Maqedonia e Veriut është e ekspozuar dhe e ndikuar nga Serbia

Maqedonia e Veriut është e ekspozuar dhe e ndikuar nga Serbia
Maqedonia e Veriut është e ekspozuar dhe e ndikuar nga Serbia

Ismail Muçiqi

  • 06 August 2025 - 14:40

Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi.

Ajo që ndodhi në ndeshjen e Basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë dëshmoi edhe një herë se nacionalizmi fashist dhe urrejtja në republikat e ish-Jugosllavisë nuk kanë pushuar asnjëherë. Katalizator i të gjitha këtyre të këqijave mbetet Shteti Serb, i pangopur me krimet dhe gjakderdhjet që ka kryer ndaj popujve të tjerë gjatë historisë. Propaganda serbe, e cila buron nga kabineti i Aleksandër Vuçiqit, prej kohësh përmes diplomacisë së jashtme dhe mekanizmave të tjerë anti-Shqiptarë, ka rekrutuar grupe speciale ekstreme, të financuara drejtpërdrejt nga qeveria serbe. Këto grupe kanë për mision shkaktimin e incidenteve propagandistike anti-Shqiptare edhe në fushën e sportit, aty ku tubimet qytetare janë masive. Duhet ta kuptojmë njëherë e përgjithmonë se Maqedonia e Veriut është e ekspozuar dhe e ndikuar nga Serbia, duke vepruar shpesh si instrument për interesat e “botës serbe”. Këtë e kemi parë më së miri gjatë eksodit të Shqiptarëve të dëbuar nga lufta në vitin 1999, kur, në cilësinë e veprimtarit humanitar, pata rastin të jem një nga monitoruesit në kampin famëkeq të Bllacës.

Nuk ka dyshim se shpërthimi i ndjenjave shoviniste nga grupet ekstreme të huliganëve ka prapavijë politike. Qëllimi kryesor i propagandës serbe dhe maqedonase është përçarja e skenës politike të Shqiptarëve, si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi në qeveri dhe institucione shtetërore. Tendencat e polarizimit ndërmjet partive Shqiptare tashmë kanë nisur të ashpërsohen, me akuza dhe fajësime të ndërsjella mes rivalëve politikë që janë pjesë e qeverisë Maqedonase. Këto tensione po reflektohen edhe në skenën politike të Kosovës, ku disa grupe politike fajësojnë qeverinë dhe kryeministrin Kurti për indiferencën ndaj rastit të Kumanovës. Është koha që Shqiptarët të vetëdijesohen dhe të bashkohen, duke folur me një gjuhë të përbashkët dhe duke ndërtuar një kauzë kombëtare për interesin e shtetit dhe të kombit. Kushdo që tenton të përfitojë politikisht nga kjo situatë është vetëm naiv, i paditur, shkurtpamës dhe i pavlefshëm jo vetëm për shoqërinë dhe shtetin, por edhe për familjen e tij. Politika Shqiptare duhet të kërkojë llogari nga qeveria e Maqedonisë së Veriut për identifikimin dhe arrestimin e aktorëve e grupeve ekstremiste, duke i sjellë ata para drejtësisë dhe duke kërkuar dënimin maksimal. Njëkohësisht, federatat përkatëse të sportit duhet të denoncojnë Federatën e Basketbollit të Maqedonisë së Veriut në institucionet ndërkombëtare të Basketbollit, e cila, sipas statutit, ka të drejtë të sanksionojë kombëtaren maqedonase. Çdo tentim për të përfituar politikisht nga kjo ngjarje, përmes akuzave të ndërsjella mes liderëve apo partive Shqiptare, nuk i sjell asgjë të mirë unitetit politik dhe institucioneve të dy republikave: Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".