Zeqa: Edhe Bokshiq është brenda hartës gjeografike të Klinës!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Letër e mbyllur dhe e hapur publike për:
-Kryetarin e Komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj
-Asamblenë Komunale-Klinë
-Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK)
Edhe Bokshiq është brenda hartës gjeografike të Klinës!
Fillimisht po i drejtohem të sapozgjedhurit për mandatin e tretë në postin e kryetarit të Komunës, zotit Zenun Elezaj, me urimet më të sinqerta!
Po ashtu, i urojë edhe asambleistët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 12 tetorit 2025, të cilëve ju dëshiroj punë të mbarë dhe përkushtim në mbrojtjen e interesave të të gjithë qytetarëve të Klinës, pa dallim pikëpamjesh ideologjike dhe shtrirjes gjeografike!
Kërkesë Publike
Si pasojë e mungesës së investimeve dhe harresës së institucioneve komunale, dita-ditës fshati Bokshiq është duke u braktisur nga banorët tradicional, të cilët ndër shekuj i kanë qendruar besnik tokës në të cilën janë lindur e rritur me mund dhe sakrifica të mëdha!
Si pasojë e zvogëlimit enorm të banorëve në këtë fshat, ka rënë edhe fuqia elektorale e subjekteve politike, të cilat viteve të fundit e kanë lënë në harresë të plotë Bokshiqin e legjendave të kohrave të vjetra dhe të heroizmit të kohës më të re!
Si pasojë e kësaj, Bokshiqi është anashkaluar nga të gjitha subjektet politike pa dallim, përfshirë edhe partinë aktuale e cila ka qeverisë me Klinën për dy mandate.
Bokshiqi është ndër fshatrat e rralla, mbase edhe i vetmi vendbanim që ka mbetur pa ujësjellës dhe pa kanalizim, me një rrugë të asfaltuar para dy dekadave, e cila riparohet shkel e shko gjatë fushatave zgjedhore.
Kur jemi tek kanalizimi, vetëm pjesërisht është i zgjidhur, pasi pjesa tjetër e fshatit ende e ka të pa zgjidhur çështjen e ujërave të zeza!
Po i kthehem rrugës së fshatit, e asfaltuar deri në hyrje të fshatit në vitin 2004, e vazhduar në vitin 2013 me një ‘petë asfalt’ në fushatë zgjedhore!
Sot më të mira janë rrugicat e lagjeve sesa e gjithë traseja e rrugës nga Grabanica deri në dalje të fshatit!
Mirëpo, këto nuk janë problemet e vetme me të cilat ballafaqohen banorët e fshatit Bokshiq!
Është rrjeti elektrik i fundviteve të ’60-ta, me 90 % të shtyllave të dëmtuara dhe lartëpërçuesve të konsumuar ndër vite dhe dekada!
Si pasojë e rrjetit elektrik të vjetëruar, pas çdo stuhie apo të reshjeve të borës gjatë periudhës së dimrit, fshati mbetet në terr, pa ujë dhe pa kushte higjenike!
E permenda ujin dhe higjienën, për faktin se banorët me ujë furnizohen nga puset e thella (25-30 metra), ku uji nxirret vetëm përmes pompave elektrike!
E për këtë shkak, pas çdo ndërpreje të rrymës, banorët e fshatit Bokshiq mbeten nga 3-4 ditë e më shumë pa ujë të pijes dhe pa kushte higjenike të nevojshme dhe të domosdoshme ditore!
Kërkesat e banorëve hasen në veshë të shurdhër të zyrtarëve komunal
E di që deri më tani këto shqetësime janë ngritur disa herë nga banorët e fshatit, por, gjithnjë janë refuzuar përmes procedurave burokratike, për të cilat nuk do të ndalem kësaj radhe, pasi jam i bindur që kryetari Elezaj, Asambleistët dhe KEK-u do të ndërmarrin hapa të shpejtë në zgjidhjen e këtyre problemeve jetike, si parakusht për parandalimin e shpërnguljes edhe të atyre pak banorëve të mbetur në fshatin Bokshiq.
Renovimi i ‘Shtëpisë së Kuvendeve të Rezistencës’ së viteve të ’90-ta, në të cilën janë mbajtur shumë kuvende zgjedhore, tribuna dhe promovime të vlerave kombëtare, për më tepër se obligim, do të ishte akt moral i qeverisjes komunale në nderim të sakrificës dhe qëndresës heroike përballë pushtuesve serbë gjatë viteve të okupimit klasik të Serbisë.
Të gjitha shqetësimet e sipërngritura janë jetike për banorët e fshatit, por rrjeti elektrik është primar dhe ekzistencial për banorët e këtij lokaliteti!
Duke e marrë për bazë vjetërsinë e rrjetit elektrik dhe përshkrimin e gjatë në një relievë të thyer malor nga fshati Dugajevë, mundësitë e intervenimit në raste emergjente janë të limituara!
Andaj, kërkesë e banorëve të fshatit Bokshiq është që rrjeti i ri elektrik të merret nga Trafoja Elektrike e fshatit Grabanicë për të vazhduar përgjatë aksit rrugor, i cili do ta ketë një kosto shumë më të ulët financiare në krahasim nga rrjeti aktual që vjen nga Dugajeva dhe me mundësi të lehta të mirëmbajtjes dhe interevenimit në kohën e duhur nga punonjësit e KEK-ut.
I nderuari kryetar, Zenun Elezaj, asambleist të respektuar nga të gjitha subjektet politike në Asamble Komunale, të gjitha kërkesat e banorëve të fshatit Bokshiq janë në përputhje të plotë me premtimet e juaja elektorale dhe në përputhje me linjat buxhetore të Komunës së Klinës, por edhe me detyrimet e Korporates Energjetike të Kosovës (KEK) për furnizimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit elektrik në çdo cep të Kosovës.
Në emër të banorëve të fshatit Bokshiq: Florim Zeqa, 12.12.2025
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
