Viti 2020 ishte i vështirë për Tokën. Po për hapësirën?

  • G.G /
  • 02 January 2021 - 11:18
Viti 2020 ishte i vështirë për Tokën. Po për hapësirën?

Dielli ashtu siç nuk e kishim parë kurrë më parë.

Viti 2020 ka qenë i vështirë për planetin Tokë, me pandeminë e COVID-19 që ndërpreu rrjedhën normale të jetës.

Me kaq shumë popullsi, të mbyllur në shtëpi për pjesën më të madhe të vitit, të paktën ka qenë një kohë e mirë për të parë lart në qiell e për të marrë në konsideratë mrekullitë e hapësirës.

Në thellësinë e pafundme, ne kemi qenë dëshmitar të spektakleve të mëdha si kometat, eklipset dhe së fundmi kemi qenë dëshmitar dhe në takimin e dy planetëve fqinj, Jupiterit dhe Saturnit.

E pavarësisht kaosit në tokë, shkencëtarët, inxhinierët dhe astronautët kanë vijuar të zhvillojnë kuptimin e universit tonë me misione hapësinore inovatore.

Nëse hedhim një vështrim mbrapa ja se çfarë ka ndodhur në hapësirë në vitin që lamë pas.

Space X bëri edhe më shumë histori

SpaceX i Elon Musk dërgoi me sukses një kapsulë me njerëz në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, kompania e parë private që e bëri këtë.

Dy astronaut të NASA-s, Doug Hurley dhe Bob Behnken, u nisën me një raketë Falcon 9 në maj, nga kepi Canaveral në Florida.

Ky ishte një fluturim provë me njerëz, ku u shtuan dhe katër astronaut të tjerë që mbërritën me një kapsulë Space X në nëntor, për të qëndruar më pas në një shërbim gjashtë mujor.

Dielli ashtu siç nuk e kishim parë kurrë më parë

Në shkurt Orbiteri i Agjencisë Europiane të Hapësirës u nis në misionin e saj për të marrë imazhe nga afër diellit, më afër se çdo anije kozmike më parë.

Agjencia Europiane e Hapësirës tha se ai ishte laboratori shkencor më kompleks që i dërgohet yllit tonë.

Imazhet e para u botuan në korrik, duke treguar tiparet e diellit në më shumë detaje sesa janë parë më parë.

“Është sikur anija të na kishte dërguar një kartolinë nga udhëtimi i saj,” – tha Daniel Muller, Shkencëtar i Projektit Solar Orbiter në Agjencinë Europiane të Hapësirës.

Shkencëtarët gjithashtu shpresojnë të zbulojnë se çfarë ngroh kurorën e diellit në miliona gradë, çfarë e shtyn erën diellore dhe si ndikon në planetin tonë e sistemin e gjerë diellor.

Kometa Neowise bëri një vizitë të rrallë

E zbuluar në Mars, kjo kometë ishte më e ndritshmja e dukshme nga Hemisfera Veriore për rreth 25 vjet dhe nuk do të kthehet për 7,000 vite të tjera.

Neowise bëri një vizitë të rrallë kalimtare në Tokë këtë vit, në udhëtimin e saj të gjatë rreth sistemit diellor, e dukshme në muajt korrik dhe gusht. Ishte qartësisht e dukshme në qiellin e pastër të natës.

Emrin e mori nga teleskopi hapësinor me infra të kuqe të NASA-s Neowise, i cili e dalloi atë.

Prekja e tokës: Sukseset e misioneve asteroide

NASA zbarkoi një anije kozmike në një copë të vogël shkëmbi që kalonte nëpër hapësirë 200 milion milje larg Tokës në muajin tetor.

OSIRIS-Rex preku me shpejtësi asteroidin Bennu duke arritur në sipërfaqen e tij për të mbledhur materiale që shkencëtarët thonë se mund të hedhin dritë mbi formimin e sistemit diellor.

Ndërkohë që ky ishte misioni i parë i SHBA-së për të mbledhur mostra nga një asteroid, Japonia e ka bërë dy herë tashmë.

Në fakt, misioni i dytë i Japonisë për të mbledhur materiale nga një asteroid përfundoi me sukses në dhjetor, kur një kapsulë me mostra nga asteroidi Ryugu preku Australian Outback.

Ishte misioni i parë ndonjëherë për të mbledhur material në sipërfaqe të asteroideve.

Fenomeni i rrallë, pas 4 shekujsh Jupiteri dhe Saturni ‘përshëndeten’ nga afër

Jupiteri dhe Saturni, dy planetët më të mëdha të sistemit tonë diellor, u afruan mbrëmjen e 21 dhjetorit  me njëri-tjetrin në një nga ngjarjet më të veçanta hapësinore që ndryshe është quajtur si “Bashkimi i Madh”.

Edhe pse këto dy planete afrohen me njëri-tjetrin në orbitat e tyre çdo 20 vjet, është hera e parë që prej vitit 1623 që ato do të jenë kaq afër.

Eklipsi total i Diellit

Në Kili dhe Argjentinë turmat brohorisnin ndërsa dielli ishte mbuluar plotësisht nga hëna para se të binte një heshtje e shkurtër.

Eklipsi tjetër që do të ndodhë në atë pjesë të botës do të jetë në vitin 2048.

(Kosova Sot Online)