Pamje: Pakistani teston me sukses raketën balistike me kapacitete bërthamore

  • E.K /
  • 27 March 2021 - 13:37
 Pamje: Pakistani teston me sukses raketën balistike me kapacitete bërthamore

Ushtria e Pakistanit tha të premten se ka testuar me sukses raketën balistike me kapacitete bërthamore, “Shaheen-1A”. Kjo raketë ka rreze veprimi prej 900 kilometrave.

Departamenti për Marrëdhënie Publike tha se testimi kishte për qëllim që të rivërtetohen dizajni dhe parametrat teknikë të këtij sistemi të armatimit, përfshirë sistemin e avancuar të navigimit, shkruan RT.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, e përgëzoi ushtrinë për testimin e suksesshëm të raketës, ndërsa procesin e përcollën nga afër zyrtarët e divizionit për plane dhe forca strategjike.

Muajin e kaluar, Pakistani gjithashtu e testoi me sukses raketën balistike “Babur”, e cila ka rreze veprimi prej 450 kilometrash dhe që mund të përdoret për ta goditur cakun në tokë apo det me saktësi të madhe.

Testimi i raketës nga Pakistani u bë në kohën e raporteve të tensionuara me Indinë për shkak të rajonit të kontestuar të Kashmirit, ndonëse muajin e kaluar shtetet u pajtuan që të mbajnë armëpushim në atë pjesë.

Ndryshe, Pakistani është në mesin e nëntë shteteve në botë që kanë armë bërthamore, duke qenë shteti i vetëm me shumicë myslimane që ka këso lloji të armatimit të shkatërrimit në masë.

(Kosova Sot Online)