Prenka: Një fitore pa program dhe një opozitë që i druhet së vërtetës

Prenka: Një fitore pa program dhe një opozitë që i druhet së vërtetës
Prenka: Një fitore pa program dhe një opozitë që i druhet së vërtetës

Zef Prenka

  • 29 December 2025 - 07:33

Nga Zef Prenka

Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 nuk i fitoi programi, nuk i fitoi qeverisja dhe as bilanci institucional. Ato i fitoi koha, data dhe mbi të gjitha lidhja emocionale e një elektorati me liderin, jo me shtetin.

Kjo është e vërteta që opozita ende nuk po guxon ta thotë me zë të lartë.

LVV pa program, por me kalendar të saktë

Lëvizja Vetëvendosje hyri në këto zgjedhje pa program qeverisës të mirëfilltë.

As në ish-qeverisjen dhe as në këtë fushatë, LVV nuk ofroi një dokument serioz strategjik që:

të maste kostot,

të projektonte zhvillimin,

apo të jepte zgjidhje konkrete për shtetin.

Por LVV nuk kishte nevojë për program. Ajo kishte datën.

Zgjedhjet më 28 dhjetor u mbajtën pikërisht në kohën kur mbi 100 mijë mërgimtarë ndodheshin në Kosovë për pushime. Ky nuk është detaj – është faktor elektoral vendimtar. Diaspora që vjen për festa:

është emocionalisht e lidhur,

politikisht më pak kritike,

dhe në shumicë anon kah Albin Kurti.

Kjo nuk ishte rastësi. Ishte llogari e ftohtë politike.

Skandale pa ndëshkim dhe një besim paradoksal

Edhe përkundër faktit se ish-qeverisja e Albin Kurtit është shoqëruar me skandale miliardëshe në sektorin e energjisë elektrike, ky pushtet nuk u ndëshkua politikisht. Jo vetëm për keqmenaxhimin dhe dyshimet serioze financiare, por as për stagnimin e dukshëm në strategjinë diplomatike me partnerët euro-perëndimorë.

Paradoksi është edhe më i thellë:

një pjesë e elektoratit të LVV-së beson sinqerisht se Kosova nuk ka nevojë ta rregullojë marrëdhënien me miqtë, sepse miqtë, sipas kësaj logjike naive, “do të detyrohen ta duan Albin Kurtin”.

Ky është një nga keqkuptimet më të rrezikshme politike të kohës sonë:

idetë se politika ndërkombëtare funksionon mbi simpati personale dhe jo mbi interesa, besueshmëri dhe stabilitet institucional.

LDK me program, por pa moment

LDK hyri në zgjedhje me një program qeverisës të strukturuar, racional dhe institucionalisht të kuptueshëm. Por politika nuk shpërblen gjithmonë arsyen. Në një klimë ku vota është kthyer në akt besnikërie, programi pa emocion humbet.

LDK foli për shtetin, ndërsa përballë kishte një subjekt që fliste për “kauzën”. Dhe në Kosovë, për fat të keq, kauza emocionale vazhdon ta mposhtë arsyen shtetërore.

PDK: rritje reale, por zhgënjyese

Bedri Hamza pati rritje. Kjo është e vërtetë. Por ajo rritje ishte minimale, larg pritshmërive dhe larg asaj që do të quhej kthesë politike. PDK nuk arriti të bindë se është alternativë qeverisëse, por vetëm se është pak më stabile se dje.

Në përballje me një elektorat të ngurtë dhe militant të LVV-së, rritja graduale nuk mjafton. Këtu kërkohet thyerje politike, jo përmirësim gradual.

AAK dhe të tjerët: nga sfida në mbijetesë

Ramush Haradinaj mezi e kaloi pragun zgjedhor. Subjekte të tjera, si  Nusma e z. Lima nuk arritën ta kalojnë fare. Kjo dëshmon se hapësira politike po tkurret, dhe se zgjedhjet po kthehen gjithnjë e më shumë në betejë mes një subjekti dominues dhe një opozite të fragmentuar, pa nerv politik.

Elektorati i LVV-së: besnikëri ndaj liderit, jo ndaj shtetit

Elektorati i LVV-së nuk voton për program, nuk voton për performancë dhe nuk voton për bilanc. Ai voton liderin. Kritika shihet si tradhti, dështimi justifikohet si rrethana dhe çdo përgjegjësi tjetër i faturohet “armiqve të jashtëm”.

Për sa kohë që përballë këtij modeli nuk del:

një figurë e fortë,

me autoritet moral,

dhe me një subjekt të ri politik,

LVV do të vazhdojë të votohet nga servilët dhe militantët, edhe nëse qeveris keq, edhe pa program qeverisës, edhe pa rezultate të matshme.

Frika e heshtur e opozitës

Një e vërtetë tjetër mbetet e pathënë: opozita ka frikë nga disa procese që do të duhet të përmbyllen pashmangshëm.Asociacioni, integrimi i Listës Serbe në formula të reja institucionale, presioni ndërkombëtar dhe kërkesat e Serbisë janë tema për të cilat opozita nuk po ndërton narrativë, nga frika se pushteti do ta etiketojë si “tradhti”.

Kjo frikë e ka paralizuar opozitën. Ajo kritikon qeverinë, por nuk guxon të thotë se politika shtetërore kërkon edhe vendime të vështira, jo vetëm slogane morale.

Çka nga kjo:  ndryshim ose një cikël i gjatë stagnimi

Zgjedhjet e 28 dhjetorit treguan diçka të qartë:

LVV mund të fitojë edhe pa program, por opozita nuk mund të fitojë pa guxim politik.

Nëse nuk lind një forcë e re, me një lider të fuqishëm, të besueshëm dhe të lirë nga bagazhi i vjetër, ky cikël pushteti do të vazhdojë gjatë – jo sepse qeverisja është e suksesshme, por sepse alternativa mungon.Dhe kjo, në fund, është humbja më e madhe: jo e opozitës, por e shtetit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".