17 SHKURTI – DATA MË E NDRITSHME E HISTORISË SË KOSOVËS!
Ismail Muçiqi
Shkruan Ismail Muçiqi.
Shpallja e Pavarësisë së Republika e Kosovës më 17 shkurt 2008 përbën një epokë të re historike, një rilindje kombëtare, e cila tashmë ka hyrë përgjithmonë në kalendarin e historisë sonë kombëtare. Për këtë ditë të madhe u derdh shumë gjak, u përjetuan vuajtje të mëdha dhe u sakrifikuan breza të tërë të rinjsh e të rejash, intelektualë dhe veprimtarë, të cilët një pjesë të jetës së tyre e kaluan nëpër burgje dhe kazamate të Serbisë. Sakrifica e tyre u shndërrua në themel të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Në këtë përvjetor, Kosova është rreshtuar në mesin e shteteve demokratike të Botës. Duhet theksuar se ndërtimi dhe konsolidimi i shtetësisë së Kosovës ka befasuar edhe diplomatë e institucione ndërkombëtare, të cilat dikur kishin hezitime nëse populli Shqiptar i Kosovës do të arrinte t’i përballonte sfidat e ndërtimit të një shteti normal, me vlera demokratike dhe civilizuese. Koha po dëshmon se Shqiptarët janë një popull që di dhe dëshiron të zhvillohet, duke u transformuar nga një sistem totalitar-komunist drejt sistemit të vlerave demokratike perëndimore. Lufta e pabarabartë me Serbinë la pas vetes krime dhe masakra të shumta në gjithë Kosovën, ku njerëz të pafajshëm u vranë vetëm pse ishin Shqiptarë. Kosova i mbijetoi tragjedisë fashiste të shtetit serb, edhe pse humbi mbi 13 mijë qytetarë Shqiptarë, fëmijë të pafajshëm, gra e pleq. Megjithatë, ajo mbijetoi dhe u rindërtua: u ndërtuan mbi 200 mijë shtëpi të reja të shkatërruara nga barbaria serbe, u ndërtuan shkolla, çerdhe për fëmijë, ambulanca, spitale, rrugë dhe ura të reja.Sot, pothuajse të gjitha fshatrat, bashkësitë lokale dhe vendbanimet janë të lidhura me infrastrukturë moderne rrugore me asfalt. Standardi i jetesës së qytetarëve pas çlirimit dhe pavarësisë është përmirësuar ndjeshëm, duke u ngritur mbi mesataren e disa vendeve të Ballkanit. Kosova, çdo ditë e më shumë, po e forcon subjektivitetin dhe integritetin e saj shtetëror, përmes kapaciteteve shtetformuese dhe institucioneve të dala nga vullneti i lirë i qytetarëve. Andaj, 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë, do të festohet kudo në Republikën e Kosovës dhe në mërgatën Shqiptare në Evropë dhe Amerikë, me shpresën e madhe se historia e lavdishme e popullit Shqiptar po bëhet realitet, si amanet i shumë gjeneratave, veprimtarëve, patriotëve, heronjve, invalidëve të luftës, luftëtarëve të lirisë, komandantëve dhe gjeneralëve që dhanë më të shtrenjtën – jetën – për liri dhe pavarësi të atdheut.Në fund më thotë mendja se fati i Kosovës dhe i popullit Shqiptarë është i lidhur ngusht me ndërtimin e raporteve vëllazërore – ndërnjerëzore duke e ruajtur vlerën sublime të unitetit dhe bashkëpunimit vëllazërorë. Kjo është formula që i garanton Shqiptarëve progres – zhvillim dhe prosperitet kombëtarë e shtetërorë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
