Tregimet e njerëzve që e kanë vizituar ferrin

  • 07 November 2019 - 14:57
Tregimet e njerëzve që e kanë vizituar ferrin

Shumë njerëz besojnë në ekzistencën e ferrit, por ka të tillë që nuk besojnë. Megjithatë, njerëzit që besojnë më së shumti në ekzistencën e Mbretërisë së Djallit janë pikërisht ata që e kanë parë me sytë e tyre, në një formë apo tjetrën. Këto janë tregimet e disa njerëzve, të cilët pretendojnë se e kanë parë ferrin.  

1. Matthew Botsford

Në vitin 1992, Matthew Botsford ishte përfshirë në një incident të tmerrshëm kur ishte qëlluar me plumb në kokë në Atlanta të Shteteve të Bashkuara. Sipas tij, ai kishte vdekur në vendin e ngjarjes dhe kishte shkuar në një vend, të cilin e ka përshkruar duke thënë se ka qenë shumë i errët dhe ka mbretëruar një nxehtësi e madhe. Në këtë vend, për të cilin ai thotë që ka qenë vetë ferri, pretendon të jetë takuar me Jezus Krishtin, i cili i kishte thënë që atij po i ofrohej edhe një mundësi. Matthew Botsford kishte mbetur në gjendje kome për plot 27 ditë, ndërsa kur ishte këndellur ishte bërë një besimtar i devotshëm i fesë katolike. 

2. Jennifer Perez

Në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, Jennifer Perez kishte përjetuar një eksperiencë shumë të pazakontë. Ajo kishte vdekur dhe e kishte parë trupin e saj të pajetë duke qëndruar në shtratin e spitalit. Jennifer kishte lindur në një familje të krishtere dhe ishte rritur në frymën e besimit, mirëpo, si shumica e adoleshentëve, ajo ishte futur rrugëve jo të mira të jetës, duke përfunduar në mesin e shoqërisë që pinte alkool dhe merrte drogë. Kur një herë, pasi që i kishte humbur vetëdija nga droga, ishte dërguar në spital, ajo pretendon që kishte ikur nga kjo botë për të shkuar fillimisht në një vend shumë të bukur (parajsë), ku ishte takuar me Jezus Krishtin, e më pas ishte dërguar edhe në një vend të tmerrshëm (në ferr). Vetë Krishti i kishte thënë që asaj po i jepej edhe një mundësi për t’u përmirësuar, gjë të cilën ajo tani shpreson që është duke e bërë. 

3. Bill Wiese

Për dallim nga shumica e njerëzve të tjerë, Bill Wiese ka qenë besimtar i devotshëm edhe para se të shkonte në ferr! Ai ka qenë duke jetuar një jetë shumë të devotshme kur më 23 nëntor të vitit 1998, në ora 03:00, teksa ai ka qenë duke fjetur, ishte marrë nga Zoti për t’u dërguar në ferr. Megjithatë, për eksperiencën e tij në ferr ai ka thënë që nuk mendon se ka qenë formë ndëshkimi për të, mirëpo është bërë me qëllim që pas rikthimit të tij në tokë ai t’u tregojë njerëzve që ferri ekziston më të vërtetë. Bill më pas ka shkruar një libër me titull “23 Minuta në Ferr”, libër në të cilin ai ka shpjeguar eksperiencën e tij të atjeshme.

 (Kosova Sot Online)