Çelësi i shkuarjes në zgjedhje të parakohshme është në dorën e Kryeministrit Kurti

Çelësi i shkuarjes në zgjedhje të parakohshme është në dorën e Kryeministrit Kurti
Çelësi i shkuarjes në zgjedhje të parakohshme është në dorën e Kryeministrit Kurti

Gani Qarri

  • 21 May 2024 - 07:32

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Zgjedhjeve të reja në vend, mund t’u hapet rruga me mocion për shpërndarjen e Kuvendit, por për këtë akt, kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve, apo me mocion për shkarkimin e kryeministrit, me mocion të votëbesimit ndaj Qeverisë, etj, që do të mund, ta kërkonte vet kryeministri, por shkarkimi i kryeministrit, siç dëgjohen disa zëra, në konstalacionin aktual të Kuvendit, ku LVV ka shumicë të madhe të deputetëve është, pothuajse i pamundshëm, siç nuk mund të pritet as besohet në dorëheqjen me vet dëshirë, të tij.

Data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, caktohet nga Presidentja, vetëm nëse shpërndahet Kuvendi, pas konsultimeve me partitë politike, deri 45 ditë nga data e shpalljes së tyre, apo edhe brenda një afatit të shkurtër, të paraparë prej një muaji, gjegjësisht 30 ditëve, por zgjedhjet e parakohëshme, nuk mund të detyrohen, pa dëshirën e pozitës e cila aktualisht është në pushtet, as të imponohen, nisur edhe nga argumenti i numrit të votave, në Kuvendin e Kosovës, i cili përbëhet prej 120 ulëseve, ku 56 sosh i takojnë vet LVV-së, kurse PDK me 18 dhe LDK me 16 sosh, si partitë më të mëdha opozitare, ende nuk janë dakorduar as ndërmjet veti, se si duhet të votohet në rast mocioni, në Kuvend!

Realisht mandati i Qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025, ani pse, ditëve të fundit, e veçanërisht nga takimi i 13 majit,ndërmjet Memli Krasniqit dhe kryeministrit Albin Kurti, flitet gjithnjë e më intensivisht, për mbajtjen e tyre, e mundësia për zgjedhje të parakohshme, u theksua si opsion edhe nga vet kryeministri Kurti, i cili madje tha se është i gatshëm të diskutojë me opozitën edhe për koordinimin e datës së zgjedhjeve. Faktikisht ai u shpreh se edhe nëse në rend dite do të paraqitej ndonjë mocion për zgjedhje të parakohshme, siç përmendet p.sh. shpërndarja e Kuvendit, me partitë opozitare ndajnë mendime të ndryshme për mënyrën se si do të votonin, që t'u hapet rrugë atyre, pra këtu është fjala edhe për mosdakordimin mbi metodat, për shkuarjen në zgjedhje të reja. Prandaj se a do të jetë vërtetë, kjo javë vendimtare për fatin e Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës, përballë presionit të opozitës për ta shpërbërë Kuvendin dhe shkuar në zgjedhje të reja, unë dyshojë, sepse përderisa nuk ka dakordim me pozitën, e cila ka shumicën e votave parlamentare, është e vështirë të merret një vendim kaq i shpejt, përderisa as vet partitë kryesore opozitare, nuk janë dakorduar se si, dhe për çfarë metode, do të votojnë ato vet në Kuvend.

Andaj megjithëse kryetari i PDK-s dhe shef i grupit parlamentar të kësaj partie, ka deklaruar se kërkesën për shpërbërjen e Kuvendit do ta paraqes, në fillim të javës që vjen, në mënyrë që e njëjta të procedohet në kryesinë e Kuvendit për seancën e radhës, as kjo nuk garanton shkuarjen menjëherë në zgjedhje të reja, pasi që, siç u cek edhe më lart, deri më tani, nuk ka pasur dakordim as mes vet partive politike opozitare rreth mënyrës së votimit dhe metodës për të shkuar në zgjedhjet e reja. nëse nuk janë marrë veshe e arritur dakordim paraprak ndërmjet veti dhe shfaqjet që bëjnë, janë vetëm manovra politike për kamuflimin e qëllimit të vërtetë. Përndryshe, derisa PDK kërkon që kjo procedurë të ndiqet me “vetë-shpërbërje të Kuvendit”, LDK dhe AAK paraprakisht kërkojnë dorëheqjen e qeverisë para Kuvendit, një kërkesë aktualisht shumë joreale, që jo vetëm se vazhdon të kundërshtohet fuqishëm nga partnerët në koalicion, por aktualisht nuk mbështet as nga vet PDK.

Në anën tjetër, bazuar edhe në argumentin e votave, në Kuvendin e Kosovës, i cili përbëhet prej 120 ulëseve, 56 sosh i takojnë vet LVV-së, ndërsa 18 PDK-së dhe 16 ka LDK, por në qoftë se, vet partitë opozitare nuk janë dakorduar ndërmjet veti se si duhet të votohet në rast mocioni, në Kuvend, e për aq më tepër edhe "lista serbe që ka 9 deputet, Grupi i ashtuquajtur Multietnik 8, si dhe AAK 8 deputetë dhe asnjë nga segmentet e lartcekura nuk kanë arritur dakordim paraprak se si do të veprojnë, në rast mocioni, marrja e vendimit brenda jave, për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, më duket paksa i ngutshëm, për të mos thënë edhe i pa-realizueshëm për momentin. Kështu që për rrjedhojë, përveç dëshirës për rikthim me çdo kusht, të opozitës në pushtet, PDK, LDK, AAK dhe asnjë nga partitë opozitare, nuk kanë asnjë shpjegim për votuesit se çka do të fitonte Kosova, apo edhe çka do të humbte, nëse vërtetë që tani, shkohet në një proces të parakohshëm zgjedhor dhe pikërisht në këto momente të rënda politike, në vend krijohet një atmosferë jo stabile e qeverisjes dhe Kosova ngelet me institucione jo-funksionale të shtetit, dhe atë, vetëm një vit para përfundimit të mandatit kushtetues të Qeverisë aktuale, dhe mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta ligjore në Republikën e Kosovës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"