Tri tregime të tmerrshme rreth gjërave të mallkuara

  • A.P /
  • 14 September 2020 - 15:11
Tri tregime të tmerrshme rreth gjërave të mallkuara

Kufoma e mallkuar

Në Alpet midis Austrisë dhe Italisë, në vitin 1991 është gjetur kufoma e ngrirë e një mashkulli. Deri këtu, nuk ka ndonjë gjë tepër të çuditshme. Por, e çuditshme është ajo që ndodhi gjatë 13 vjetëve vijues. Shtatë njerëz që kishin lidhje direkte me këtë zbulim, vdiqën. Në disa raste vdekja ishte krejt e rëndomtë. Por, në katër raste, kjo nuk mund të thuhet. Për këtë shkak lindi mendimi se kjo kufomë, e vjetër 5.300 vjet, kishte sjellë fat të zi. Rasti i parë i vdekjes ndodhi në vitin 1992, kur patologu forenzik Rainer Henn, i cili e kishte vendosur mumien në thes, vdiq në një aksident trafiku. Ai ishte nisur që të shkonte në një konferencë, ku duhej që të fliste rreth këtij zbulimi. Më pas, udhëheqësi malor, Kurt Fritz, vdiq në një ortek. Vdekja e tretë ishte e njeriut, i cili kishte incizuar zbulimin e kufomës. Ai u sëmur nga kanceri në tru. Helmut Simon, i cili bashkë me gruan e tij edhe e gjetën kufomën në fjalë, u gjet i vdekur në vitin 2004, pasi kishte rënë në humnerë. Dieter Warnecke, shpëtuesi i cili e kishte gjetur, kishte vdekur nga pika në zemër pak orë pas varrimit. Konrad Spindleer u sëmur nga skleroza multiple dhe vdiq gjashtë muaj pasi tha: "Mendoj se të gjitha këto janë marrëzi të gazetave. Tani ndokush do të thotë se unë jam viktima e ardhshme". Dhe, ai me të vërtetë qe viktima e ardhshme. Në fund, nga një sëmundje e gjakut vdiq edhe shkencëtari Tom Loy, i cili kishte bërë analizën e gjakut të kufomës së gjetur. 

Varreza e mallkuar

Këtu flitet për Timur Kanin. Pasi, në vitin 1369, mori titullin e kanit të madh, Timuri ndërmori një aksion të gjerë ushtarak, nga Rusia deri në Persi. Si duket, kjo nuk i mjaftoi, prandaj në Indi bëri një piramidë nga 70.000 kafka të njerëzve. Thjesht, për të treguar sa i rrezikshëm që ishte. Pasi Timur vdiq në vitin 1405, ai u varros në varrezën Gur-e Amir, e cila gjendet në Uzbekistanin e tanishëm. Në varr shkruan edhe: "Pasi të ngrihem nga varri, bota do të dridhet". Në vitin 1941 Stalini e dërgoi arkeologun Mikhail Mikhailoviç Gerasimov që ta studionte varrin e Timurit. Kjo i shqetësoi banorët e Uzbekistanit, të cilët i thanë se varri nuk duhej të hapej. Më 21 qershor u hap varri, më 22 qershor filloi lufta me Gjermaninë. Pra, bota me të vërtetë u dridh. Pasi u vranë me miliona rusë, më 20 dhjetor të vitit 1942 u mbyll sërish varri i Timurit, me nderime islamike. Vetëm disa orë më pas, gjermanët hoqën dorë nga rrethimi i Stalingradit. 

Martesa e mallkuar

Edhe pse shumë burra do të thoshin se çdo martesë është e mallkuar, rrëfimi në vazhdim do t'ju befasojë dhe do t'ju frikësojë me të vërtetë. Maria Vittoria Dal Pozzo ishte motra e princeshës Della Cisterna. Më pas princi Amedeo Savoya tha se planifikonte që të martohej me Marian. Mbreti italian Victor Emmanuel II kundërshtoi këtë martesë, meqë mendonte se djali i tij meritonte më mirë. Dasma u bë më 30 maj të vitit 1867, por si u bë, se! Në mëngjesin e ditës së martesës u zbulua se gruaja e ngarkuar për përgatitjen e fustanit të nusërisë, e kishte varur veten. Maria ishte besëtyte, prandaj kërkoi një fustan tjetër. Derisa krushqit ishin duke shkuar nga pallati deri në kishë, prifti u rrëzua nga kali dhe vdiq. Ata gjetën një prift tjetër dhe mbaruan punë. Por, me t'u kthyer në pallat, panë se dera ishte mbyllur. Roja gjendej i vdekur. Menjëherë pas ceremonisë së martesës, njëri nga krushqit bëri vetëvrasje. Njeriu i cili shkroi kontratën paramartesore të çiftit, vdiq nga pika në tru. Në fund, grofi nga Castiglione vdiq pasi gjilpëra e një medaljeje iu ngul në zemër. Saktësisht dhjetë vjet më pas, vdiq edhe Maria, derisa ishte duke lindur fëmijë

(Kosova Sot Online)