Përvjetori i parë i marrëveshjes bazike të Brukselit, koha e vlerësimit kritik dhe ndëshkimit të Serbisë për bllokim me mos zbatim

Përvjetori i parë i marrëveshjes bazike të Brukselit, koha e vlerësimit kritik dhe ndëshkimit të Serbisë për bllokim me mos zbatim
Përvjetori i parë i marrëveshjes bazike të Brukselit, koha e vlerësimit kritik dhe ndëshkimit të Serbisë për bllokim me mos zbatim

Gani Qarri

  • 29 February 2024 - 07:40

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Më 27 shkurt të vitit të kaluar në Bruksel u arrit marrëveshja bazike, kurse me 18 mars në Ohër u dakordua aneksi për implementim, me 14 shtator në Bruksel, u mbajt takimi për implementim, me 26 tetor në Bruksel po ashtu përpjekje e radhës, siç u veprua edhe me 8 shkurt në Nju York, pra plot pesë herë u ofrua edhe publikisht nënshkrimi i marrëveshjes, por të pesë herët, u refuzua vendosja e nënshkrimit nga Serbia.

-Përmbyllja e një viti të plotë nga arritja e marrëveshjes së parë bazike me Serbinë dhe mungesa e rezultateve të zbatimit të saj, dëshmon se është pikërisht pala serbe, ajo që po përpiqet të mashtrojë, të blejë kohë dhe përfitojë në procesin e integrimeve evropiane, duke mos i zbatuar as marrëveshjet e akorduara dhe të përafruara me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar. Madje edhe pas dakordimit të Brukselit dhe Ohrit, kriminelët serb shantazhuan e kërcënuan pjesëtarët lojal të pakicës serbe në Kosovë, që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të prillit të kaluar, sulmuan një muaj më pas institucionet tona, KFOR-in dhe gazetarët, rrëmbyen brenda territorit të Kosovës tre zyrtarë policorë, sulmuan veriun e shtetit tonë me 24 shtator në aktin e agresionit terrorist të Banjskës, afruan trupat ushtarake përreth kufirit të vendit tonë dhe si kërcënim i qartë dhe i hapur, deklaruan publikisht se nuk do ta njohin integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Pra, edhe tani kur ka kaluar një vit i plotë, në vend të zbatimit të marrëveshjeve, Serbia provokon eksese e shkakton kriza të reja, që thellojnë edhe më tepër, dallimet e mosmarrëveshjet dhe vazhdon situata e tensionuar pa zbatim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit. Përtej kësaj, Serbia ka shkelur edhe tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe nene të Aneksit Implementues. Andaj tanimë kur edhe po shënohet një vit nga dita kur u dakordua marrëveshja, megjithëse palët, tanimë do duhej të ishin në rrugën drejtë zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes së Brukselit, Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e rrjedhimisht dhe zbatojë marrëveshjen. Për aq më tepër, përgjatë kësaj periudhe një vjeçare procesi ka pasur një përballje me shkelje të vazhdueshme të Serbisë, duke filluar nga eskalimet e saj në terren, refuzimin verbal dhe zyrtar të marrëveshjes dhe qasjes së vazhdueshme destruktive deri në kërcënim të hapur, për agresion me forca ushtarake, ndaj tërësisë territoriale të Kosovës. Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, në dhjetor të vitit të kaluar, Serbia konfirmoi edhe zyrtarisht me shkrim refuzimin e Marrëveshjes së Brukselit përmes letrës së kryeministres Brnabiq drejtuar Bashkimit Evropian. Në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan katërçipërisht se Serbia po e pengon fuqishëm normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.

Kështu që duke pasur parasysh se përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve,Kosova nga ana e saj, po qëndron konstruktive dhe e angazhuar për zbatimin e plotë, e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit implementues të Ohrit, ngërçi njëvjeçar i bllokimit të procesit për zbatimin e marrëveshjes,nga pala serbe, mjafton që të mendohet seriozisht dhe merret vendimi urgjent për sanksionimin e Serbisë hegjemoniste. Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka deklaruar se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i saj implementues, duhet të zbatohen sa më parë, duke insistuar nga pala tjetër nënshkrimin e marrëveshjeve dhe fillimin e zbatimit konstruktiv të tyre.

Aq më parë kjo kërkohet të realizohet nga palët edhe prej vetë faktorit ndërmjetësues ndërkombëtar duke theksuar se rajoni ka nevojë për zhvillim e prosperitet, harmoni e marrëdhënie të mira fqinjësore mes të gjitha shteteve të rajonit, dhe në këtë udhëkryq të nxehtë politik e gjeostrategjik marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësisë historike për zhvillimet e ardhshme stabile politike dhe gjeostrategjike, të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë rajonit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".