
Lexoni edhe:
Analisti mesazh Trump-it: Problemi i Kosovës nuk mund të krahasohet me Indinë dhe Pakistanin
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Heqja e njohjes reciproke nga Marrëveshja, nën trysninë e administratës Biden, emisarit latino-amerikan Gabriel Eskobar, udhëheqësit për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borell dhe ndërmjetësuesit evropian të dialogut, sllovakut serbofil Mirosllav Lajçak, i hapi rrugën Serbisë, që lirimin nga obligimi për njohjen e Kosovës ta kuptojë si shans për agresion territorial ndaj Kosovës, gjë që pikërisht gjatë udhëheqjes së SHBA-ve nga administrata e z. Biden, faktikisht edhe u realizua në praktikë me agresionin territorialo-terrorist të 24 shtatorit 2023, të bandës së kryeterroristit Millan Radojçiq, i cili nga atëherë jeton i lirë në Serbi.
-Trysnia e vazhdueshme dhe shantazhimet e pareshtura të Kosovës pikërisht gjatë administratës së z. Biden, përfshi sanksionet e njëanshme të BE-së dhe presionet e gjithfarëllojshme në koordinim me administratën dhe të dërguarin e SHBA-ve, latino-amerikanin Eskobar, krijuan trysninë e shkallës më të gjerë për ta formuar asociacionin, ani pse administrata e z. Biden e dinte mirë se një përgjegjësi kaq e madhe, si bosnjëzimi i Kosovës me të ashtuquajturat “asociacione” për një grusht minoritarësh serb, përbënte akt antishtetëror dhe antikombëtar me përgjegjësi të rëndë penale për kryeministrin, qeverinë, apo edhe personat apo institucionet që do të kishin guxim të merrnin mbi vete barrën e themelimit të “asociacionit” kundërkushtetues njëetnik serb, me elemente të shtetësisë dhe nën mbikëqyrjen e përhershme ndërkombëtare, pa pasur të drejtë ndërhyrjeje nga shteti, kuvendi as institucionet e Republikës së Kosovës.
Fatkeqësisht, ashtu siç shprehet edhe presidenti Trump, administrata Biden nga premtimet për mbështetjen e Kosovës në dialog me Serbinë, papritur kaloi në dëmtimin e perspektivës afatgjatë të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke hequr nga procesi i dialogut Njohjen Reciproke dhe, megjithëse ajo nën trysninë e madhe të emisarit latino-amerikan G. Eskobar, Borellit dhe Lajçakut, u dakordua në Bruksel, Serbia, përveçse nuk pranoi nënshkrimin e marrëveshjes edhe pa përmbajtjen e Njohjes Reciproke, me letrën e dërguar BE-së nga ish-kryeministrja serbe Ana Bernabiq, deklaroi se nuk i pranon pikat e marrëveshjes së dakorduar nga vetë ajo dhe nuk njeh integritetin territorial të Republikës së Kosovës, akt që vërtet është plotësisht i papranueshëm dhe, për më tepër, mbyll edhe të gjitha dyert për dialog të njëmendtë!
Kështu që, përpos letrës së Ana Bernabiqit drejtuar BE-së dhe vendosjes së disa herëshme të mijëra ushtarëve dhe armatimeve më të rënda, në pozicione agresioni në gjithë gjatësinë e vijës kufitare me Kosovën, Serbia më 24 shtator të vitit 2023, para syve të administratës Biden, keqpërdori heqjen e njohjes reciproke nga marrëveshja për ndërmarrjen e agresionit territorialo-terrorist kundër Kosovës, duke vrarë një rreshter të Policisë së Kosovës në detyrë dhe kërcënuar seriozisht paqen jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Andaj, duke shpresuar se ndryshimi i administratës amerikane do të ndikojë për së mbari edhe në përmirësimin e pozicionit ndërkombëtar dhe trajtimin e barabartë të Kosovës në dialog, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pikësëpari është e nevojshme që Njohja Reciproke të futet në rreshtat e parë të Marrëveshjes, Serbia si shtet agresor ta heqë menjëherë Kosovën nga preambula e kushtetutës serbe, ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës, të përgjigjet për vrasjet, kidnapimet, përdhunimet masive dhe dëmet e shkaktuara shumëmiliardëshe ekonomike, duke filluar me kthimin e menjëhershëm të mbi 6300 trupave të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar, të cilët Serbia, pa asnjë të drejtë dhe në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare, tash e mbi 26 vite i mban peng në Serbi, duke shkelur çdo të drejtë njerëzore, konventat ndërkombëtare të luftës e dinjitetin e viktimave dhe lënë familjarët për mbi 26 vite, duke pritur me varre të hapura, kthimin e trupave të bijve të tyre në atdhe.
Për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve në dialog, është e domosdoshme që Serbia pikësëpari ta nënshkruajë Marrëveshjen dhe Aneksin e zbatimit të saj, në të cilën, siç u cek edhe më lartë, doemos duhet të futet njohja reciproke, ta tërheqë letrën e Bernabiqit nga dhjetori i vitit 2023, ku thuhet se Serbia nuk respekton integritetin territorial të Kosovës, t’i ndërpresë të gjitha ndërhyrjet në çështjet tona të brendshme shtetërore, të ndalojë nxitjen e incidenteve dhe dërgimin e terroristëve nga Serbia për vrasjen e njerëzve, krijimin e eksceseve dhe dëmtimin e aseteve tona ekonomike si dhe t’i dorëzojë kriminelët e akuzuar bashkë me kryeterroristin Millan Radojçiq, për t’u gjykuar për kryerjen e agresionit territorialo-terrorist të 24 shtatorit 2023, kur u vra edhe rreshteri i Policisë së Kosovës në detyrë, heroi Afrim Bunjaku.
Përndryshe, megjithëse Trump e përmend ndërhyrjen e tij për të parandaluar shpërthimin e një lufte mes Kosovës dhe Serbisë, nga informatat e atëhershme dhe këndvështrimi personal, nuk flitej të ketë qenë situata reale në prag të luftës në atë kohë, por duhet cekur faktin se kryeministri i katapultuar kundërligjshëm dhe me vota të pavlefshme të deputetëve të dënuar me vendime të plotfuqishme gjyqësore, Avdullah Hoti, para nisjes për Uashington, u premtonte qytetarëve nënshkrimin e Marrëveshjes për njohjen e Kosovës nga Serbia si shtet i pavarur, ndërsa në fakt ai nënshkroi një marrëveshje krejt tjetër dhe shumë të dëmshme për Kosovën, me të cilën, fatkeqësisht, e bëri Serbinë hisedare edhe në Ujman, gjë që deri atëherë nuk figuronte në asnjë dokument dialogues, dhe urojmë që të mos insistohet në jetësimin e asaj lajthitjeje të Hotit, as nën administratën aktuale të Presidentit Trump.
Ajo që Trump e përmend si ndërhyrje të tij për të parandaluar shpërthimin e një lufte, ndërsa në mandatin e parë ai deklaronte se “e përfundoi luftën e përgjakshme” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më tepër tingëllon sikur të ketë qenë në dijeni të ndonjë akti terrorist serb, si ai i 24 shtatorit të vitit 2023, për të cilin Trump mund të ketë pasur informata dhe të ketë bërë presion mbi Serbinë që të mos ndodhë gjatë kohës sa ai ishte president i SHBA-ve, por që akti terrorist serb, megjithatë, ndodhi disa kohë pas rënies së Trumpit nga pushteti dhe heqjes së Njohjes Reciproke nga marrëveshja nga administrata e z. Biden, akt që duket se i hapi rrugën Vuçiqit për të kryer edhe agresion të armatosur territorial ndaj Kosovës.
Ndërsa krahasimet që bën Trump, duke vendosur gjendjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në të njëjtin rrafsh me tensionet mes Indisë dhe Pakistanit apo Izraelit dhe Iranit, nuk janë reale as të qëndrueshme dhe rrezikojnë ta banalizojnë tërësisht specifikën historike dhe politike të çështjes së Kosovës si shtet i pavarur, veçanërisht kur çështja e Kosovës ulet deri te rasti i një dige uji ndërmjet Egjiptit dhe Etiopisë, gjë që tingëllon vërtet edhe si degjenerim i rrezikshëm.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".