Rasti misterioz i Elisa Lam-it

  • 09 November 2019 - 15:11
Rasti misterioz i Elisa Lam-it

Ekzistojnë mistere, të cilat janë aq shumë të frikshme dhe të çuditshme, sa që na mbesin në mend për një kohë të gjatë

Rasti i Elisa Lam-it është një rast i veçantë. Në shkurt të vitit 2013, kjo studente 21-vjeçare nga Vankuveri i Kanadasë, ishte gjetur e vdekur brenda rezervuarit të ujit mbi hotelin “Cecil” në Los Anxheles.

Autoritetet e Los Anxhelosit këtë rast e vlerësuan si “vdekje aksidentale për shkak të mbytjes në ujë” dhe thanë se nuk u gjet asnjë shenjë e drogës dhe alkoolit gjatë autopsisë së vajzës. Megjithatë, kjo ngjarje është shumë më e thellë dhe më e gjerë sesa që mund të konkludohet nga raporti policor. Dëshmia e parë që duhet të merret parasysh, është një incizim i sigurisë në ashensor, i cili kishte regjistruar sjelljen e Elisa-s vetëm pak kohë para se ajo ta humbte jetën, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Çka shihet në incizime?

Në shikim të parë, Elisa hyn në lift dhe duket se prekë të gjitha pullat e tij. Më pas ajo pret që të ndodhë diçka, por për njëfarë arsyeje, dora e liftit nuk mbyllet. Ajo fillon që të shikojë përreth, sikur të ishte duke pritur dikë (apo sikur të ishte duke u fshehur nga ndokush). Në orën 1:57, duart dhe këmbët e saj fillojnë që të lëvizin në mënyrë tepër të çuditshme, sikur të mos bëhej fjalë për një njeri, derisa ajo dukej sikur ishte duke folur me dikë, por kjo nuk mund të thuhet me siguri. Ajo më pas largohet. Dera e liftit më pas u mbyll dhe ai u duk sikur filloi të niste përsëri të funksiononte.

Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, duket se Elisa ishte ngjitur në kulmin e hotelit, ishte ngjitur mbi rezervuarin e tij të ujit dhe kushedi si, kishte përfunduar e mbytur në ujë. Trupi i saj u gjet dy javë pas vdekjes, pasi që mysafirët e hotelit filluan të ankoheshin rreth shijes dhe ngjyrës së ujit. E pabesueshme.

Gjykuar sipas video-incizimeve, shumica e njerëzve do të arrinin deri te përfundimi se Elisa ishte e droguar, por ajo kurrë nuk ishte parë duke marrë drogë dhe, fundja, autopsia e saj nuk kishte gjetur asnjë shenjë të drogës, apo alkoolit në trupin e saj. Kur të analizohet konteksti dhe rrethanat e vdekjes, gjërat bëhen edhe më të mistershme.

 

Historia e errët e Hotelit “Cecil”

I ndërtuar gjatë viteve 1920, me qëllim që t’u shërbente “biznesmenëve, të cilët do të vijnë në qytet dhe do ta kalojnë aty një a dy net”, “Cecil Hotel” shumë shpejt ishte lënë nën hije nga hotelet më luksoze. I lokalizuar në zonën famëkeqe “Skid Row”, hoteli filloi të jepte dhomat me qira për qëndrime të gjata, me çmime të lira, një politikë e cila rezultoi me joshjen e një grupi të veçantë të klientëve. Por, pasi që në atë hotel ndodhën disa vrasje dhe vetëvrasje, ai filloi që të bëhej i njohur si hotel “morbid”, jo më pak edhe për shkak se, ndër mysafirët   e shumtë, kishte edhe kriminelë.

Një koincidencë tjetër e çuditshme

Pak kohë pas zbulimit të trupit të pajetë të Elisa Lam-it, në atë lagje shpërtheu një epidemi e tuberkulozit. Nuk do të besoni, por te kjo sëmundje përdoret testi që quhet: LAM-ELISA.

Një përfundim tjetër

Autoritetet e Los Anxhelosit në qershor të vitit 2013 e kanë përjashtuar mundësinë që vdekja e Elisa Lam-it të kishte qenë aksidentale dhe se ajo me gjasë vuante nga çrregullimi bipolar, një sëmundje mendore kjo. Por, edhe pas kësaj deklarate, mbetet shumëçka pa u thënë. Si arriti Elisa, e cila ishte e qartë se nuk ishte në gjenden e saj më të mirë, të ngjitej mbi rezervuarin e ujit, gjë që është shumë vështirë? A është vrarë Elisa Lam nga ndonjë fantazmë?

(Kosova Sot Online)