Përpjekjet për ndërhyrje në drejtësi dhe shantazhi i dëshmitarëve të Gjykatës Speciale, e rëndojnë dyshimin kundër të të akuzuarve

Përpjekjet për ndërhyrje në drejtësi dhe shantazhi i dëshmitarëve të Gjykatës Speciale, e rëndojnë dyshimin kundër të të akuzuarve
Përpjekjet për ndërhyrje në drejtësi dhe shantazhi i dëshmitarëve të Gjykatës Speciale, e rëndojnë dyshimin kundër të të akuzuarve

Gani Qarri

  • 09 March 2024 - 08:02

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Kontrollimet e fundit të shtëpive të disa emrave të lidhur me të arrestuarit në Hagë, kanë krijuar dyshime plus dhe shtuar peshën e përgjegjësisë, për shkak të përpjekjeve për të ndërhyrë në procesin gjyqësor të Gjatës Speciale, përmes frikësimit të dëshmitarëve në teren, arsye që dhomat e Specializuara janë detyruar të kryejnë edhe bastisje të personaliteteve të rëndësishme të jetës politike në Kosovë.

-Parë edhe nga ana praktike, përpjekjet për frikësimin e dëshmitarëve, realisht pengojnë drejtpërsëdrejti mbarëvajtjen e procesit, e zvarrisin atë dhe shkojnë tërësisht në dëm të atyre që vazhdojnë të gjykohen, duke rritur dyshimet për ta dhe shtuar peshën e fajit të tyre, përderisa thuhet se kërcënuesit e supozuar kanë komunikuar me të akuzuarit, pas arrestit në Gjykatën Speciale, dhe pretendohet se, nga ata janë bërë përpjekje dhe kanë ndikuar në frikësimin e dëshmitarëve, për mosdhënien e deklaratave apo ndryshimin e tyre, nga ato që kanë dhënë në fazën e mëhershme të intervistimit dhe hetimit të rasteve.

Aktet më të freskëta të reagimit nga Gjykata Speciale janë bastisjet e fundit në shtëpinë e ish eprorit të lartë dhe ish-Komandantit të Përgjithshëm të UÇK’së Sylejman Selimit, si dhe shtëpinë e ish ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuqit.

Bastisje për të cilat, në informatën nga Prokuroria Speciale në Hagë për mediet e Kosovës janë konfirmuar në të dyja rastet, por ish ministri i Drejtësisë Hajredin Kuqi, për ti kamufluar aksionet e zyrtarëve të Gjykatës Speciale në shtëpitë e të mëdhenjve, dhe shitur foren se ata, akoma vazhdojnë të jenë të paprekshëm, u mundua të shpikë një metodë, më inteligjente të arsyetimit, duke e kualifikuar bastisjen në shtëpinë e tij, si "takim për çështje pune"?!

Hajredin Kuqi, siç dihet në të kaluarën ka mbajtur poste të larta shtetërore, përfshirë edhe atë të ministrit të Drejtësisë, ndaj duke ëndërruar, kohën, kur ai dhe komandantët në pushtet, ishin të paprekshëm, edhe bastisjen në shtëpinë e tij nga zyrtarët e Gjykatës Speciale, e quajti si një "takim pune" duke u përpjekur të krijoi përshtypjen në "opinion" se pas Kosovës, ai sikur është ministër i "drejtësisë" edhe në Hollandë, me të cilin Gjykata Speciale e ka për obligim të mbajë “takime pune” dhe pa mandatin e tij, nuk mund ti vazhdojë procedimet e mëtejme të gjykimit në Hagë.

Kështu që për bastisjen e kryer në shtëpinë e tij, Hajredin Kuqi u shpreh se: “Nuk ka pasur bastisje ne shtëpinë time, por unë jam takuar me zyrtare të Speciales vetëm për shkak të punës që e bëj, për shkak të angazhimit që e kam në një rast atje”, ka deklaruar Kuçi...

Por përkundër deklaratave qejfbërëse të Hajredin Kuqit, bastisjet e ish bashkëpunëtorëve të ngushtë të të arrestuarve nga Gjykata Speciale në Hagë, kanë qenë shumë të shpeshta, madje si pasojë e këtyre, ndaj të arrestuarve në Hagë Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë shqiptuar edhe masa kufizuese komunikimi me personat e afërt dhe ish bashkëpunëtor të tyre, njëri ndër të cilët ishte edhe Hajredin Kuqi.

Kohë më parë, Gjykata Speciale pati zhvilluar një fushatë më të gjerë të bastisjeve, në të cilën, cak i saj, ishin ish këshilltarët e Hashim Thaçit, Blerim Shala dhe Artan Behrami, si dhe ish drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj, që po ashtu kishte shërbyer si këshilltar i Thaçit, por megjithatë asnjëri nga ata, bastisjet nga zyrtarët e Gjykatës Speciale nuk i konsideruan si vizita miqsh as "takime pune".

Për aq më tepër, në mesin e muajit dhjetor të vitit të kaluar, në një aksion të ngjashëm me urdhër nga Prokuroria Speciale në Hagë, është arrestuar edhe ish deputeti i AAK-s Haxhi Shala ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për shantazhim dhe kërcënim të dëshmitarëve.

Shala akuzohet për tre pika: “përpjekje për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me kërcënim serioz; pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, duke marrë pjesë në aksionin e përbashkët të grupit; dhe kanosje gjatë procedimit penal”, të paktën midis 5 dhe 12 prill të vitit 2023.

Sipas aktakuzës, gjatë kësaj kohe, Shala dhe dy të akuzuarit e tjerë që përballen me akuza të ngjashme në një rast tjetër në Dhomat e Specializuara, Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi, kanë ndihmuar njëri-tjetrin dhe të tjerët për të kanosur një dëshmitar të paidentifikuar.

Shala akuzohet po ashtu, se ka tentuar të “përdor kanosje serioze, ose ndonjë mjet tjetër detyrimi, premtim për dhuratë në para, apo çfarëdo forme tjetër përfitimi, për të nxitur një person tjetër, Dëshmitarin 1, që të përmbahet nga deklarimi ose të bëjë deklarim të rremë, përndryshe të mos i deklarojë informacionin e vërtetë policisë, prokurorit ose gjyqtarit, e që një informacion i tillë ka të bëjë me pengimin e procedimit penal”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".