Donald versus Hillary — lufta filloi!

 Donald versus Hillary — lufta filloi!
  • 06 May 2016 - 14:55

Shkruan: Edward Luce

Ka filluar drama më e flaktë postmoderne politike

Në esencë kanë filluar zgjedhjet e përgjithshme në SHBA

Gara mes Trump-it dhe Hillary Clinton-it do të sjellin precedentë të shumtë. Harroni republikanët kundër demokratëve. Do të jetë rebeli kundër establishmentit, ai që flet çka t’ia zërë goja kundër korrektësisë politike; përçarja kundër “biznesit si gjithherë” dhe populizmi nacionalist kundër internacionalizmit konvencional

Politika amerikane kurrë më nuk do të jetë e njëjtë. Më pak se 11 muaj më parë, Donald Trump lansoi tentimin e tij presidencial. Ne të tjerët u rrëzuam duke qeshur. Tani, ai është i nominuari republikan.

Për herë të parë në historinë moderne, njëra nga dy partitë do ta nominojë një person i cili në mënyrë eksplicite kundërshton globalizimin dhe tregtinë e lirë. Rrallëherë në historinë demokratike një parti me themele të forta, në fakt “Partia e madhe e vjetër”, ktheu mbrapsht pikëpamjet e veta edhe atë me një gjallëri kaq të madhe.

Natën e së martës filluan në mënyrë efektive zgjedhjet e përgjithshme amerikane. Bëhet fjalë për pozitën e Amerikës në botë. Gara midis Trump-it dhe Hillary Clinton-it do të sjellë precedentë të shumtë.

Harroni republikanët kundër demokratëve. Do të jetë rebeli kundër establishmentit, ai që flet çka t’ia zërë goja kundër korrektësisë politike; përçarja kundër “biznesit si gjithherë” dhe populizmi nacionalist kundër internacionalizmit konvencional.

Jo më pak, kjo do të jetë edhe një garë midis një kandidati i cili kurrë më parë nuk është zgjedhur me vota të popullit në ndonjë post, kundër një kandidati tjetër, i cili tërë jetën e tij është përgatitur për këtë moment. Në planetin tokë, rezultati i një gare të tillë është më se evident. Trump ka ofenduar kaq shumë grupe amerikanësh, saqë ato përbëjnë pjesën më të madhe të elektoratit. Një shumicë e madhe nëse shtohen edhe femrat.

Perspektiva e një konvente të kontestuar republikane

Për më tepër, asnjë kandidat tjetër presidencial nuk i është afruar fitores në zgjedhjet e përgjithshme, duke pasur numrat negativë që i ka Trump. Por, ata as që kanë marrë nominimin e partisë së tyre. Nëse miliarderi nga Nju-Jorku mund ta kthejë sentimentin e shumicës republikane në favor të vetit, çka mund ta pengojë atë që ta përsëritë këtë në një skenë më të gjerë?

Asnjë parametri nuk është mbetur për t’i besuar. Libri i rregullave politike dikton se një kandidat mund ta marrë nominimin e partisë së tij vetëm me një mbështetje të madhe, me një operacion serioz në terren, një makineri fenomenale të mbledhjes së fondeve dhe me një ekip të këshilltarëve të rryer. Kampanja e Trump-it ka triumfuar pa asnjërin nga këto elemente. Gjëja tjetër, e ardhshme, do të jetë ta shikojmë atë se sa shpejt do t’i arrijë ai këto.

Harrojeni kampanjën #NeverTrump, të mbështetur nga shumë republikanë të establishmentit. Profesionistët e njohin një fitimtar pasi që ta shohin atë. Tanimë ka shenja se kjo është duke u kthyer në #HelloDonald!

Harrojeni edhe spektrin e trazirave në rrugët e Klivlendit. Perspektiva e një konvente të kontestuar republikane vdiq në Indiana të martën mbrëma. Në vend të saj, do ta kemi kurorëzimin e Trump-it.

Loja tani do të shkasë te përqendrimi te dobësitë akute, të të dy të nominuarve të supozuar.

E meta më e madhe për zonjën Clinton është shkalla e ulët e besimit ndaj saj – shumica e amerikanëve nuk e vlerësojnë lart integritetin e saj. Disa njerëz nga kampanja e saj janë duke e shqyrtuar idenë se ajo duhet ta mbajë një fjalim që do ta shqyrtonte këtë mangësi të besimit, në mënyrë të ngjashme sikur John F. Kennedy në mënyrë eksplicite trajtoi përkatësinë e tij katolike në vitin 1960, apo sikur që bëri me më pak sukses Mitt Romney në vitin 2012, në lidhje me përkatësinë e tij fetare mormone. Pa marrë parasysh formën, Clinton do ta ketë vështirë të përparojë në fushat e tjera, nëse të tjerët nuk i besojnë as edhe kur e mban gojën mbyllur.

 Trump do të vazhdojë që të jetë i paparashikueshëm

Problemi më i madh i Trump-it ka të bëjë me demografinë. Pasi që ka nxitur mbështetësit e tij që t’i keqtrajtojnë aktivistët afrikanë-amerikanë, pasi që ka demonizuar imigrantët ilegalë hispanikë, si dhe pasi që ka bërë vazhdimisht vërejtje përqeshëse ndaj grave, Trump do ta fillojë garën me një disavantazh të madh matematikor. Atij do t’i duhet që ta marrë një përqindje tepër të madhe të votës së meshkujve të bardhë, që të ketë gjasa për të fituar në zgjedhjet e nëntorit. Por, gjatë vitit 2016 kanë ndodhur gjëra edhe më të çuditshme.

Në rolin e viktimës në garë, Trump do të vazhdojë që të jetë i paparashikueshëm. Ai mezi do të presë të konfrontohet me zonjën Hillary kudo që të mundet. Ai po ashtu do ta bëjë atë objekt të ofendimeve të cilat ishin tabu në politikën zyrtare amerikane, para se të paraqitej ai aty.

Konkludimi përfundimtar është ky: mos i besoni mençurisë konvencionale. Çdo gjeneratë është ballafaquar me gjëra të tilla. Gjashtë muajt e ardhshëm mund të na ofrojnë dramën më të zjarrtë politike në epokën postmoderne.

“Përsëri do të bëhemi një vend i bukur dhe i dashur”, tha Trump të martën mbrëma. Mua më duket se ai nuk ia qëlloi kësaj here.

(Kosova Sot)