Zbulohet dinosauri i panjohur “Arackar Licanantay”

  • A.P /
  • 20 April 2021 - 23:15
Zbulohet dinosauri i panjohur “Arackar Licanantay”

Kili prezantoi “Arackar Licanantay”, një specie deri më tani e panjohur e dinosaurëve e gjetur në shkretëtirën Atacama, në veri të vendit.

Ky ekzemplar, një specie e titanosaurit – e ngjashme në formë me “Diplodocus” – me gjatësi rreth 6.3 metra, është pjesë e familjes së “sauropodëve, barngrënësve me qafë të gjatë, bisht të gjatë, ekstremitetet e tij dukeshin si kolona”, shpjegoi në një konferencë shtypi David Rubilar, kreu i zonës së Paleontologjisë në Muzeun Kombëtar të Historisë Natyrore.

 

Mbetjet u gjetën në vitet ‘90 nga gjeologu kilian Carlos Arévalo, i cili rikuperoi disa pjesë të një femure, një humerus, iskiumit dhe elementet vertebrale të qafës dhe shpinës.

Rubilar theksoi gjatë prezantimit të kësaj specie të re se ajo jetonte në zonën që aktualisht korrespondon me rajonin e Copiapó, rreth 600 km në veri të Santiagos, gjatë periudhës së fundit të Kretaceut, midis 66 dhe 80 milion vjet më parë.

“Në periudhën e Kretaceut, një grup i ri i këtyre dinosaurëve që njihen si titanosaurët, lulëzuan. Ky ekzemplar i përkiste titanosaurëve, të cilët ishin barngrënës. Kishte të vegjël si rasti i ‘Arackar Licanantay’, pak a shumë midis gjashtë dhe tetë metra në lartësi, por kishte edhe gjigandë më shumë se 30 metra “, tha shkencëtari.

Dimensionet e eshtrave të gjetura i bëjnë shkencëtarët të mendojnë se ekzemplari i gjetur për këtë specie të re është një “nënadult”.

(Kosova Sot Online)