KRYETARËT E PARTIVE PA INTEGRITET!
Ismail Muçiqi
Shkruan: Ismail Muçiqi
Më shumë se një shekull, populli Shqiptar i Kosovës ka bërë përpjekje të vazhdueshme për ta mbrojtur dinjitetin, gjuhën dhe kulturën e vet, duke u përballur vazhdimisht me sisteme dhe regjime anti-hqiptare. Askush nuk do ta kishte menduar se pas një shekulli, përkatësisht pas çlirimit të Kosovës nga barbarizmi serb dhe pas shpalljes së pavarësisë, do të ishin vetë njerëzit që thirren në emër të politikës ata që me vetëdije të mbrapshtë do ta bllokonin të ardhmen e këtij vendi. Askush nuk ka menduar se ata që dikur thirreshin në emër të luftës dhe të dëshmorëve që dhanë jetën për liri, sot do të punonin kundër interesave të shtetit dhe popullit të shumëvuajtur.
Kjo po ndodh në shekullin XXI, kur popujt e tjerë të botës po zhvillohen me hapa të mëdhenj, duke aplikuar inteligjencën artificiale dhe inovacionin, ndërsa ne detyrohemi t’i bëjmë vetes pyetjen: “A ka më njerëz normalë në këtë vend?” Më kujtohet se dikur, në shekullin e kaluar, pothuajse në gjithë Kosovën njerëzit protestonin kundër padrejtësive dhe dhunës serbe, kundër suprimimit të autonomisë dhe Kushtetutës së Kosovës. Sot, për fat të keq, klasa politike, për interesa personale, klanore e partiake, e ka përçarë popullin dhe e ka helmuar me kaos e urrejtje ndërshqiptare. Një gjendje e tillë akute nuk është parë ndonjëherë më parë në historinë tonë. Këta liderë bashkë me deputetët e Parlamentit, haptazi po e shkelin vullnetin e votës së lirë të popullit. Këtë gjendje të mjerueshme e kanë krijuar vetë ata që, duke u thirrur në emër të qytetarëve, luftojnë vetëm për interesat e tyre personale. Nuk ka dyshim se partitë politike dhe politika në përgjithësi janë marrë peng nga individë që nuk kanë asgjë të përbashkët me brumin e vërtetë të demokracisë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka kohë që e ka humbur rrugën që dikur e kishte trasuar Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova. Themeluesit dhe ndërtuesit e kësaj partie, që dikur gëzonin respekt e autoritet pa kufi, sot janë lënë në harresë nga kjo klasë e tanishme politike. As Partia Demokratike e Kosovës nuk qëndron më mirë. Që nga paslufta, ajo ka qenë pjesë e institucioneve të shtetit me struktura të konsumuara, ndërsa sot udhëhiqet nga liderë që nuk gëzojnë më as besim e as respekt. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, që aktualisht udhëheq institucionet e shtetit, ka bërë gabime të rënda në politikën kadrovike, duke emëruar në pozita kyçe individë pa përvojë të duhur në administratën publike, edhe pse mund të kenë diploma formale. Nuk mund të ndërtohet politika dhe shteti me parti që më shumë ngjajnë me struktura familjare e private sesa me organizime të mirëfillta demokratike. Këta njerëz duhet të kuptojnë se u ka kaluar koha; sa më shpejt të largohen nga skena politike, aq më mirë do t’i ndodhë Kosovës. Nuk bëhet shteti me mendësi primitive të fiseve e bajraktarëve të ndarë në regjione e krahinë. Prandaj, ka ardhur momenti që – nëse shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme që po i pret populli – qytetarët e këtij vendi të mobilizohen dhe, përmes votës së lirë, t’i largojnë këta individë të korruptuar e të pa ndërgjegjshëm, duke e kthyer Kosovën në një gjendje normale dhe me integritet institucional, siç e kërkon koha.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
