
Lexoni edhe:
Administrata Biden nga premtimet për mbështetjen e Kosovës në dialog me Serbinë, kaloi në dëmtimin e perspektivës afatgjatë të paqes
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Që prej 15 prillit, Kosova po përjeton një prej krizave më të thella institucionale në historinë e saj të pasluftës. Tridhjetë e tre tentime për ta konstituuar Kuvendin dhe zgjedhur kryetarin e tij kanë përfunduar në mënyrë të njëjtë: me dështim. Në vend të funksionimit të rregullt të demokracisë, jemi dëshmitarë të një ngecjeje të qëllimshme që përçon një mesazh të qartë – mungesë vullneti politik, mungesë bashkëpunimi dhe thellim të krizës së përfaqësimit.
-Në këtë bllokadë që s’ka më as justifikim dhe as logjikë, partia më e madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin të krijojë rreth vetes as një shumicë minimale për të ecur përpara me procesin e konstituimit. Propozimet për komisione ad-hoc dhe insistimi për votim të fshehtë janë kthyer në ritual teknik, pa substancë politike dhe pa asnjë rezultat të prekshëm. Ajo që dikur dukej si proces i stërzgjatur, tashmë është bërë metodë e qartë zvarritjeje.
Nga ana tjetër, opozita e përbërë nga PDK, LDK, AAK, Nisma dhe Lista Serbe nuk po shfaq gatishmëri për të qenë pjesë e zgjidhjes. Me refuzimin për të propozuar anëtarë në komisionin zgjedhor, këto parti po bëjnë një lloj bojkoti të heshtur, duke ia lënë gjithë peshën e procesit Vetëvendosjes, por pa ofruar alternativë konkrete. Të gjitha palët po e zhvendosin fajin, por asnjëra nuk po merr përgjegjësinë.
Kryesuesi i seancave konstituive, zoti Avni Dehari, është kthyer në administrator të një skenari që përsëritet pandërprerë. Në çdo seancë thërret për emra për komisionin, përballet me heshtje dhe përfundon me ndërprerje të mbledhjes. Administrata e Kuvendit e shndërruar në zyrë protokolli, nuk po luan asnjë rol aktiv për të mbrojtur integritetin institucional të procesit. Kështu, seancat janë reduktuar në formalitete të pajeta, që vetëm e thellojnë ndjenjën e boshllëkut dhe zhgënjimit qytetar.
Në një realitet tjetër, ku qytetarët kanë nevojë për institucione funksionale dhe për përfaqësim të denjë, Kuvendi i Kosovës po e tradhton funksionin e vet kushtetues. Qytetarët janë të përjashtuar nga vendimmarrja. Demokracia është ngujuar në një cikël të pafund dështimesh.
Ndërkohë që bota përreth është në lëvizje të vazhdueshme, me konflikte që shpërthejnë, me shtete që ripozicionohen dhe me interesa që zhvendosen, Kosova po bëhet e padukshme. Izraeli dhe Irani janë në konflikt të përhershëm. Rusia dhe Ukraina vijojnë luftën. Edhe Dubai po digjet nga flakët e emergjencës klimatike. Në gjithë këtë realitet, Kosova nuk është askund. Për shkak të papërgjegjësisë së brendshme, vendi po zë një hapësirë gjithnjë e më të vogël në hartën diplomatike dhe politike ndërkombëtare.
Është e qartë se kjo nuk është më vetëm krizë politike. Është krizë e mendësisë shtetformuese. Është krizë e kulturës demokratike. Është mungesë reflektimi për peshën e mandatit dhe vlerën e institucioneve. Jemi te shkronja e tridhjetë e dytë e një alfabeti politik që po e konsumon veten. Kanë mbetur vetëm katër shkronja. Nëse nuk vjen reflektimi tani, atëherë rrezikojmë të përfundojmë një alfabet politik që nuk ka asnjë germë për shtet, përfaqësim apo demokraci.
Koha për reflektim nuk është më luks. Është domosdoshmëri. Shteti nuk mbahet me inate. Demokracia nuk funksionon me bojkot. Kush nuk e njeh peshën e këtyre vlerave, nuk është i denjë të jetë as në Kuvend, as në politikë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".