Fantazma e Mjekërrziut

  • A.P /
  • 21 September 2020 - 15:08
Fantazma e Mjekërrziut

Pirati zullumqar Mjekërrziu (Blackbeard), emri i vërtetë i të cilit ishte Edward Teach, ishte një njeri i gjatë, me një mjekër po ashtu tepër të gjatë dhe të zezë, e cila ia mbulonte pjesën më të madhe të fytyrës, duke u zgjatur teposhtë deri në bel. Kishte zakon që t'ia jepte flakën rumit dhe ta pinte të tërin, ashtu me flakë e me krejt. Ishin të shumtë njerëzit, të cilët besonin se ai ishte mishërim i djallit. Për njëzeteshtatë muaj, Mjekërrziu terrorizoi detarët në Atlantik dhe Karaibe, duke ua zënë pritën anijeve dhe duke vjedhur pasurinë e tyre, duke vrarë këdo që i kundërvihej. Zakonisht sulmonte pak pa gdhirë, apo në të perënduar të diellit, kur anija e tij vërehej me vështirësi. Ai mbante flamuj të shteteve të ndryshme, sa për kamuflim, kurse pak para se të sulmonte, e vinte flamurin e tij prej pirati. Nëse njerëzit i dorëzoheshin vullnetarisht, ai nuk i vriste, përndryshe, të gjithë ata që e luftonin, i vriste pa mëshirë.

Njëherë një njeri refuzoi që t'ia jepte unazën, e pirati ja preu me dorë e me krejt, duke ia marrë unazën që i pëlqente. Ndeja Në nëntor të vitit 1718, Mjekërrziu u tërhoq në vendstrehimin e tij të preferuar, që quhej Vrima e Teach-it, afër ishullit Ocracoke. Aty ai organizoi një ndejë e cila zgjati disa ditë. Njerëzit e informuan për këtë guvernatorin e Virxhinias, Alexander Spotswood. Ky i fundit menjëherë urdhëroi që anijet nën udhëheqjen e rreshterit Robert Maynard, të shkonin dhe ta arrestonin Mjekërrziun. Më 21 nëntor të vitit 1718, Maynard e angazhoi Mjekërrziun në një betejë të ashpër. Mjekërrziu u nis me anije kah toka. Të gjithë mendonin se ai do ta ndeshte anijen për shkëmbinj, duke e fundosur atë, por në momentin e fundit, ai depërtoi në njëfarë hapësire mids shkëmbinjve, ku depërtoi anija. Mjekërrziu më pas sulmoi me top anijet armike, duke vrarë një numër të madh të njerëzve të Maynardit. Por, as Maynard nuk ishte melaqe. Ai urdhëroi njerëzit e tij që të fshiheshin, duke u shtirë kinse ishin vrarë, apo plagosur. Pasi që piratët hipën në anije, marinarët dhe komandanti i tyre dolën dhe i sulmuan ata. Lufta e ashpër Më të paktë në numër, piratët zhvilluan një betejë të përgjakshme. Mjekërrziu dhe Maynard u gjetën sy më sy. Që të dy shtirën në njëri-tjetrin, por fati e deshi që Mjekërrziu ta huqte cakun. Ashtu i plagosur, Mjekërrziu deshi që ta shponte Maynardin me shpatë, por njëri nga njerëzit e Maynardit i doli Mjekërrziut nga prapa dhe ia preu kokën.

Edhe derisa i dilte gjaku nga qafa e prerë, Mjekërrziu nuk dorëzohej, por luftonte. U deshën pesë plumba dhe rreth njëzet shpime me shpatë, para se ai të binte në tokë pa shpirt. Maynard donte që të sigurohej se kryepirati kishte vdekur me të vërtetë, prandaj ia shkëputi kokën në tërësi nga qafa. Legjenda thotë se, pasi që Maynard e hodhi trupin e piratit në det, koka e prerë e piratit e thirri trupin e vet, ku trupi i pakokë tri herë notoi rreth anijes, duke tentuar që të hipte në të, para se të fundosej në ujin e detit. Që nga ajo kohë ai vend thuhet të jetë i pushtuar nga fantazma e Mjekërrziut. Detarët thonë se, kur bën kohë me stuhi, dëgjojnë zërin e Mjekërrziut, duke thënë: "Ku e kam kokën"?

(Kosova Sot Online)