të Kosovës nga zhvatja e organizuar kriminale e oligarko mafiesë

Gani Qarri

  • 21 February 2024 - 07:37

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

Rasti më i ri kriminal i vijimit të përpjekjes për zhvatje dhe rrënim të Telekomit të Kosovës nga nëntokë e krimit të organizuar, po dëshmon përfundimisht, se edhe sistemi i drejtësisë është vënë hapur në mbrojtjen publike të krimit të organizuar dhe abuzuesi më i madh i sistemit të së drejtës, edhe kundër vet interesit të shtetit! Kjo ka bërë që drejtuesit e Telekomit të Kosovës,ditën e hënë në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, të alarmojnë për rrezikun e drejtpërdrejtë që po i kanoset kësaj ndërmarrje publike nga lidhja e fuqishme e krimit të organizuar me sistemin e drejtësisë. Me këtë rast, u cekën vendimet abuzive dhe të pa drejta kundër Telekomit të Kosovës, në favor të kompanisë inekzistente “Dardafon.net” të vëllezërve Devolli.

-Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës ka adresuar veçanërisht kritika të ashpra kundër vendimit të pa drejtë të Gjykatës Komerciale, duke hedhur dyshimet e bazuara, se individë brenda sistemit të drejtësisë në vend janë shndërruar në instrument të interesave të jashtëligjshme dhe në cenim të pronës së Telekomit të Kosovës. Në këtë alarm të ngritur para medieve u tha se Individë brenda sistemit të drejtësisë, brenda Gjykatës Komerciale, Dhoma e Shkallës së Parë, me vendime gjyqësore të vazhdueshme në kundërshtim të plotë me vendimet gjyqësore të niveleve më të larta të gjyqësorit, duke mos respektuar fare procedurat ligjore, po mbrojnë hapur interesat e paligjshme të grupeve të krimit të organizuar, duke u përpjekur që ta dëmtojnë rëndë interesin publik, e veçanërisht kompaninë tonë publike.

Kjo përpjekje për të dëmtuar kompaninë publike, po bëhet pikërisht në kohën kur janë duke ndodhur investime të mëdha në infrastrukturën telekomunikuese, përmes të cilave investime qytetarëve do t’u ofrohen shërbime me kualitet më të lartë dhe të sigurta. Për më keq, kjo goditje përpiqet të bëhet pikërisht në kohën e festës së Pavarësisë së vendit tonë, duke llogaritur se administrata dhe vendimmarrja ndodhen në pushim. Ndërsa siç u tha në konferencën për media, problemi ka të bëjë me faktin se Gjykata Komerciale e Kosovës në vendimin e saj për rastin e procedurës përmbarimore mes debitorit – Telekom Kosova dhe kreditorit “Dardafon.net” ka vendosur para 7 muajsh lidhur me ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të vitit 2016.

Përmes këtij vendimi, Gjykata Komerciale e detyron Telekomin e Kosovës që t’ia paguajë kreditorit “Dardafon.net” shumën 5,732,871.34 euro në një afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G. Marrëveshja kishte shkuar deri në Tribunalin e Arbitrazhit, i cili kishte vendosur në favor të “Dardafonit”. Sipas Telekomit, vendimi i Arbitrazhit ishte mbi 27 milionë euro, kurse Telekomi veçse kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj “Dardafonit”. Sipas Telekomit të Kosovës, kompanisë “Dardafon” i janë paguar mbi 13 milionë euro më shumë. Për këtë rast të përmbarimit ishte bërë një ekspertizë financiare, të cilën e kishte përpiluar eksperti financiar Remzi Ismajli, i cili ishte caktuar nga Organi përmbarues në bazë të vendimit të Gjykatës Komerciale të datës 27 tetor 2022, për nxjerrjen e provës me ekspertizë financiare.

‘’Sipas Konkluzionit të organit përmbarues, si dhe sipas ekspertizës financiare e po ashtu sqarimeve të dhëna të ekspertit financiar në seancën e datës 25.04.2023, gjykata vlerësoi se detyrat për nxjerrje të provës me ekspertizë financiare janë dhënë në mënyrë të duhur dhe në kuadër të kufijve të titullit përmbarimor, në raport me zhvillimet në procedurë përmbarimore si deri më tani’’ – thuhet në vendimin e Gjykatës. I njëjti në ekspertizë kishte përcaktuar se Telekomi i Kosovës ka mbetur pa i paguar “Dardafonit” edhe rreth 5,732,871.34 euro,kurse ekspertiza sipas Ismajlit ishte përpiluar për katër ditë pune,por për këtë rast nuk ishte kontaktuar Telekomi i Kosovës pasi që kishte informacione të mjaftueshme në përgjithësi, nga shkresat e lëndës. Telekomi i Kosovës kishte propozuar që të bëhet një ekspertizë e re financiare për rastin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”. Gjykata e Prishtinës më 25 prill 2023, kishte refuzuar propozimin e Telekomit të Kosovës për një ekspertizë të re për rastin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”.

Lidhur më këtë çështje, Gjykata ka vlerësuar se ‘’kundërshtimet dërmuese shtrihen mbi mënyrën e llogaritjes së interesit mbi borxh, por që nga elaborimi dhe rishikimi i hollësishëm i ekspertizës financiare, gjykata është bindur se kundërshtimet e debitorit janë të paqëndrueshme’’. Mirëpo zyrtarët e Telekomit të Kosovës i kanë konsideruar këto veprime dhe vendime të Gjykatës Komericale të pa drejta, madje edhe duke ju mohuar e drejta e apelimit sipas ligjit. Ata kanë alarmuar se qëllimi i zhvatjes së mjeteve që i kërkohen tani Telekomit të Kosovës, në emër të biznesit inekzistent, kompanisë “Dardafon”, është nxjerrja e tyre jashtë vendit dhe shtrirja për toke e telekomit,me rrezikimin serioz të falimentimit. Andaj ky është një moment kritik kur do të duhej intervenuar edhe qeveria e Kosovës, si aksionari kryesor në pronën e telekomit të Kosovës për ta shpëtuar atë nga zhvatja kriminale e grupeve mafioze të interesit të lidhura thellë me sistemin e inkriminuar të drejtësisë, në këtë rast më individ të cilët nëntoka kriminale ka arritur ti infiltrojë edhe në Gjykatën Komerciale.

Në reagimin publik, para mediave të menaxhmentit të Telekomit të Kosovës u tha të hënën se është antiligjor dhe i dëmshëm aktvendimi e Gjykatës Komerciale për kontestin nga vendimi i Arbitrazhit të 2016-s me kompaninë “Dardafon/Zmobile”, duke thënë se sipas këtij vendimi, hapen rrugë për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit “dhe grabitjen e shumës prej mbi 5.7 milionë € të tjera”. Menaxhmenti i Telekomit alarmon se vendimi i shkallës së parë të Komerciales u bë në mënyrë të padrejtë dhe abuzive nga gjyqtari Hasan Kryeziu, duke theksuar se ky vendim u mor duke mos respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. “Gjatë kohës që Telekomi i Kosovës po e priste ftesën për mbajtjen e seancës përgatitore dhe për zgjedhjen e institucionit që do ta bënte ekspertizën financiare, sipas direktivave të Dhomave të Shkallës së Dytë, siç kërkohet nga neni 199 i LPK-së, me datën 16.02.2024, e pranuam Aktvendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, i marrë në të njëjtën ditë dhe në mënyrë tërësisht abuzive nga gjyqtari i çështjes, pa u mbajtur asnjë seancë ku palët do të mund t’i paraqitnin pretendimet dhe provat e tyre dhe pa e caktuar fare ekspertizën financiare siç kërkohet në Vendimin e Shkallës së Dytë”, thuhet në reagimin e menaxhmentit te Telekomit te Kosovës. Advertisementi Telekomi ka shtuar se duhen të ndërmerren veprime urgjente për të parandaluar krimin financiar, derisa ka potencuar se ky vendim ka elemente të qarta kriminale. Ai ka paralajmëruar se ndaj këtij vendimi mund të bëhet ankesë në shkallën e dytë, por që kjo s’mund ta ndalojë ekzekutimin e tij, kurse mjetet e plaçkitura mundë të “avullohen” jashtë vendit me pamundësi të kthimit, edhe nëse më pastaj fitohet kontesti.

“Në ndërkohë, me të gjitha provat dhe faktet e paraqitura në Gjykatë, është vërtetuar se Telekomi i Kosovës e ka paguar shumën prej mbi 40 milionë € në emër të vendimit të Arbitrazhit, ndonëse obligimi nga Vendimi i Arbitrazhit ishte për rreth 27 milionë €. Kështu, deri tani Telekomi i Kosovës, në mënyrë të dhunshme, është detyruar të paguajë mbi 13 milionë € më tepër. Sipas aktvendimit në fjalë, plaçkitja e shumës prej 5.7 milionë € rezulton të jetë një pagesë e tepërt, mbi 19 milionë € më e lartë se shuma e obliguar sipas Vendimit të Arbitrazhit”, thuhet tutje në reagim. Telekomi ka shtuar se pas rigjykimit të çështjes në shkallë të dytë, vendimi do të jetë në favor të tij pasi “s’ka si të jetë ndryshe”. Por e keqja do të jetë sepse paratë e Telekomit, që do të derdhen në llogaritë bankare të “Dardafon”, mund të transferohen menjëherë jashtë vendit. “Gjyqtari i rastit në vendimin e tij përpiqet të manipulojë me qëndrimin e Telekomit të Kosovës se kinse Telekomi po e mohon lartësinë e detyrimit të vendimit të arbitrazhit. Kjo s’është aspak e vërtetë dhe mund të vërtetohet në të gjitha shkresat e lëndës. E vërteta është se Telekomi jo vetëm që e ka njohur lartësinë e obligimit të dalë nga arbitrazhi, por edhe ka paguar mbi 13 milionë € më tepër. Për këtë mbi pagesë Shkalla e Dytë me të drejtë ka kërkuar që të bëhet ekspertizë financiare nga ndonjë kompani e licencuar e auditimit.

Prandaj themi se vetëm ekspertiza financiare e vendos drejtësinë në këtë çështje. Ne besojmë fuqishëm që në rigjykimin e Shkallës së Dytë ‘Dardafon’ do të detyrohet t’ia kthejë Telekomit paratë e tepërta të marra padrejtësisht. Por atëherë do te jetë tepër vonë, sepse llogaritë e Dardafonit mund të jenë të zbrazura. Pra, Telekomi do ta ketë në dorë vendimin e gjykatës, që i jep të drejtën e kthimit të parave, por paratë mund të jenë në posedim të fshehtë të pronarëve të ‘Dardafon’”, thuhet në reagimin alarmues të menaxhmentit të Telekomit të Kosovës, ky pra është edhe një rast kur do të duhej hapur edhe kallzim penal kundër gjyqtari të Gjykatës Komerciale Hasan Kryeziu, për lidhje me krimin e organizuar dhe bashkëpunim në planin e rrezikshëm të zhvatjes i cili e qon Telekomin e Kosovës drejtë falimentimit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".