Ëndërrimi i së ardhmes (2)

  • 14 August 2019 - 15:07
Ëndërrimi i së ardhmes (2)

Ëndrrat e njerëzve të famshëm, të cilët e panë të ardhmen dhe u tmerruan nga ajo 

Abraham Lincoln

Ëndrra e presidentit Lincoln rreth vdekjes së tij ndoshta është ëndrra më e famshme profetike (parashikuese), të cilën ia kishte treguar gruas së tij vetëm pak ditë para se të vritej nga John Wilkes Booth. “Rreth dhjetë ditë më parë, rashë për të fjetur tepër vonë. Fillova menjëherë të ëndërroja. Më dukej se kisha vdekur. Më pas dëgjova vajin e njerëzve. Mendoj se u ngrita nga shtrati dhe zbrita shkallëve teposhtë. Përsëri dëgjova vajin, por nuk shihja se kush vajtonte. Kur arrita në Dhomën lindore, para meje qëndronte një kufomë. Rreth saj ishin renditur ushtarët të cilët e ruanin atë. Ishte një turmë njerëzish. Kur e pyeta njërin nga ta kush ka vdekur në Shtëpinë e Bardhë? Ai më tha: presidenti, e ka vrarë një vrasës”. 

Albert Einstein

Konsiderohet si njëra ndër mendjet më të ndritura të njerëzimit. Por, janë të paktë ata që e dinë se ishte një ëndërr, e cila kishte frymëzuar Einsteinin gjatë punëve të tij të fundit. Në atë ëndërr, ai ishte duke rrëshqitur teposhtë një mali me një shpejtësi të madhe. Derisa saji rrëshqiste me një shpejtësi gjithnjë e më të madhe, Einsteini ngriti kokën dhe, kur shikoi në qiell, ai pa se yjet ishin duke e ndryshuar pamjen, derisa i afrohej shpejtësisë së dritës. Një vizion i relativitetit ky. 

Mark Twain

Ëndrra profetike, të cilën e pa shkrimtari amerikan Samuel Clemens – i njohur më shumë me emrin Mark Twain – e përndoqi gjatë tërë jetës së tij. Si i ri, Clemens punonte në lumin Misisipi si kapiten i një anijeje. Ai e kishte bindur vëllanë e tij të vogël, Henry, që të punonte me të. Në vitin 1858, Henry ishte duke punuar në anijen me avull “Pennsylvania”, kur ajo eksplodoi dhe ai vdiq. Kur Twain shkoi në funeralin e vëllait të tij, pamja ishte krejtësisht e ngjashme me atë që ai kishte ëndërruar para aksidentit. Kjo gjë e tmerroi atë aq shumë, saqë duke u nisur nga fakti që ai ia kishte mbushur mendjen atij ta bënte atë punë, gjatë tërë jetës e konsideronte veten përgjegjës për vdekjen e tij. 

August Qesari

Jeta e perandorit të madh romak, August, ishte shpëtuar nga një ëndërr profetike, të cilën e kishte parë njëri nga ndihmësit e tij të besueshëm. Qesari ishte duke e marrë veten nga një sëmundje, kur iu afrua ndihmësi i tij, të cilin e konsideronte edhe mik, për t’ia treguar ëndrrën që e kishte parë. Ai kishte parë ëndërr sesi jeta e perandorit ishte tepër e rrezikuar dhe se ai duhej të largohej nga aty. Në fillim Qesari refuzoi, por pas insistimit të madh të mikut, ai e dëgjoi dhe u largua, në një vend tjetër të kampingut. Në mbrëmjen e asaj dite, vendi ku gjendej më parë Qesari u pushtua nga armiku dhe tenda e tij e mëparshme u bë rrafsh me tokë. 


(Kosova Sot Online)