Tregime të frikshme për vende të pushtuara nga fantazmat

  • A.P /
  • 23 September 2020 - 15:10
Tregime të frikshme për vende të pushtuara nga fantazmat

Britmat nga lisat në oborrin e spitalit të të çmendurve

Spitali i psikiatrisë në Illinoj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një kohë të gjatë ishte konsideruar si spitali i të çmendurve të pashërueshëm dhe si rrjedhojë njëri nga spitalet më të frikshme në SHBA. Gjithsesi, shumica e pacientëve, të cilët kishin vdekur në spital ishin dërguar për t'u varrosur nga vetë familjarët e tyre, përveç disa të pafatëve, të cilët nuk kishin pasur asnjë të afërm dhe si rrjedhojë punonjësit e spitalit ishin detyruar t'i varrosnin në oborrin e spitalit. Këtë fat e kishte pasur edhe Manuel A. Bookbinder, një i sëmurë që kishte punuar me ekipin për varrosjen të vdekurve. Që prej vdekjes së tij, që ishte vajtuar shumë nga pacientët e tjerë të spitalit, vizitorët e spitalit kishin raportuar për britma të shumta, që vinin nga lisat e mbjellë në oborrin e spitalit.

Samuraji që dashuronte një fantazmë

Japonia është njëri nga shtetet më të njohur për 'eksportimin' e tregimeve të frikshme me fantazma, që, ndër vite ka nxjerrë tregime të shumta, që ua kanë futur frikën në palcë njerëzve nga anekënd bota. Në mesin e këtyre tregimeve është edhe ai për Botan D?r?-n, një vajzë shumë tërheqëse që herë pas here vizitonte shtëpinë e një samuraji vejan, të cilit i pëlqente tej mase. Legjenda thotë se bukuroshja e kishte vizituar burrin e dëshpëruar çdo natë, ku kishte qëndruar deri në orët e para të mëngjesit, kur edhe ishte zhdukur. Një mëngjes, një fqinj i samurajit, i brengosur për gjendjen e fqinjit të tij ishte futur pa lajmëruar dhe e kishte gjetur atë të shtrirë në shtrat me një skelet, duke bërë dashuri. Disa ditë më vonë, samuraji ishte gjendur në varrin e atij skeleti, ku ishte munduar ta varroste veten për së gjalli. 

Biblioteka e pushtuar nga gruaja e vrarë nga burri

Jeta e Sophia Eberlein-it ka qenë e mbushur përplot vështirësi. Pasi që bashkëshorti i saj i parë kishte vdekur, ajo ishte martuar me Jacob Bentz-in, me të cilin fillimisht kishte kaluar shumë mirë, para se të shpallej e vdekur. Bentz, që më pas e kishte pranuar se e kishte vrarë bashkëshorten e tij, fillimisht i kishte fshirë të gjitha gjurmët dhe kishte bërë të mendohej që gruaja e tij kishte vdekur aksidentalisht. Ai ishte dënuar me burg të përjetshëm. Vite më vonë, shtëpia në të cilën kishte jetuar familja ishte shndërruar në bibliotekë dhe punonjësit e bibliotekës kishin raportuar që dëgjonin zëra dhe përjetonin lëvizje të pakuptimta të mobilieve të bibliotekës. Besohet që biblioteka në fjalë është e pushtuar nga shpirti i Sophia-s, që siç duket kërkonte hakmarrje. 

(Kosova Sot Online)