NASA do ta paguajë një kompani 1 dollar, me tri këste, për të mbledhur gurë në Hënë

  • E.K /
  • 04 December 2020 - 09:57
NASA do ta paguajë një kompani 1 dollar, me tri këste, për të mbledhur gurë në Hënë

Agjencia amerikane për hulumtimin e hapësirës, NASA, do ta pagujë një kompani me vetëm një dollar për të mbledhur gurë në Hënë.

Të enjten, kompania “Lunar Outpost” e fitoi kontratën me NASA-n për të mbledhur gurë në Hënë, ndonëse për këtë punë do të kompensohet me një shumë simbolike.

NASA do t’i paguajë edhe tri kompani të tjera për mbledhje të gurëve dhe dheut në Hënë. Sasia e mbledhur duhet të jetë nga 50 deri në 500 gramë, shkruan BBC.

“Kompanitë do të mbledhin mostra dhe pastaj do të na ofrojnë neve dëshmi pamore dhe të dhëna të tjera që ato i kanë mbledhur”, tha një zëdhënës i NASA-s.

“Plani është që misioni të zhvillohet në vitin 2023, por ne jemi duke punuar me disa kompani që mund të ndikojë që fillimi i misionit të bëhet më herët”, tha shefi ekzekutiv i kompanisë “Lunar Outpost”, Justin Cyrus.

Kompania me bazë në Kolorado do të paguhet vetëm një dollar për mbledhjen e gurëve në Polin Jugor të Hënës.

Megjithatë, pagesa nuk është motivi i këtyre kompanive për të bashkëpunuar më NASA-n. Pritet që ato të kenë disa përfitime tjera shkencore nga ky projekt, siç është mundësia për të marrë burime nga sipërfaqja e Hënës.

Kompensimi prej një dollari madje do të paguhet me tri këste. 10 për qind e shumës do të paguhet në kohën kur të jepet kontrata, 10 për qind kur kompania ta nisë misionin e parë të grumbullimit të gurëve dhe 80 për qind kur NASA të vërtetojë se kompania e ka mbledhur materialin.

(Kosova Sot Online)