Dhelpëria e Lajçakut ishte e strukturuar

Dhelpëria e Lajçakut ishte e strukturuar
Dhelpëria e Lajçakut ishte e strukturuar

Dr.Gani Asllani

  • 02 April 2025 - 23:18

Shkruan: ANALISTI-Gani Asllani

Rrallë mund të ndodhë që në historinë e krijimit të shteteve të reja, sidomos atyre bashkëkohore, ku faktor i rëndësishëm ndërkombëtar është edhe Bashkimi Europian (BE), një individ i veçantë të ketë rol aq thelbësor në politikbërjen e BE-së sa ka Miroslav Lajçaku për Kosovën. Fillimisht i angazhuar në Zyrën e Jashtme të BE-së, më pas si kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, edhe ministër i Jashtëm i Sllovakisë, si dhe së fundmi lehtësues i dialogut me Serbinë, ai luajti një rol kyç dhe shumë të njëanshëm në të mirë të Serbisë.

 

-Lajçak, që në rininë e tij të hershme, u angazhua në Partinë Komuniste të Çekosllovakisë. Për shkak të mbështetjes së idesë së "botës sllave", u përzgjodh për të studiuar në Moskë pikërisht si përkrahës i kësaj ideje. Në Moskë ai studioi marrëdhëniet gjithsllave, ku përzgjodhi Serbinë si tezë studimore, me ç’rast mësoi rrjedhshëm serbishten duke punuar me punë të pjesshme në ambasadën serbe atje, ku edhe u brymos me idetë e vëllazërisë pansllaviste.

Gjatë punës pesëvjeçare si lehtësues i dialogut me Serbinë, duke marrë edhe mbështetjen e ish-komisionerit të matufosur spanjoll J. Borrell, ai arriti ta çojë Kosovën pikërisht aty ku e ka udhëzuar Serbia ta shpjerë: në "konflikt të ngrirë rajonal", që çoi në trajtimin e Republikës së Kosovës nga Bashkimi Europian si territor e jo shtet. Kjo solli pezullimin e iniciativave ndërkombëtare për dhe rreth Kosovës, trajtimin e Kosovës si konflikt nxitës e jo si viktimë, siç ishte rasti i sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit dhe mbrojtja me këmbëngulje e qëndrimit serb, siç ishte letra e ish-kryeministres Bërnabiq, e cila nuk u tërhoq kurrë nga Serbia, ndërkohë që Lajçaku pohonte të kundërtën.

Suksesi i tij më i madh, sipas udhëzimeve që merrte nga Serbia, ishte vendosja e masave të përgjithshme ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat bllokuan së pari kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, qasjen në fondet e programeve zhvillimore që BE do të zbatonte në Kosovë, pastaj shkëmbimet arsimore, shkencore e kulturore mes Kosovës dhe agjencive të Bashkimit Europian dhe trajtimin e Kosovës si palë e barabartë nga Brukseli.

Dhelpëria e Lajçakut ishte aq mirë e strukturuar, saqë ai arriti t’i vendosë masat ndaj Kosovës duke e ditur se ato kurrë nuk do të hiqen, sepse në BE kërkohen pajtime njëzëri për vendime të tilla. Me pesë vende që nuk e njohin Kosovën si anëtare të Bashkimit Europian dhe me Hungarinë, e cila ushqen një afinitet të pashpjegueshëm ndaj Serbisë, laku që Lajçaku i ka vënë Kosovës do ta lodhë shumë atë.

Falënderim për qeverinë e Zvicrës, e cila ka refuzuar Lajçakun si ambasador të Bashkimit Europian në vendin e tyre, pikërisht bazuar në njëanshmërinë e tij politike dhe afërsinë me Rusinë, kur Europa po e kundërshton agresionin e saj në Ukrainë.

Tani që në Bashkimin Europian nuk i kanë dhënë një detyrë tjetër, Lajçaku prapë është faktorizuar duke u emëruar këshilltar i qeverisë së Sllovakisë për Ballkan, që do të thotë se ai do të vazhdojë të ndikojë politikat pansllaviste në BE.

Qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë duhet të punojnë për minimizimin e rolit të tij deri në maksimum, duke ia paraqitur zyrtarëve të BE-së dëmet që ai ka shkaktuar mbi Kosovën dhe procesin e paqes.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".