Universi është i mbushur me mistere të pashpjegueshme

  • A.P /
  • 20 November 2020 - 15:03
Universi është i mbushur me mistere të pashpjegueshme

1. Shkretëtira e heshtur në Meksiko

Në Mapimi të Meksikos është një pjesë shkretinore, ku kanë ndodhur shumë gjëra të çuditshme, kryesisht të ndërlidhura me valët e radios. Në korrik të vitit 1970 një bazë ushtarake e Shteteve të Bashkuara kishte lansuar një raketë, që ishte përplasur në këtë shkretëtirë. Besohet që pikërisht kjo raketë ka përmbajtur sasi të mëdha të elementeve radioaktive, që kanë ndikuar në kontaminimin e hapësirës. Si rrjedhojë asnjë valë e radios, televizion apo sinjale të satelitit nuk mund të futet në këtë hapësirë. Për më tepër, shumë njerëz të cilët kanë kaluar nëpër këtë zonë kanë raportuar për shfaqjen e një sërë krijesash të çuditshme, në formë të njerëzve të mëdhenj. Përveç zërave misterioz që lirohen nga këto krijesa dhe mjetet e tyre transportuese, raportohet që kjo zonë është tmerrësisht e heshtur. 

 

2. Dhoma 428

Kjo dhomë, që gjendet në Universitetin e Ohajos, nuk është e lirë për studentë. Për shkak të raportimit të një sërë dukurive paranormale, kjo dhomë është mbyllur para disa vitesh. Në mesin e dukurive të pazakonta, për të cilat është raportuar para mbylljes së dhomës, kanë qenë edhe: fluturimi i objekteve, hapja dhe mbyllja e dyerve dhe dritareve pa i prekur ndokush, hijet e zeza, si dhe zhdukja e gjësendeve. Ndërsa, gjëja më e frikshme që ngjan në këtë dhomë është shfaqja e figurës së një djalli në derën e dhomës, figurë kjo që shfaqet herë pas here, përkundër faktit që dera është ndërruar disa herë. Besohet që dhoma është e pushtuar nga fantazmat e studentëve, që janë vetëvrarë brenda shtëpisë. 

3. Beteja e Los Anxhelosit

Më 24 shkurt të vitit 1942, qielli i Los Anxhelosit ishte mbuluar nga dritat e raketave, ndërsa banorët e këtij qyteti ikonë kishin filluar të dridhen nga frika se kishin filluar sulme të reja me Japoninë. Bombardimet kishin vazhduar për një orë të plotë dhe si rrjedhojë pesë veta kishin humbur jetën nga rënia e copëzave të raketave, si dhe tre të tjerë kishin vdekur nga sulmi në zemër. Të nesërmen ishte bërë e ditur që SHBA-ja, atë mbrëmje, nuk kishte luftuar me ndonjë shtet, për më tepër raketat dhe bombat nuk ishin drejtuar nga asgjë tokësore. Qindra njerëz ishin bërë dëshmitarë të disa objekteve të mëdha, që ishin shfaqur atë mbrëmje në qiellin e Los Anxhelosit, që, shikuar nga larg, dukej se po e festonte ndërrimin e moteve. Gjithsesi, qeveria kishte dhënë një arsyetim shumë banal në lidhje me incidentin. Misteri i atij incidenti vazhdon të jetë i pashpjeguar. 

(Kosova Sot Online)