ADEM SALIHAJ 'shpërthen': "Thaçi po e çonte Kosovën drejt ndarjes

ADEM SALIHAJ 'shpërthen':
ADEM SALIHAJ 'shpërthen':

Idriz Zeqiraj

  • 15 February 2026 - 12:01

Nga IDRIZ ZEQIRAJ

Profesor Adem Salihaj, i burgosur politik, kryetar i LDK-së, kryetar i komunës në Ferizaj, zëvendësministër, kryeministër i Kosovës, deputet, si dhe bashkëpunëtor dhe mik besnik i Presidentit Rugova, ka publikuar një shkrim kronologjik, për të bëmat, "xhevahiret" e Hashim Thaçit, me pazaret e pista të bëra me Aleksander Vuçiq, Edvin Ramën, Richard Grenell, Bolton, Rubin dhe matrapazë të tjerë.

 

     Nën maskën e korrigjimit të kufijve, ai dhe ata kishin planifikuar ndarjen e Kosovës. Falë tri Shërbimeve Informative të shteteve mike të Kosovës: SHBA, Gjermanisë dhe Anglisë, në koordinim me kryeprokurorin e Hagës, Jack Smith, e arrestuan në ditën fatale për atë, kur po udhëtonin së bashku me Aleksander Vuçiqin, për ta nënshkruar Marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë.

 

     Hashim Thaçi u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kryesisht, vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë, duke filluar para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Viktima e parë ishte zëdhënësi i parë të UÇK-së, Ali Ukaj, më 1997, në Tiranë. Ai ishte i dyshuari i parë dhe i vetëm. Xhavit Haliti thotë se "i telefonova një gjenerali të Sigurimit (SHISH), në Tiranë dhe Hashimi u lirua!"

 

     Akuzat në vitin 2020, vazhdonin për krimet e bëra gjatë dhe pas luftës, si grup i strukturuar në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale, me SHIK-un, Shqiponjat e Zeza, Bia, me lista emërore për ekzekutim. Të shenjëstruar për plumbosje ishin ushtarakët e FARK-ut të Dr. Ibrahim Rugovës; kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së; gazetarët e Bota Sot; pra, kundërshtarët politikë. Por, nuk u kursyen as veprimtarët e hershëm të LPK-së, brenda llojit, Behajdin Allaçi me shokë.

 

 

     Shkrimi i Profesor Adem Salihaj, është një shqetësim dhe alarm i bazuar, që meriton vëmendje të shtuar të shqiptarëve, për t`i sfiduar planet ogurzeza të Serbisë ndaj Kosovës tonë. Kosova nuk ka kohë për ta pritur buxhetin e përvitshëm, qoftë ai edhe i (një) miliardë euro. Duhet djegur etapat, për ta themeluar dhe begatuar një Fond solid, enkas, për mbrojtjen e Kosovës.

 

 

           Fondi për Mbrojtjen e Atdheut-Kosovë,

                   imperativ, urdhëresë e kohës!

 

     Pas luftës dy herë është provuar hapja e Fondit për Ushtrinë, për mbrojtjen. Pa paragjykuar për paratë e vjelura, nga nismëtarët: Kryeministri Ramush Haradinaj, më vonë Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, nuk ishin fare seriozë për t`u besuar. Mësuam se "Firma Devolli" dhuroi 50.000 euro. Por, transparenca mungoi nga palë e cituara.

 

     Me paranë e popullit nuk ka lojë dhe as mirëbesim individual, grupor apo një partiak. Në vitet `90-a, kur ende nuk kishte Fond zyrtar në Mërgatë, Dr. Rugova e pa se si hidheshin paratë në paketë, në emër të Kosovës, pa emër, pa regjistrim, thjeshtë, në mirëbesim. Ai dha vetëm një porosi-sintezë: "Mos hidhni para në kapuç!" Dhe, rekomandoi hapjen e xhiro-llogarisë bankare, të përbërë nga një Komision i gjerë.

 

     Organizimi ka qenë i përkryer, pa asnjë mundësi abuzimi në bazën e mërgimtarëve. Por, disa "komandantë" të babëzitur, mujsharë, kriminelë e rrugaçë, nën shantazhin dhe kërcënimin e armëve, i grabitën milionat, nga dy Fondet kryesore dhe të shoqatave e klubeve në Mërgatë, në shkallë botërore, madje edhe në mars, prill, maj 1999 dhe asnjë euro, nuk është përdorur as për armë dhe as për logjistikë! Por, paratë mbetën në xhepat e "komandantëve", të cilët blenë me privatizime pasuritë shtetërore me çmime qesharake!

 

     Çështja e armatimit të rëndë, ndoshta, ende ka kufizime për Kosovën. Por, infrastruktura mbrojtëse, korracimi për gjatë kufirit, duke respektuar distancat, tunelet e armatimit, strehimoret, duhet të jenë të bollshme dhe të përjetshme. E rëndësishme është të krijosh fonde të fuqishme, për të qenë gati kur lejimi i armatimit të rëndë të jetë pranuar. Por, jo qindra mijëra bunkerët si të Enver Hoxhës, të cilët, sipas specialistëve ushtarakë, më shumë ishin bërë për "konsum" të brendshëm psikologjik, se sa mbrojtje reale kundër armikut!

 

     Përgatitja për mbrojtjen, përmbushë edhe njërin nga kushtet bazë për pranimin më të shpejt në NATO.

 

     Modeli më i sigurt dhe më i lehtë është ai i Fondit Shtetëror të Republikës të Kosovës, 3 % nga rroga mujore. Kuota mujore mund të lëvizë, natyrshëm, më e lartë. Kemi vuajtur me vullnetarizmin, andaj, duhet praktikuar modelin e obligueshëm të Kroacisë, përgjatë luftës së tyre. Në vitet `90-a, kishte një rrogë (pagë) e kryefamiljarit kosovar, që mbante familjen e tij dhe, pjesërisht, vëllazërinë me familje në Kosovë. Ndërsa, tani, në familje hyjnë 3 dhe më shumë rroga mujore, madje të majme. Fjala është për Mërgatën, tashmë, të paktën, e 20 fishuar, krahasuar me vitet `90-a.

 

     Atdheun nuk bënë ta duash me fjalë boshe, folklorike e tundje flamujsh, apo referimit bajat, vend e pa vend të UÇK-së. Kohëve të fundit, po na rastis të shohim më shpesh, të ftuar në debatet televizive edhe ndonjë mërgimtar. Kur ai jep ndonjë qortim për politikën, analistët mercenarë i hidhen, si çakej, me pyetjen klishe: "Ku ishe ti gjatë luftës?!" Në një rast, pas lavdit që i bëri vetës njëri nga uçekejsat e Dukagjinit, moderatori mori guximin ta pyes: "A kujton ndonjë betejë, ku keni fituar?" U lodhë  dhe vonoi shumë në përgjigje dhe përmendi një betejë në një fshat të Prizrenit, ku janë vrarë 64 ushtarë serbë!

 

     Dhe, në vijim u mësua se ai nuk ishte pjesë e asaj beteje, pra, ishte rrenë e kulluar, sepse betejat ballore kanë qenë, pothuaj se, imagjinare, në Luftën e Kosovës, përjashto Betejën e Loxhës dhe luftën e Koshares. Dhe, kjo për dy arsye: E para, "Ti vjen nga Armata jugosllave, nuk mund të jesh në komandë, duhet të hapësh rova (kanal mbrojtës)!" Pra, në komandë mbizotëronin partiakët e LPK-së. Dhe e dyta, armatimi ishte jo propercional me armikun, sidomos, posedonte tanket.

    

     Shkrimi në vijim i Profesor Adem Salihaj është një analizë brilante, domethënës dhe bollshëm informativ, por që shqetëson deri në pagjumësi!

 

Salihaj ‘shpërthen’: Thaçi po çonte Kosovën drejt ndarjes – arrestimi në momentin e fundit e ndali planin!