Ekzibicionet llafollogjike të opozitës

Ekzibicionet llafollogjike të opozitës
Ekzibicionet llafollogjike të opozitës

Idriz Zeqiraj

  • 08 November 2025 - 07:45

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Përsëritja e zgjedhjeve parlamentare, në një kohë që është e papërshtatshme, kur Kosova ka nevojë për punë parësore të tjera. Por, destruktiviteti i partive të koalicionuara me PAN-in, nuk shqetësohet për faktin që kërkon një proces zgjedhor, madje një proces të shtrenjtë. Nëse zgjedhjet nuk prodhojnë zgjidhje, natyrshëm mund të ndodhë një ngërç i dytë. Do të ishte një zhgënjim dhe krizë politike e përsëritur, krejt e pajustifikueshme. Ngulmimi i opozitës për ta kompensuar humbjen në kutinë e votimit, duke kërkuar ta realizojnë në tavolinën e pazareve të pista, bie në kundërshtim me demokracinë pluraliste.

 

-Rrjedhimisht, zgjedhjet e jashtëzakonshme, krejt të panevojshme, bartin rrezikun që vendi pashmangshëm do të shtojë dozën e polarizimit politik, edhe ashtu të bollshëm, nga mungesa e dialogut demokratik për tejkalimin e mospajtimeve, të cilat janë dukshëm artificiale dhe raste hileqare. Partia fituese nuk ka asnjë obligim, madje as kompetencë, për ta rehabilituar PAN-in, me një barrë krimesh vrastare dhe të hajnive zyrtare. Lejimi i kthimit në pushtet të PAN-it do të ishte përdhosje e vullnetit të qytetarëve shumicë, të cilët me votën e tyre demokratike ndëshkuan opozitën aktuale, duke e lënë për të vazhduar opozitarizmin, për t’i dhënë kohë dhe mundësi reale për t’u reformuar, duke bërë spastrimin-katarsis, ngaqë kriminalizimi i tanishëm është kulmor.

Çfarëdo arnimesh, qoftë me krijesa hibride, si qeveri e përkohshme, qeveri teknike, qeveri e tranzicionit, qeveri e të gjithëve, por edhe qeveri pa Kurtin, madje edhe pa Lëvizjen Vetëvendosje, do të ishin zhbërje e një procesi të rregullt zgjedhor, të pranuar botërisht si një proces demokratik të bollshëm dhe rrjedhë logjike e respektimit ligjor të rezultatit meritor.

Opozita dështoi për ta bindur shumësinë e shqiptarëve se ata janë mjaftueshëm të besueshëm për të ardhur në krye të pushtetit, respektivisht, në udhëheqjen e vendit. Andaj, ekzibicionet llafollogjike të opozitës PAN-iste, lakmiqare për pushtet të tepërt, vetë fundosën atë, përballë fakteve lëndore të pozitës, që demantojnë, madje lehtësisht, pretendimet megalomane e hiç reale të saj.

Tashmë, rrëzohet edhe teza se presidenti Ahtisari sikur solli pavarësinë e Kosovës. Realisht, pavarësia e Kosovës ishte projektuar nga SHBA dhe Quint-i, përndryshe do të kursenin avionët bombardues "Apaç", kundër Serbisë fashiste. Kundërshtimet e Albin Kurtit dhe të LVV-së ndaj Kushtetutës me shumë kushtëzime të Ahtisarit, rezultojnë të drejta. Dhe, akuzat marroqe se Kurti dhe partia e tij ishin kundër pavarësisë së Kosovës, janë stisje dhe shpifje kriminale të PAN-it. Sepse është ajo Kushtetutë e imponuar, pasi pushtetarët negociatorë ishin të shantazhuar me dosje të krimeve faktike, përgjakjen e kundërshtarëve politikë luftëbërës shqiptarë, që ka ngulfatur Kosovën në shumë aspekte institucionale.

Dhe, sërish, detyrohemi ta reprizojmë për të disatën herë, porosinë e artë të Presidentit Rugova, se njerëzit e shantazhuar nuk duhet lejuar të ngrihen në pozita të larta pushtetare e shtetërore, sepse janë të dëmshëm për Kosovën. Mjerisht, këtë porosi-amanet e harroi LDK-ja me aleatët e saj dhe e ngritën në kupolën e shtetit, pikërisht atë që Dr. Rugova e veçoi me emër, Hashim Thaçin, dhe gjëma i erdhi Kosovës!

Joshja pas rizgjedhjeve, siç po emërtohen zgjedhjet e jashtëzakonshme, mund të jenë edhe mundësi për një "reset" demokratik të sistemit politik. Megjithatë, dyshimi duket i bazuar dhe kostoja rezulton të jetë e lartë, madje nuk garanton as zgjidhje të dëshirueshme dhe të qëndrueshme.

Sidoqoftë, ka ardhur koha për zgjidhje ligjore e kushtetuese. Kushtetuta aktuale duhet rishikuar. Në veçanti ato pjesë të imponuara dhe dakordimet e bëra nga pushtetarët e shantazhuar, përfshi edhe Rregulloren ligjore për zgjedhje, duke filluar me ngritjen e pragut zgjedhor, të paktën në kuotën 10%; balotazhin e pjesshëm të harmonizohet me modelin e shteteve të avancuara evropiane dhe të gjitha "xhevahiret" e tjera të Ahtisarit, që mbajnë peng administratën shtetërore, duke u dhënë mundësi pakicave të bllokojnë zhvillimin normal të pushtetit lokal dhe qendror.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".