Astronautët e parë në mars, në vitin 2039?

  • 11 April 2020 - 11:16
Astronautët e parë në mars, në vitin 2039?

Sipas një raporti të ri, NASA mund t'ia dalë që të dërgojë astronautët në orbitën e Marsit deri në vitin 2033, kurse aterrimi në Mars pritet të arrihet deri në vitin 2039. Shoqata planetare (Planetary Society) ka analizuar fizibilitetin dhe koston e një misioni me njerëz në orbitën e "hënës" së Marsit, Fobos, në vitin 2033, gjë që do të çonte deri te një lansim i astronautëve në sipërfaqen e planetit të kuq në vitin 2039. Kjo shoqatë arriti deri te përfundimi se kjo përputhet me planet dhe mundësisë e agjencisë hapësinore të SHBA-së, por është politika ajo që mund ta bllokojë këtë vendim.

Misioni orbital në Fobos do të zgjaste rreth 30 muaj, ku udhëtimi në një drejtim do të zgjaste nëntë muaj dhe 12 muaj do të kaloheshin në orbitë. Astronautët me këtë rast do të mund të studionin Fobosin dhe Deimosin, "hënën" tjetër të Marsit dhe, mundësisht, do të mund të operonin me "roverë" në sipërfaqe të Marsit. Është thënë se udhëtimi për në Mars nuk mund të bëhet në çdo moment, meqë duhet të zgjidhet koha kur ai gjendet në distancën më të shkurtër nga Toka.

(Kosova Sot Online)