Kryeqyteti që 'jeton' me fantazma

  • A.P /
  • 20 October 2020 - 15:08
Kryeqyteti që 'jeton' me fantazma

Pak kohë pas mesnatës fillon emisioni i Kapol Thongplub-it, i cili udhëheq emisionin që i dedikohet dukurive mbinatyrore. Si rrjedhojë, zotëri Kapol ka dëgjuar tregime në lidhje me fantazmat tash e dy dekada, pasi që në emisionin e tij mund të thërrasin njerëz të ndryshëm, të cilët pretendojnë të jenë takuar me fantazmat apo të jenë prekur nga shpirtrat e ligë. Falë këtij emisioni, zotëri Kapol, që ndryshe njihet edhe me pseudonimin Pong, është bërë eksperti kryesor i fantazmave në një vend ku njerëzit i marrin fantazmat shumë seriozisht. Ai thotë se në Tajlandë ekzistojnë më shumë se 100 lloje fantazmash, në mesin e të cilave edhe:

Pi Pob, fantazma që futet në trupin e njeriut dhe e pushton trupin. Preta, një fantazmë e hollë që sorollatet me mision hakmarrjeje mbi racën njerëzore. Phi Lung Kluang, fantazmë që merr formën e njeriut, mirëpo që ka një vrimë në shpinë si dhe fantazmat shtriga, që mundohen që t'i largojnë njerëzit nga familjarët e tyre. Konsultimet me fallxhinjtë Gjithsesi, besimi në fantazma është shumë i shprehur në Tajlandë pasi që kemi të bëjmë me një vend ku të gjithë konsultohen me fallxhinjtë para se të marrin vendime të rëndësishme, përfshirë këtu edhe politikanë e biznesmenë. Në fakt, klasa politike e Tajlandës është më e prekura nga këto dukuri. Kur imazhi i ish kryeministrit tajlandez, Samak Sundhornvej, ishte shfaqur papritmas në Parlamentin e Tajlandës, pak kohë pas vdekjes së tij në vitin 2009, kryetari i parlamentit kishte thënë që nuk kishte shpjegim tjetër pos faktit që "shpirti i zotëri Samak-ut kishte shkuar në parlament për t'ua dhënë kolegëve të tij lamtumirën e fundit". Kryeqyteti që 'jeton' me fantazma Bangkoku, kryeqyteti i Tajlandës, është i mbushur me qendra tregtare që promovojnë "biznesin" e fallxhinjve, plot me revista të mbushura me tregime me fantazma si dhe me emisione televizive, ku fallxhinjtë japin këshilla për pothuajse gjithçka në jetë, duke filluar nga këshillat e biznesit deri tek numrat fatlumë të lotarisë.

Përkundër numrit të madh të fallxhinjve në këtë vend "fantazmë", zotëri Kapol ka arritur të bëhet më i adhuruari nga masa, pasi që kushdo që shkon njëherë për vizitë në "punishten" e tij, ndjen admirim për të. Sado paradoksale që mund të tingëllojë, është pikërisht zotëri Kapol ai që e pranon se kurrë gjatë jetës së tij nuk i ka parë fantazmat. "Kam dëgjuar mijëra tregime për fantazmat mirëpo kurrë në jetë nuk kam arritur t'i shoh. Me sa duket as unë nuk e kam shqisën e gjashtë për t'i parë fantazmat, ndonëse shumë shpesh e ndjejë prezencën e tyre". Biznes fitimprurës Gjithsesi, në një vend të tillë, biznesi me fantazma duhet të jetë shumë fitimprurës. Zotëri Kapul, i cili nuk kishte arritur të regjistrohej në fakultet, ka ndërtuar një mini-perandori fantazmash, ku ai tani është shef i më shumë se njëzet punëtorëve si dhe është pronar i një restoranti luksoz, që gjithashtu është i mbushur me pamje fantazmash të ngjitur gjithandej. Ai ka arritur t'iu sigurojë një jetesë luksoze edhe prindërve të tij, që dikur ishin mërzitur shumë për dështimin e birit të tyre. "Fantazmat ma kanë dhënë karrierën, andaj sado që frikësohem nga to, unë i dua shumë", ka thënë eksperti 48-vjeçar.  

(Kosova Sot Online)