Ankthet e natës kishin filluar të intensifikoheshin

  • 24 February 2020 - 15:04
Ankthet e natës kishin filluar të intensifikoheshin

Britmat e tmerrshëm kishin çarë terrin e natës. "Aeroplani po digjet"! Kanë qenë fjalët e një djaloshi të vogël, i cili bërtiste teksa rrotullohej në shtratin e tij. "Ai qëndronte i shtrirë në shpinë dhe gjuante me shqelma sikur të ishte duke u djegur vetë, apo sikur po mundohej të dilte nga arkivoli. Në fillim më ishte dukur sikur po përjetonte ndonjë ekzorcizëm, mirëpo pastaj i kam dëgjuar fjalët e tim biri", ka thënë babai i fëmijës. Vazhdimisht djali i vogël kishte përsëritur fjalët: "Aeroplani po digjet. Burri i vogël nuk po mund të dalë nga aeroplani!". Këto skena kanë qenë tronditëse për prindërit, ndërsa befasuese për ekspertët e dukurive paranormale. Kur ankthet e natës kishin filluar të intensifikoheshin, djaloshi i vogël, që quhet James, kishte filluar të bëhej më i qartë në fjalët që i thoshte gjatë agonisë, e shpeshherë kishte përsëritur fjalët "Jack Larsen", "Natoma" dhe "Corsair". Babai i James Leininger-it, Bruce, më pas kishte filluar të bëjë kërkime rreth emrave që i biri i tij i kishte përsëritur gjatë kohës së përjetimit të ëndrrave të frikshme. Ndërsa, nëna e James-it, Andrea, pa menduar shumë gjatë kishte thënë se ka mundësi që i biri i tij ishte rimishëruar. Ankthi i parë E gjithë kjo ngjarje kishte filluar natën e 1 majit të vitit 2000, kur kishin kaluar vetëm tri javë nga ditëlindja e dytë e James-it. Deri atëherë, ai ka qenë një fëmijë i lumtur, që jetonte me prindërit e tij në një shtëpi luksoze në Luiziana të Shteteve të Bashkuara, mirëpo, ankthi i natës së parë i kishte frikësuar shumë prindërit e tij. Edhe në fëmijëri, lodrat e preferuara të James-it kanë qenë helikopterët dhe avionët ushtarakë dhe ndonëse ka qenë shumë i vogël, ka pasur njohuri të gjera për ushtrinë, sidomos terminologjinë e aeroplanëve ushtarakë.

"Kur një herë pata dashur t'ia blejë një helikopter dhe i pata thënë 'shiko, është një helikopter me bombë në të' ai më pati thënë që ajo që po ia tregoja nuk ishte bombë, ishte thjesht një bombol gazi", ka thënë nëna e tij. Kur Bruce e kishte pyetur James-in se kush ishte burri i vogël të cilin e përmendte në ëndrra, ai i ishte përgjigjur: "Unë". "Çka ka ndodhur me aeroplanin tënd", e kishte pyetur Bruce. "Është qëlluar dhe është rrëzuar", i ishte përgjigjur James-i pa hezitim. "Kush e ka qëlluar aeroplanin tënd", e kishte pyetur i ati me këmbëngulje, për t'u befasuar nga përgjigjja e të birit, që i kishte thënë: "Japonezët".

Gjetja e fakteve Tashmë i bindur se i biri i tij kishte përjetuar diçka të veçantë, Bruce kishte filluar të hulumtoj me më shumë seriozitet dhe e kishte zbuluar që "Corsair" kishte qenë një aeroplan ushtarak i përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore ndërsa "Natoma", një tjetër fjalë e përmendur nga James, kishte dalë të jetë një anije, nga e cila ishin nisur aeroplanët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përfundimisht, ai kishte kërkuar edhe për James Huston-in, të cilin i biri e kishte përmendur disa herë në ëndrra, duke pretenduar se ai ishte quajtur ashtu. Dhe, kur kishte rënë në fotografitë e tij dhe ia kishte treguar të birit, ishte habitur nga reagimi i menjëhershëm i tij, i cili kishte thënë: "Ky kam qenë unë". Ankthet e natës së Jamesit kishin vazhduar deri në moshën tetëvjeçare, nga kur edhe janë ndalur, duke e lënë James Huston-in të pushojë i qetë në jetën e përtejme. 


(Kosova Sot Online)