Kina dhe Rusia do të ndërtojnë stacion hapësinor në Hënë, do t’ua japin edhe vendeve tjera

  • E.K /
  • 10 March 2021 - 09:15
 Kina dhe Rusia do të ndërtojnë stacion hapësinor në Hënë, do t’ua japin edhe vendeve tjera

Kina dhe Rusia i kanë bërë të ditura planet për ndërtimin e një stacioni hapësinor në Hënë.

Agjencia ruse e hapësirës, Roscosmos, tha se ka nënshkruar një marrëveshje me Administratën Kombëtare të Hapësirës në Kinë për të zhvilluar objekte kërkimore në sipërfaqen e Hënës, në orbitën e saj ose në të dyja.

Në deklaratën e përbashkët të të dyja agjencive thuhet se ky stacion hapësinor do të jetë në dispozicion për t’u përdorur edhe nga vendet tjera, shkruan BBC.

I ashtuquajturi Stacion Ndërkombëtar Shkencor në Hënë do të shfrytëzohet për një gamë të gjerë të kërkimeve shkencore, përfshirë eksplorimin dhe shfrytëzimin e Hënës, thuhet në deklaratë.

“Kina dhe Rusia do ta përdorin përvojën e tyre të grumbulluar në shkencën, kërkimet dhe zhvillimin për hapësirën dhe do të përdorin pajisje të hapësirës dhe teknologji të hapësirës për të zhvilluar së bashku një rrugë për ndërtimin e një stacioni ndërkombëtar kërkimor në Hënë”, thuhet në deklaratën e shkruar në gjuhën kineze.

Chen Lan, analist i programit hapësinor të Kinës, i tha agjencisë AFP se ky projekt është i rëndësishëm për shtetin me popullsinë më të madhe në botë.

“Ky do të jetë bashkëpunimi më i madh ndërkombëtar në hapësirë për Kinën, prandaj është i rëndësishëm”, tha ai.

Kina ka filluar relativisht vonë që të shënojë suksese në eksplorimin e hapësirës, por dhjetorin e kaluar arriti që me sukses të merrte gurë nga Hëna përmes sondës “Chang’e-5”.

(Kosova Sot Online)